Luftëtari, Rroca: Kemi shanse për të kapur Europën, Abazaj është shembulli për t’u ndjekur

17 Prill 2018, 14:33Sport TEMA

Tema e ditës te Luftëtari është pa dyshim transferimi i Kristal Abazajt tek Anderlehti. Një lëvizje që i ka befasuar të gjithë, pasi gjithçka ka ndodhur sa hap dhe mbyll sytë. Drejtuesit e klubit gjirokastrit janë të lumtur për shitjen e Abazajt, sepse përveç Skënderbeut, edhe ata përfitojnë financiarisht, por edhe shokët e skuadrës janë të lumtur për arritjen e Kristalit.

Në një prononcim për “Vipsport.al”, mesfushori Eduart Rroca, tregon se u përjetua te Luftëtari lajmi i kalimit të Abazajt në Belgjikë, ku për momentin askush nuk po e besonte. Rroca jep mendimin e tij edhe për ndeshjen e radhës me Vllazninë dhe objektivin europian të Luftëtarit:

Abazaj

“Në fillim na u duk e pabesueshme dhe i shkrova Abazajt, i cili ma konfirmoi lajmin se ishte i vërtetë. Si shok ekipi që e kemi, normalisht u gëzuam të gjithë dhe besoj se është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë ne: me punë dhe sakrificë mund të arrish shumë në jetë.

Mesazhi im për Abazajn është që të vazhdojë të punojë me kokën ulur, siç ka bërë deri tani, sepse i ka cilësitë për të shkuar në klubet më të mëdha të Europës. Edhe atij personalisht ia kam thënë se ka mundësi të shkojë shume lart, por vetëm me punë dhe përulësi. Një karrierë e ndritur e pret”, – thotë Rroca për Abazajn.

Vllaznia

“Normalisht, si në çdo ndeshje, shkojmë në Shkodër për një rezultat pozitiv dhe besoj se do të dalim me pikë nga stadiumi “Loro Boriçi”. Synimi ynë është të ngjitemi sa më lart në renditje, për t’iu afruar sa më shumë objektivit që kemi”, – ka shtuar mesfushori i gjirokastriteve.

Europa

“Mendoj se Luftëtari ka shumë shanse të pozicionohet në 4 vendet e para, sepse kalendari na favorizon, por ndeshjet duhen marrë një e nga një dhe duhet bërë maksimumi. Në çdo ndeshje duhet luajtur fort  që të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe në fund të kualifikohemi për në Kupat e Europës, sepse ky është objektivi ynë tashmë”, – ka përfunduar Rroca.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje