Partizani-Skënderbeu/ Dalipi: Nuk e meritonim humbjen; Daja: Me 99% jemi kampionë

23 Prill 2018, 21:39Sport TEMA

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, u shpreh i zhgënjyer nga rezultati i sfidës me Skënderbeun, por deklaroi se ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit. Ai foli edhe për të ardhmen e tij.

Është për të ardhur keq, sepse ndeshjen mund ta përkufizoj në 2 aspekte. Në pjesën e parë ishim të qartë në sulm, shfrytëzuam dyshen sulmuese, dhe funksionuam perfekt. Mungesa e finalizimit na penalizoi. Patëm edhe një ndërrim të detyruar me Kardozon. Për rrjedhojë, nuk kisha shumë karta, tentuam, por pati një rënie. Edhe pse nuk kishim freskinë e pjesës së parë, tentuam të fitonim, por pësuam nga një gol në minutat e fundit, dhe Skënderbeu erdhi me pak lojtarë pa pretendime. Fati ishte në anën e tyre. Nuk e meritonim humbjen për atë që dhamë në fushë.

Kjo ishte një ndeshje që duhej fituar. Skënderbeu nuk kishte presion, luante lirshëm dhe janë komodë. Ne e dominuam takimin. Mund të dilnim me një pikë nga ky takim, që do na mbante moralisht lart, por fitoren nuk e morëm dot.

Unë kam besimin e klubit, ata mund të kenë një plan B, apo gazetarët. Deri në momentin e fundit që do jem në skuadër, do jap maksimumin për ta ndihmuar këtë skuadër. Nuk kam dashur të jem i padukshëm në një skuadër legjendare, por të lë gjurmë. Këto lajme nuk i bëjnë mirë klubit tonë. Kjo nuk më bën pesimist.

Ai mund të mos jetë projektuar për stolin, gjithsesi, unë do jap maksimumin deri në fund, për të arritur objektivin Europë. Do më vijë keq nëse nuk do jem në të ardhmen, pasi kam shumë plane në kokë, pasi nuk kam pasur mjaftueshëm kohë për të futur idetë e mia.

Ambiciet e mia kanë qenë gjithmonë të mëdha, pa shkelur në kallo mbi askënd. Unë kam qenë kërkues gjithmonë. Unë do vazhdoj karrierën time. Do dëshiroja të vazhdoja këtu, pasi kam 5 vite. Idetë e mia për një futboll ndryshe, do i bëja vetëm në një fazë përgatitore. Unë dua të luftoj dhe të jem gjithmonë protagonist.

Dua të theksoj se dëmtimi i Lukasit më kufizoi shumë. Kisha projektuar Bardhin për në pjesën e dytë, dhe shpejtësinë e tij do doja ta përdorja në pjesën e dytë. Do i jepja më shumë freski skuadrës në minutat e fundit. Përdora edhe Çanin, por nuk arritëm të finalizonim dot. Më vjen keq për diçka të tillë.

Rezultatet e tregojnë këtë, por ajo që treguam në pjesën e parë, nuk shënuam edhe pse krijuam shumë. Më duhet kohë të aplikoj ato gjëra që kam në kokë. Nuk ke kohë të bësh këto gjëra në kaq pak javë”, u shpreh Dalipi

Kurse trajneri i Skenderbeut Ilir Daja deklaroi:

Vuajtëm shumë për të marrë këtë fitore. Kjo edhe për shkak të mungesave dhe ngarkesës që kemi pasur gjatë javëve të fundit për arsye të kalendarit të ngjeshur. Me 14 pikë diferencë, tashmë mund të themi se me 99% jemi kampionë që sot.

Kundër Partizanit është gjithmonë një ndeshje e luftuar. Çdo fitore që kemi marrë gjatë javëve të fundit ishin në momentin e duhur.

Për aludimet për ndeshjen e Kupës ndaj Flamurtarit nuk kemi marrë ende një ndjesë. Ka disa studio që e ulin produktin e futbollit shqiptar, por sot dua të festoj dhe jo të merrem me këto gjëra.

Vila? Nuk ishte vetëm Krasniqi, por edhe Gripshi dhe Sahiti që mund të luanin nga fillimi. Por nuk doja që këta lojtarë me pak minutazhe në këmbë t’i vija në ngarkesë të madhe siç është ndeshja ndaj Partizanit.

Partizani kishte shumë dëshirë sot për të marrë fitore, ndaj ishte merita e lojtarëve kundërshtarë që na krijuan probleme.

Rinovimi? Nuk kam biseduar ende për rinovimin. Por, mua nuk më lidh kontrata në këtë punë. Në momentin që nuk bëj punën time mirë, atëherë e ruaj me fanatizëm pozicionin tim. Ndihem shumë mirë në Korçë.

Lojtarët që do të udhëtojnë drejt Nionit për seancën e gjyqit? Nuk më takon mua që t’i zbuloj emrat e tyre, por do të jenë mungesa me arsye”, tha trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje