Për të gjithë dashnorët e statutit!

13 Prill 2018, 11:39Blog TEMA

Nga Astrit Patozi

Është ndoshta hera e parë në histori, që nga krijimi i partive të para në botë, kur një forcë politike thërret Kongresin e saj pa pasur një shkak apo arsye.

Kjo ka ndodhur vetëm me Partinë e Lulzim Bashës, e cila ka caktuar fundin e prillit për Kuvendin e saj Kombètar, pa i thënë kujt akoma se përse do tè mblidhet.

Dhe të mendosh që kjo ngjarje politike do të jetë e parakohshme, sepse ky “fanatiku” i afateve, që nuk pranonte ta lëvizte me një ditë 22 korrikun për zgjedhjen e vet, duhet ta thërriste në vjeshtë forumin më të madh të demokratëve.

Dhe vetëm pas shumë mëdyshjesh na qenka vendosur, nuk e di se ku, që Kuvendi do të jetë vetëm statutor.

Që do të thotë se paska rënë ajo idea e çmendur, që organet e vjetra të zgjidhnin forumet e reja, e cila do të ishte njësoj sikur parlamenti i Ramiz Alisë të zgjidhte qeverinë e Sali Berishës.

Por tani që vendimi qenka marrë, pavarësisht se ku, pyetja ime është shumë e thjeshtë:

Përse i lodhni delegatët dhe i sillni dy ditë kot në Tiranë, për një gjë që nuk e ka kërkuar kush?

Sepse “dashnorët” e statutit duhet ta dinë që askush prej nesh nuk e çon nëpër mend se kjo krizë dhe çarje e madhe në PD ka ardhur për shkak të librit të rregullave dhe as që mund të ndreqet vetëm prej tij.

Sepse Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që qëndron pas tij, siç shpërfilli dhe nuk e respektoi kurrë të vjetrin, ashtu mund të hedhë në kosh edhe të riun.

Edhe në statutin aktual nuk thuhet gjëkundi që vendimet për marrëveshje apo mosmarrëshje, aleanca apo koalicione i merr një njeri i vetëm apo që të bësh karrierë në PD duhet të kalosh patjetër në skanerin apo në llogarinë e kunatit.

Vërtetë, mendoni ju se ne jemi aq naivë sa të presim edhe 3 vjet të tjera, që të provojmë se Luli nuk të gënjen edhe për orën?

Ndaj mos i torturoni kot ata njerëz, duke i sjellë në një Kuvend të sajuar, sepse shumica e tyre mund të jenë dakord edhe që të mos ketë statut fare Partia Demokratike, mjafton që Luli dhe avokatët apo protektorët e tij të mos mërziten.

Sa për ne të tjerët, merreni, zijeni dhe pijini lëngun atij statutit të ri, që do të miratojë Kongresi i Vazhdimësisë, sepse ai nuk i duhet as dreqit.

5 komente në “Për të gjithë dashnorët e statutit!”

  1. Mondi says:

    Astrit te kam mik,shko merru vesh me ate burrin tek kulla 24 kateshe,mos na lodh shume.

  2. Qershija says:

    Parti merre, merre.Zoti Patozi! Mos ja ha hakun deputetve te mençem si Elvis i Fahri Balliut dhe Salianjit.Se do t’i ngelet qejfi dhe Grida Dumes qe i shan dashnorin e saj.Ti e shikon se Basha me keta deputet muskotjere po shkon drejte Moskes.Lum neve per kete parti qe kemi.Me vjen turp qe jam simpatizant i saj.

  3. Sela says:

    Sela
    Ke te drejte Mondi.Te gjitha i urdheron Ai qe the ti,te tjeret vetem zbatojne porosite qe u jepen nga ajo zyre,prandaj miratimi meret vetem ATJE e jo tek Luli.

  4. Alto Gjekmarkaj says:

    z. Patozi jeni nder (shume pak) figurat e PD qe nuk jane felliqur dhe qe keni fytyre ti dilni popullit para ti kerkoni mbeshtetje, sepse keni treguar vlera etike e morale. Por me duhet te konstatoj qe po vetmoheni ne skenen politike pa nevoje. Behuni far ndricues per te gjithe ato demokrate te djathte te sinqerte, liberale e konservatore, qe u larguan, ose nuk u afruan, pikerisht sepse ishte ne interesin e `kupoles familjare` te kishin vetem kamikaze pa vlera e virtyte rreth vetes. Mos e kufizoni veprimtarine tuaj ne analizat dhe opinionet, qe ndonese jane shume me te vlefshme se shume te tjera qe degjojme/lexojme rishtas, nuk mjaftojne per tu bere faktor. Krijoni nje levizje, bashkoni disa dhjetera personazhe elitare, qe besoj do ja u njihnin lidershipin, per shkak te asaj c`fare perfaqesoni. Kandidoni ne zgjedhjet e ardhsme lokale. Nuk them se mund te fitohet ndonje bashki, ne menyren se si eshte bere reforma territoriale, por do hidhni bazat strukturore per te kapur 20/25 vende parlamentare zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dhe te beheni nje epiqender morale e intelektuale ne politiken shqiptare, nje invers obvers i LSI, duke ruajtur ekuilibrat, por jo nepermjet tortave e pazareve meskine si ata, perkundrazi, nepermjet vlerave me te larta te shqiptarise. Na duhet nje aristokraci politike, nuk vazhdohet me me mbeturinat e PP de shoqerise makabre qe prodhoi. Respekte

  5. gezimi says:

    Zoti Astrit nuk e kuptoj ku qendron forca e Lul Bashes?Si ka mundesi gjithe ata demokrate mos e syrgjynosen kete moster te keqe qe sic thone vete demokratet e shkateroi P.D-ne?Une nuk jam plitikan por me vjen keq tju themse ne kete parti ka me shume bagabonde dhe rrugace se sa njerez qemund te punojne per vendin…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje