Kamza ka zyrtarizuar Pietro Vierchowod si trajnerin e ri për sezonin sportiv 2018-2019. Nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen zyrtare Kamza njofton se drejtuesit e klubit kanë gjetur marrëveshjen me trajnerin italian, i cili sot nënshkroi edhe kontratën me presidentin Naim Qarri, ndërsa prezent ishte edhe kryetari i bashkisë Xhelal Mziu.
59-vjeçari që ka fituar edhe Kampionatin Botëror me Italinë në vitin 1982, rikthehet në drejtim pas një mungese disa vjeçare. Edhe pse ai fitoi Kupën e Botës, mbrojtësi nuk luajti asnjë ndeshje me “axurrët” në atë Botëror për shkak dëmtimi.
KARRIERA SI TRAJNER – Puna si trajner ka nisur në krye të Catania-s në dhjetor të vitit 2001, por qëndroi deri në prill aty, para ndeshjes të ‘play-off’ që zhvilloi skuadra italiane në Serie C1. Më pas mori drejtimin e Fiorentina Viola, por nuk zgjati shumë eksperienca e tij me vjollcët. E shkurtër edhe aventura me Triestina në Serie B në vitin 2005. Për t’iu rikthyer sërish trajningut duhej pritur viti 2014. Qershor-tetor zgjati eksperienca e tij me hungarezët e Honved dhe tani kërkon një rinisje nga Superiorja në krye të Kamzës.
Si futbollist ai ka një karrierë të pasur, teksa ka luajtur 45 ndeshje me Italinë, duke qenë pjesë e skuadrës në dy Kupa Bote. Futbollin e luajtur e la në vitin 2000, pas një eksperience me Piacenza-n. Aty ai kalonte pas një aventure me Milanin. Me kuqezinjtë italiani u aktivizua në sezonin 1996-1997, ndërkohë që më parë kishte luajtur për Juventusi-n. Vierchowod është një nga mbrojtësit produktiv edhe në sulm, pasi ka arritur të shënojë 38 gola në Serie A. Pjesën më të madhe të karrierës si futbollist e ka kaluar te Sampdoria (1983-1995). Fiorentina, Roma dhe Como kanë qenë tre ekipet e tjera me të cilat ka luajtur në Itali, ndërkohë që karrierën e nisi me Romanese. Italiani e la futbollin në moshën 41-vjeçare.
Pietro ka qene nje lojatar shume simpatik por me se shoh nja 10 muaj paska qene trajner gjithe jeten e tij. Me 4 ekipe…
Me mire nje shqiptar i licensuar jashte se sa nje si Pietro.