“Ftohet” Berluskoni, Salvini drejt marrëveshjes me Lëvizjen 5 Yjet

6 Prill 2018, 14:07Bota TEMA

Një muaj pas zgjedhjeve, Italia nuk ka ende një qeveri të re. Gjasat janë që ish-kryeministri Berlusconi nuk do të jetë pjesë e qeverisjes, pavarësisht se koalicioni ku bën pjesë partia e tij, Forza Italia, mori rezultat më të madh në zgjedhje.

“Beluskoni po e nxjerr veten jashtë loje. Nuk ishte kjo marrëveshja jonë në lidhje me konsultimet”, ka thënë Mateo Salvini, i Lega-s, aleati më i madh i Berluskonit.

Shkak për këtë distancim të dy aleatëve të djathtë është bërë qëndrimi i ngurtë që Berluskoni ka ndaj negociatave me Lëvizjen 5 Yjet. Berluskoni ka deklaruar se negociatat duhet të nisnin duke u hapur fillimisht për të djathtën, ndërsa kryeministri të dalë nga radhët e Lega-s.

Por Salvini është më i hapur në qëndrime në lidhje me Lëvizjen 5 Yjet, partia që doli me numrin më të madh të votave nga zgjedhjet e marsit.

Mediat italiane shkruajnë se ish-kryeministri preferon të mos e “ulë veten” për të shkuar në negociata, pasi ka dyshimin se Salvini dhe Di Maio e kanë arritur tashmë marrëveshjen.

Emra të njohur të Lega-s thonë se Berluskoni duhej të mbante një qëndrim shtetari në këtë rast, por u pa se në partinë e tij, Forza Italia, mbizotëron edne linja e vjetër e Xhani Letës.

Në këto kushte, Mateo Salvini i Legas, partia më e madhe në koalicionin fitues, mund të shkojë drejt një marrëveshjeje finale me Luixhi di Maion e Lëvizjes 5 Yjet. Por për këtë i duhet pak kohë, që ai do ta përdorë për të “mbushur boshllëqet” e një marrëveshjeje të mundshme bashkëqeverisjeje. Por mbi të gjitha, fillimisht, ai duhet të sqarohet me aleatin e tij, Silvio Berluskoni.

/ Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje