OKB: Mosha mesatare e shqiptarëve do të arrijë mbi 50 vjeç në vitin 2055

21 Mars 2018, 13:30Sociale TEMA

Popullsia e Shqipërisë do të plaket me ritme të shpejta në tre dekadat në vijim.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në statistikat e përditësuara të 2017-s për popullsinë globale, parashikon që mosha e mesatare e shqiptarëve ( që njihet edhe si mosha mediane) do të arrijë në vitin 2055 në 50.6 vjeç nga 36.2 vjeç që ishte në vitin 2015.

Në vitin 1950, mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë ishte 21 vjeç.

Kjo për shkak të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, që u shoqërua me një boom lindjesh në të gjithë Europën, përfshirë këtu dhe vendin tonë.

Mosha mediane parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme. Sipas skenarit të mesëm të rritjes së OKB-së,  do të arrijë në 41,5 vjeç në vitin 2030. Shqipëria do të ketë arritur moshën aktuale mediane të Europës pikërisht në vitin 2030.

Popullsia e Shqipërisë jo vetëm që do të plaket, por strukturat e moshimit parashikohen të ndryshojnë në të ardhmen. Sipas të dhënave kombëtare deri në vitin 2011, plakja nxitej nga tkurrja e brezave të lindur d.m.th plakje në bazë të piramidës.

Sipas INSTAT, raporti i varësisë të të rinjve pësoi rënie nga 53 fëmijë për 100 të rritur në moshë pune në vitin 1989 në 32 fëmijë në vitin 2011. Raporti u përkeqësua më tej pas censusit të 2011-s. Varësia e të moshuarve ka qenë e kufizuar, megjithëse ajo është dyfishuar nga 8 në 18 individë për 100 të rritur në moshë pune së fundmi.

Varësia e të rinjve parashikohet të bjerë me një ritëm të ngjashëm krahasuar me rritjen e varësisë të të moshuarve deri në vitin 2021 (një rënie deri në 25 të rinj dhe një rritje deri në 23 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune respektivisht, sipas skenarit të rritjes mesatare).

Skenari i rritjes së mesme nënkupton 30 të moshuar për 100 të rritur në moshë pune në vitin 2031.

Sipas projeksioneve vendase për popullsinë që shtrihen deri me 2031, plakja e gjeneratave të njëpasnjëshme dhe ngjarjet demografike që ato provojnë me kalimin e kohës do ta ndryshojnë strukturën e moshës së popullsisë shqiptare.

Piramida e gjinisë dhe moshës do të zgjerohet në majë ndërsa brezat e foshnjave të lindura gjatë gjeneratës “baby-boom”, pas vitit 1960 kalojnë në moshën e pensionit. Krahas kësaj, plakja e gjeneratave të lindura në vitet 1990 (me moshë ndërmjet 10 dhe 20 vjeç në vitin 2011) do të rrisë numrin e të rriturve në moshat kryesore të lindjes së fëmijëve në vitin 2021.

Megjithatë, dhjetë vjet më vonë këto gjenerata do të zëvendësohen nga gjeneratat e lindura më pas, që janë shumë më të pakta në numër, duke çuar drejt një numri të reduktuar të të rriturve në moshë për të lindur./Monitor/

1 komente në “OKB: Mosha mesatare e shqiptarëve do të arrijë mbi 50 vjeç në vitin 2055”

  1. Selim says:

    Gjithçka ecen mbrapsh ne Shqiperi prej 28 vjetesh.Megjithate ne nuk na pelqen ta kuptojme. Derisa te na veje thika ne palce ne nuk kemi per te reaguar, edhe sikur nenen te na i shkedhejne ne perseri i mbetemi besnik kohes se qeneve te Esat Toptanit dhe klysheve te tjere te shitur tek antishqiptaret.Qenja njerzore nuk eshte aq e thjeshte sa e mendojme ne. Morali eshte nje lloj reklame per te na neneshtruar sipas regullit qe vendosin me te poshtrit (nenkupto te pasurit).Realiteti eshte ajo gje qe ne ndjejme ne trup dhe ne shpirt çdo dite. Mjere ai qe bje viktime e moralit sepse er verteta eshte gjithmone e njejte :”njeriu per njeriun eshte ujk” dhe mbijeton ai ujk qe eshte me i forti dhe me i shkatheti. Bote shtazesh prej 28 vjetesh . tpuuuuu!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje