Kukësi ka zhvilluar një stërvitje tepër të veçantë gjatë ditës së sotme. Të organizuar dhe të udhëhequr nga tekniku austriak Peter Pakult, skuadra e Kukësit ka zhvilluar stërvitje në bregdetin e Durrësit, ku janë zhvilluar edhe ndeshje brenda grupit.
I pyetur nga “Supersport”, Pakult tregon se kjo stërvite ka pasur si qëllim shkarkimin e ngarkesës psikologjike, ndërkohë që ka përgëzuar trajnerin e Skënderbeut Ilir Daja për grupin që ka formuar te Skënderbeu.
“Shkarkimi i ngarkesës psikologjike është shumë e rëndësishme në këtë moment. Nuk është ditë relaksi por një stërvitje e mirëfilltë. Duhet të hiqnim presionin nga skuadra dhe besoj se kjo ishte gjëja më e mirë. Nuk e cilësoj si neglizhim për ndeshjen ndaj Skënderbeut por një stërvitje normale.
Ndeshja me Skënderbeun? Për nga historia mund të konsiderohet derb9i, vendi i parë me të dytin. Është takim i vështirë por dua ti shtyj festën Skënderbeut. Dua të përgëzoj Dajën sepse ka një skuadër me shumë kualitete dhe po e menaxhon mirë situatën pas dënimit nga UEFA. Janë një skuadër që kanë punuar me vite së bashku duke krijuar një grup kompakt. Ne do të hyjmë në fushë me objektiv, shtyrjen e festës së titullit kampion me të paktën një javë.
Europa? Kemi edhe 6 ndeshje dhe shpresoj që të realizojmë objektivin që i kemi vënë vetes. Ende nuk e kam menduar grupin për Europën. Edhe pse jemi shkëputur shumë, ende nuk e kemi siguruar matematikisht Europën. Në momentin që do të na lejojë matematika, atëherë do të vazhdoj të mendoj për ato ndeshje”, u shpreh Pakult.