Zgjerimi i skemës së TVSH-së, domosdoshmëri e konsolidimit të sistemit fiskal

2 Prill 2018, 12:41Ekonomia TEMA
Zgjerimi i skemës së TVSH-së, domosdoshmëri e konsolidimit

 

Zija  LIKA 

Hyrja  në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar (tvsh-së),  të biznesit të vogël me xhiro vjetore 2 deri në 5 milion lekë të reja, duke filluar nga data 01.04.2018 e në vazhdim në të ardhmen, sikurse është programuar dhe vendosur kohët e fundit nga ana e qeverisë aktuale, megjithë  problematikat  që do ta shoqërojnë në fazën fillestare të zbatimit, do të përbëjë një ndër masat më të rëndësishme pozitive drejt refomimit të thellë dhe kompleks të sistemit fiskal në RSH-së.

Përvoja rreth 27 vjeçare e tranzicionit të tejzgjatur demokratik shqiptar, përveç të tjerash në fushën e ekonomisë na tregon se niveli i evazionit fiskal (shmangies, zvogëlimit apo mospagimit të detyrimeve fiskale), megjithëse 10 vjeçarin e fundit ka ardhur gradualisht disi në rënie, përsëri  mbetet shumë problematik  duke u luhatur realisht në kuotën e 40%, ose e thënë ndryshe në vlerën e rreth 1.5 miliard eurove.

Situata e deritanishme në fushën e mbledhjes dhe administrimit të tatim – taksave në përputhje me legjilacionin përkatës të vendit tonë, ka qenë dhe ende vazhdon të jetë problematike, ndërkohë që kjo gjë e bën edhe më të domosdoshëm, kontrollin e vazhdueshëm të sistemit tatimor e doganor, veçanërisht  prej strukturave  përkatëse të auditimit të jashtëm, ku roli më i rëndësishëm i takon Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në ndryshim nga vendet e zhvilluara ku pjesën kryesore të të ardhurave të buxhetit të shtetit e zënë taksat e drejpërdrejta, në vendin tonë për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit të sistemit tatimor, taksat indirekte mbi konsumin apo shpenzimet (tvsh-ja, taksa doganore dhe akciza), janë pikrisht ato që domonojnë këto të ardhura. Bazuar në të dhënat përkatëse statistikore të publikuara nga ministria e financave rezulton se mbi 50%  të të ardhurave vjetore të buxhetit të shtetit shqiptar, vilen nëpërmjet aplikimit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Është kjo ndër arsyet kryesore që aplikimi, vjelja dhe mirëadministrimi korrekt i këtij tatimi të sipërpërmendur konformë legjislacionit përkatës, merr një rëndësi tepër të veçantë, duke justifikuar plotësisht (megjithëse disi me vonesë në kohë), vendimin e qeverisë mbi përfshirjen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar (tvsh-së) prej datës 01.04.2018  e në vazhdim, të rreth 11,5 mijë subjekteve të biznesit të vogël me xhiro vjetore 2 deri në 5 milion lekë të reja, ndërkohë që pjesa tjetër e biznesit të vogël (aktualisht prej 17 mijë subjektesh), që e ka këtë tregues mbi 5 deri në 8 milion lekë, është  përfshirë në këtë skemë qysh prej vitit 2009.

 

Një historik shumë i shkurtër mbi origjinën e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe aplikimin e tij në vendin tonë.

Tatimi mbi vlerën e shtuar është një tatim indirekt mbi konsumin, origjina e të cilit është Franca në vitin 1954. Ai është konceptuar në mënyrë të tillë, që të rëndojë vetëm mbi konsumatorin final dhe jo mbi çdo subjekt apo firmë biznesi, si hallka ndërmjetëse të zinxhirit tregtar të prodhim / blerjeve dhe shitjeve, nëpër të cilat kalon malli apo shërbimi derisa të arrijë destinacionin përfundimtar. Ndërsa për shtetin, tatimit mbi vlerën e shtuar  është një ndër burimet kryesore të të ardhurave të buxhetit të përgjithshëm të tij, për subjektet apo firmat e biznesit ai nuk përbën as shpenzim dhe as të ardhura për to. Si rregull zbatohet për veprimtaritë ekonomike që sjellin fitim dhe që ushtrohen në mënyrë të pavarur.

Në vendin tonë ky llojë tatimi, ka filluar të aplikohet qysh prej vitit 1995, menjëherë pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit 7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të  ndryshuar, i cili pushojë  së  vepruari me hyrjen në  fuqi të  ligjit 92, të  vitit 2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në  RSH-së ” , i cili është  përafruar pjesërisht me direktivën e parlamentit europian dhe këshillit 2006 / 112 / KE, datë  28.11.2006 “ Mbi sistemin e përbashkët të  tatimit mbi vlerën e shtuar”. Shkalla standarte e këtij tatimi të aplikuar  mbi vlerën e tatushme (vlerën totale pa tvsh), ka qenë dhe është 20% , ndërkohë që ekzistojnë edhe dy shkallë të tjera tatimore, përkatësisht 0%  në eksporte dhe 6%  në sektorin e turizmit, duke filluar prej muajit Qersho 2017 e në vazhdim.

Si funksionon mekanizmi i TVSH-së ?

Mekanizmi i funksionimit dhe përllogaritjeve të tatimit mbi vlerën e shtuar, është i njëjtë në të gjitha vendet e botës që e aplikojnë këtë lloj tatimi, me përjashtim të ndryshueshmërisë së shkallëve tatimore nga njëri vend në tjetrin, në varësi të politikave të ndryshme fiskale të ndjekura nga qeveritë përkatëse.

Më konkretisht secili prej subjekteve të biznesit në rolin e hallkave ndërmjetëse të zinxhirit tregtar, që fillon me prodhuesin apo importuesin dhe përfundon me subjektin e fundit, që realizon shitjen përfundimtare të një malli / shërbimi te konsumatori final, detyrohet ligjërisht të paguaj për llogari të buxhetit të shtetit, shumën e barabartë me 20%  të diferencës midis vlerës së tatueshme (vlerës totale pa tvsh) në shitje dhe në blerje, bazuar në të dhënat përkatëse të konfirmuara në formularin e deklarimit mujor të tvsh-së, për llogari të organit tatimor.

Çdo subjekt i  këtij zinxhiri shumën e tvsh-së të llogaritur në blerje, ja ka paguar më parë subjektit përkatës parardhës, prej të cilit është furnizuar me mallra / shërbime dhe për rrjedhojë e zbret prej shumës së tvsh-së, të llogaritur në shitje, duke përcaktuar kështu në mënyrë korrekte detyrimin ndaj buxhetit të shtetit, i cili në total duhet të arkëtojë prej të gjitha subjekteve të këtij zinxhiri, shumën e barabartë me 20% të vlerës së tatueshme (vlerës totale pa tvsh), të rezultuar në shitjet përfundimtare ndaj konsumatorëve finalë.

Kështu për shembull nëse subjekti i fundit i zinxhirit tregatar ( i cili realizon shitjen përfundimtare te konsumatori final), blen një njësi malli nga subjekti parardhës me çmimin  120 lekë, ku 100 lekë është vlera e tatueshme (vlera totale pa tvsh) dhe 20 lekë tvsh-ja e llogaritur në blerje dhe nga ana tjetër e shet atë te konsumatori final me çmimin 150 lekë, ku 125 lekë është vlera e tatueshme (vlera totale pa tvsh)                      dhe 25 lekë tvsh-ja e llogaritur në shitje, atëhere ky subjekt (që në rastin konkret është në rolin që do të      jetë çdonjëri prej subjekteve të biznesit të vogël me xhiro vjetore 2 deri në 5 milion lekë të reja pas                   hyrjes në skemën e tvsh-së)  i detyrohet buxhetit të  shtetit  të paguaj një vlerë tvsh-je, të barabartë me                5 lekë = (25 – 20) lekë = 20% (125 – 100) lekë = 20% X 25% X 100 lekë, ku 25% është në këtë rast, norma e fitimit bruto për njësi malli = (125 – 100) : 100 = (150 – 120) : 120.

Bazuar në të dhënat e këtij shembulli, nëse krahasojmë këtë varjant, ku subjekti në fjalë prej datës 01.04.2018 e në vazhdim, është përfshirë në skemën ligjore të tvsh-së dhe fitimin bruto për njësi malli e ka të barabartë me 25 lekë = (125 – 100), me varjantin tjetër  (që ka funksionuar para datës 01.04.2018)                    të mos përfshirjes së këtij subjekti në këtë skemë (për shkak të xhiros vjetore me vlerë më të ulët se                       5 milion lekë të reja), ku fitimin bruto për njësi malli e ka patur në këto kushte të barabartë me 30 lekë = (150 – 120), rezulton se  fitimi bruto për njësi malli në lidhje me këtë subjekt në varjantin e parë, zvogëlohet me 5 lekë = (25 – 30), ndërkohë që sikurse përllogaritet në paragrafin e mësipërm, norma e fitimit bruto për njësi malli mbetet konstante e barabartë me 25% = (125 – 100) : 100 = (150 – 120) : 120.

Lidhur me sa më sipër, natyrshëm lind pyetja:

Deri sa mund ta rrit çmimin subjekti në fjalë (nëse  konkurrenca në treg në  lidhje me mallra dhe shërbime të  veçanta ja lejon një gjë të tillë), në mënyrë që ai të ruaj të njëjtën vlerë të fitimit bruto për njësi malli që kishte më parë, të barabartë me 30 lekë dhe jo 25 lekë që rezultojë, si pasojë e përfshirë së tij në skemën ligjore të tvsh-së?

Nga përllogaritjet ekonomiko – matematikore, rezulton se subjekti në fjalë me qëllim që të realizojë atë çka themi, duhet ta ndryshojë çmimin nga 150 lekë për njësi malli që ishte më parë në 156 lekë, duke e rritur atë në madhësi absolute  vetëm me 6 lekë, ose e thënë ndryshe në madhësi relative të barabartë me               4% = (6 : 150). Nga rritja prej 6 lekësh e çmimit, 5 lekë shkojnë për të rritur fitimin bruto të subjektit për njësi malli, nga 25 lekë në 30 dhe 1 lekë i shtohet detyrimit që ai ka ndaj buxhetit të shtetit në lidhje me tvsh-në, nga 5 lekë që ishte në 6.

Mbështetur në sa më sipër, është e rëndësishme të kuptohet dhe argumentohet se:

Deri ku shkon liria dhe mundësia e subjektit të biznesit, për të rritur pa asnjë lloj kufizimi çmimet në kushtet e funksionimit të një ekonomie mikse, ku vendimet merren përgjithësisht nga tregu dhe pjesërisht nga qeveria.

Në lidhje me këtë, modeli i srukturës së tregut (konkurencë e plotë, apo monopolistike, oligopol, oligopson, monopol, monopson e të tjera), natyra e mallrave dhe shërbimeve, si dhe elasticiteti i kërkesës në lidhje me çmimin që karakterizon ato, janë ndër faktorët kryesor që përcaktojnë mundësinë e subjekteve të biznesit për të ndryshuar çmimet, në funksion të maksimizimit të përfitimit ekonomik.

Së pari, për një numër  shumë të kufizuar mallrash dhe shërbimesh publike, si furnizimi me energji elektrike, ujë të pijshëm, tarifat e qerave të strehimit në konvikte të nxënësve dhe studentëve me vendbanim të largët, e të tjera, të cilat kanë një rëndësi shumë të madhe për sigurimin e kushteve normale të jetësës për mbarë banorët e një vendi, funksionon mekanizmi rregullator i çmimeve tavan, të cilat vendosen nga entet përkatëse rregullatore, apo qeveria në mbrojtje të interesit të konsumatorëve, duke i detyruar të gjitha subjektet e biznesit që tregtojnë ato, të vendosin dhe aplikojnë çmime në vlera jo më të larta se ato tavan respektive.

Kjo ndërhyrje e qeverisë është plotësisht e justifikuar, pasi kostot e ndërhyrjes, janë shumë më të vogla se ato të ndërhyrjes, aq më tepër që këto mallra e shërbime publike tepër jetike, ofrohen përgjithësisht nga një firmë e vetme në një treg tipik monopolist, të cilin qeveria përmes agjencive rregulluese shtetërore, duhet ta kontrollojë përsa i takon nivelit të çmimeve, cilësisë së shërbimeve e të tjera, apo të kalojë në pronësi shtetërore këtë firmë monopoliste.

Së dyti, për të gjitha mallrat dhe shërbimet e tjera, veçanërisht në kushtet e konkurrencës, çmimet vendosen në treg si rezultat i bashkëveprimit të kërkesë – ofertës për to, ndërkohë duhet theksuar se sa më shumë struktura e tregut i përafrohet modelit përkatës në konkurrencë të plotë, aq më shumë zvogëlohet dhe tenton drejt eleminimit të plotë, ndikimi i firmave të biznesit në  çmimin e tregut.

Nga ana tjetër edhe pse për shkak të prezencës në vendin tonë, të faktorëve, shkaqeve dhe rrethanave të ndryshmne, të cilat shpesh deformojnë konkurrencën në treg, përsëri mundësia e firmave për të mos e pranuar çmimin e tregut, por për ta diktuar atë në mallra dhe shërbime të ndryshme, është e kufizuar nga natyra e këtyre të fundit,  si dhe elasticiteti i kërkesës në lidhje me çmimin që karakterizon ato. Kështu për shembull, për mallrat dhe shërbimet me kërkesë elastike në lidhje me çmimin, që kanë zvendësues në konsum, zënë pesh të lartë shpenzimesh në buxhetin e konsumatorit, kanë natyrë luksi, apo janë me mundësi shtyrje në kohë të blerjes së tyre nga konsumatori, e të tjera, drejtimi menaxherial i firmave sipërmarrëse të këtij aktiviteti, në kushtet e mirëfunksionimit të ekonomisë së lirë të trgut, tregohet shumë i kujdesshëm me strategjinë e përcaktimit të çmimit, duke favorizuar indirekt konsumatorin, pasi shpesh herë priret për të ulur çmimin, në funksion të rritjes së të ardhurave totale të këtyre firmave dhe jo drejt veprimit të kundërt që mund t`i çojë ato në vetëndëshkim.

Ajo çka themi më  sipër, është  e vërtet edhe për të  mirat normale të  domosdoshme (veçanërshit kur ato tregtohen nga subjektet e biznesit të  vogël me xhiro vjetore deri në  5 milion lekë  të  reja), të  cilat ndonëse karakterizohen nga kërkesa jo elastike në  lidhje me çmimin, për shkak të  konkurrencës së  shitësve në  tregtimin e tyre në  tregjet përkatëse  të  mallrave dhe shërbimeve, ato tentojnë  të  bëhen sa më  elastike në  kërkesë  në  lidhje me çmimin në  proporcion dhe marrëdhënie të  drejtë  me shkallën e veprimit të  kësaj konkurrence, duke demotivuar tentativat e rritjes së pajustifikuar dhe pastudiuar të çmimeve, përmes mekanizmit rregullator të  vetëndëshkimit, pasi rritja e çmimit në  këto kushte shpesh mund të  çojë  në  paksimin e të  ardhurave totale periodike të  këtyre subjekteve, pasi kjo rritje në  një  përqindje të  caktuar, sjell si pasojë  zvogëlimin e sasive të  kërkuara prej konsumatorëve në  një  përqindje më  shumë  se aq, ndërkohë  që  mosrritja apo ulja e çmimeve, mbart më  shumë  shanse për rritjen reciproke të  përfitimive ekonomike të  përbashkëta, të  këtyre subjekteve dhe konsumatorëve.

Ekonomia pa matematikën, është një  përrallë  që  të  çon në greminë

Fakti që  ekonomia si shkencë, klasifikohet në  grupin e shkencave shoqërore, për shkak të  ndërthurjes në të, jo vetëm të  shkencave ekzakte, por edhe të  fenomeneve e dukurive të  shumta sociale  tepër  të  ndërlikuara, nuk justifikon aspak prononcimet, deklaratat, intervistat e të  tjera, të  bëra publike kohët e fundit  në  media të  ndryshme, nga disa prej ekonomistëve, ekspertëve ekonomik, apo ndonjë  politikani opozitar, ku sipas të  cilëve shtrirja e skemës ligjore të  tvsh-së , tek subjektet e biznesit të  vogël me xhiro vjetore nga 2 deri në 5 milion lekë  të  reja, do të  sjellë  shumë  më  tepër kosto se sa përfitime, të  lidhura këto me rritje të  menjëhershme çmimesh në  masën 20%, falimentim në  masë  të  subjekteve të  kësaj kategorie, rritje papunësie e të  tjera.

Natyrisht që do të  ketë  edhe falimentime subjektesh, por ato nuk kanë  për të  qenë  kaq të  shumta në  numër, sikurse deklarohet prej propagandistëve të  sipëcituar dhe aq më  tepër ato do t’i përkasin kryesisht asaj pjese të  biznesit, që  ka “notuar” ndërvite në paligjshmëri dhe evazion fiskal, përmes shmangies së  plotë, zvogëlimit apo mospagimit të  detyrimeve fiskalale, duke përfituar edhe prej lidhjeve korruptive apo kompromentuese me inspektorë  e drejtues tatimesh të  të  gjitha niveleve nga baza në  qendër dhe anasjelltas.

Vërtet do të  ketë  për këtë  llojë  biznesi të vogël, një farë  kostoje shtesë  për mbajtjen dhe administrimin e llogarive kontabile në  marrëdhënie me organet tatimore, apo pajisjen me kasë  fiskale, financimin e së  cilës gjykoj se do të  ishte më  mirë  ta merrte përsipër buxheti i shtetit, në  mënyrë  direkte apo indirekte, përmes zbritjes së  vlerës së  saj, qoftë  dhe pjesërisht nga detyrimet e ardhshme fiskale, por të  propagandosh sikurse themi më  sipër, se me hyrjen në  skemën ligjore të  tvsh-së, të  subjekteve të  kësaj kategorie, çmimet automatikisht do të  rriten me rreth 20%, do të  thotë se je ose antireformistë, ose analfabetë  i shkencave ekonomike e matematikore, duke sajuar e interpretuar lloje të  ndryshme përrallash, të  cilat i shërbejnë  vetëm përkeqësimit të  mëtejshëm të  situatës negative  të  sistemit fiskal në  vendin tonë.

Në ndryshim nga këto deklarata e prononcime aprofesionale e qesharake në  përmbajtje, sikurse argumentojmë  ekonomikisht dhe matematikisht më  sipër, normalisht rritja e çmimit mund të  shkojë  deri në  5% (20% x Norma mesatre e fitimit në %) dhe kjo mund të ndodh vetëm në ato tregje mallrash dhe shërbimesh të  veçanta jo konkurrenciale, në  të  cilat konkurrenca e shitësve në  to, është  në  nivele shumë  të  ulta dhe / ose  kërkesa për këto mallra e shërbime në  lidhje me çmimin, është  jo elastike, përndryshe çdo rritje çmimesh prej subjekteve të  biznesit të  vogël të  përfshira në  skemën ligjore të        tvsh-së , që  do të  tentohet të  realizohet në  tregje mallrash dhe shërbimesh konkurrenciale, do t’i çojë  ato në  vetëndëshkim, duke u braktisur nga klientela përkatëse.

Nga ana tjetër  në  një  ekonomi tregu që  funksionon normalisht, vendosja e një  takes të  re, apo rritja e një takse ekzistuese për njësi malli, përfshihet pjesërisht në rritjen e çmimit për njësi të  këtij malli, duke ja ngarkuar atë  konsumatorit, ndërsa pjesa tjetër përballohet nga vetë  subjekti në  rolin e prodhuesit / shitësit, duke ja ngarkuar atë  kostos së  aktivitetit të  tij, ose e thënë  ndryshe  zvogëlimit të  fitimit bruto për njësi malli.

Si rregull ekonomiko – shkencor, nëse për një  mall vendoset  një  taksë  e  re, apo rritet  një takse ekzistuese për njësi të  këtij malli, atëhere pjesa më  e madhe e kësaj  takse i ngarkohet vetë  subjektit përkatës, kur elasticiteti  i  kërkesës në  lidhje me çmimin,  është  më  i madh se sa ai  respektiv i ofertës, ndërsa pjesa tjetër më  e vogël  e kësaj takse i ngarkohet konsumatorit, në  formën e rritjes së  çmimit për njësi malli që  paguhet prej tij në  blerje,  ndërkohë  që  ndodh e  kundërta  në  rastin e kundërt. Fatkeqësisht përvoja shqiptare e të bërit biznes, jo vetëm që nuk e ka respektuar këtë rregull, por përkundrazi sa herë   që   është  vendosur një   taksë  e re apo është rritur një ekzistuese, subjektet e biznesit në   përgjithësi e kanë   përfshirë  të gjithë   atë , madje edhe në  masë   më  të  madhe,  në   rritje çmimi në  dëm  të  konsumatorit.

Përfshirja e të  gjithë  biznesit të vogël në  skemën ligjore të tvsh-së, varjanti më  efektiv i reformimit fiskal.

Megjithëse ekzistojnë mendime dhe opsione të ndryshme, në lidhje me përfshirjen tërësore, pjesore, apo mospërfshirjen në  skemën ligjore të  tvsh-së,  të  subjekteve  të   biznesit  të vogël me xhiro vjetore deri në 5 milion lekë të  reja, gjykoj se varjanti i përfshirjes tërësore (pavarësisht nga niveli i xhiros vjetore  i cili aktualisht ndahet në  dy fasha: nën 2 dhe nga 2 deri në  5 milion lekë), do të  ishte më   rezultativi në funksion të  konsolidimit të  sistemit fiskal  në  vendin tonë, pasi do të  kontribuonte ndjeshëm në  minimizimin e evazionit fiskal në të  ardhmen, duke bërë të  mundur ndjekjen, gjurmimin, evidentimin dhe vjeljen për llogari të buxhetit të  shtetit, të  këtij detyrimi në  të  gjitha hallkat e zinxhirit tregtar, që  fillon me prodhuesit apo importuesit e mallrave / shërbimeve  dhe përfundon me subjektet tregtare, të cilat realizojnë shitjen përfundimtare të  tyre të  konsumatori final. Nga ana tjetër, do të bëhej e mundur të shmangeshin nxitjet për të bërë evazion fiskal nga ana e subjekteve të biznesit të vogël (me xhiro vjetore më pak se 2 milion lekë), me qëllim mosarritjen dhe kalimin e këtij limiti, gjë e cila do t’i përfshinte në skemën ligjore të tvsh – së. Gjithashtu  në tregjet e mallrave  dhe shërbimeve, do të krijoheshin kushte e premisa më të drejta për një konkurrencë të ndershme dhe të barabartë midis të gjitha subjekteve ekonomike, si dhe do të  ndërgjegjësohej më shumë  publiku në  lidhje me pajisjen me kupon tatimor në çdo blerje të kryer, duke e siguruar atë se tvsh-ja dhe detyrimet e tjera fiskale të paguara prej tij, do të  përfundonin në  buxhetin e shtetit dhe jo në xhepat e hajdutërisë  dhe korrupsionit. Natyrisht që kjo e fundit, kërkon paraprakisht ndërmarrjen e një fushate propaganduese, profesionale dhe ndërgjegjësimi të subjekteve të  biznesit dhe publikut, të kryer nga ekspertët e vërtet të ekonomisë dhe legjislacionit, ndërkohë  që  me keqardhje konstatojmë se këshilltarët, drejtuesit e institucioneve  kryesore ekonomike të vendit, si dhe të ashtuquajturit “doktorë e profesorët të ekonomisë”, janë   shumë  larg  rolit e misionit që   u  takon, aq  më   tepër që rrogat dhe shpërblimet e tjera që marrin nga shteti, janë të vlerave të larta të  konsiderueshme monetare. Korrektesa në zbatimin e legjislacionit nga kjo kategori e biznesit të vogël, e cila deri tani krahasuar me kategoritë e tjera të biznesit, ka qenë shumë më pak e monitoruar dhe kontrolluar prej strukturave përkatëse të administratës tatimore, është  më e rëndësishme se shtesa e të ardhurave buxhetore, që pritet të sjellë përfshirja e saj në skemën ligjore të tvsh-së.

Vetëm duke i vendosur të gjitha subjektet e biznesit, në kushte të barabarta të trajtimit përmes ligjit, ku mbizotëron drejtësia, profesionalizmi, paanshmëria dhe zbatimi i parimeve të ekonomisë së tregut, merr kuptim dhe tingëllon aktual, përcaktimi gjenial i dhënë nga Luigji XIV  i  Francës, ku sipas të cilit:

“Efektiviteti  i  vjeljes së taksave, mund të krahasohet me efektivitetin e rrjepjes së patës në mënyrë të tillë, që të merret maksimumi i puplave me minimumin e të bërtiturave”

1 komente në “Zgjerimi i skemës së TVSH-së, domosdoshmëri e konsolidimit të sistemit fiskal”

  1. ela says:

    A gamor po bizneset e vogla quhen te vetepunesuar .qe ketu nis thelbi i biznesit,i vetepunesuar( do te thote te nxjer te ardhura vetem per per pagen e vete) dhe ndonje pjestar te familjes.Mor kaq idiot na dini? po te qe ashtu amerika nuk kish ekonomi liberale po shyqyr qe ste ka mar ty keshilltar dhe Ahmetin minister se do kish pat tere jeten lufte do vinin amerikanet ne shqiperi.krahason nje vend barbar ,me nje shtet klasik si franca,hajde tu mbyllte more i uruar Kete leksion jepe ne klase te dhjete se ta japin pergjigjen klamajt

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje