Te Teuta është koha për pushim, por plani është që boshti i skuadrës së sezonit të ri do jetë me futbollistët kryesorë që mbyllën kampionatin e fundit.
Gjithashtu, parashikohet që të afrohen vetëm lojtarë që janë të aftë të bëjnë diferencën dhe e njohin mirë Kategorinë Superiore.
Drejtuesit kërkojnë të ndërtojnë një ekip me lojtarë shqiptarë për të mos përsëritur gabimet e sezonit të shkuar, ndërsa ambiciet sërish do të jenë të mëdha.
Nga skuadra e vjetshme, lojtarët më të rëndësishëm akoma nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre, edhe pse një pjesë e mirë e tyre janë nën kontratë.
Për të ndërtuar një cikël fitues, duhet një bosht ku të bazohesh, pasi nevoja për të pasur lojtarë që dinë të ruajnë ekuilibrat në dhomën e zhveshjes dhe në fushë është e madhe. Pra, kërkohet një ndërthurje mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë. Në këto sezone, te Teuta ka pasur shumë afrime dhe largime, shkruan Panorama Sport.
Lojtarë që vinin dhe ikin pa lënë gjurmë. Sezoni i fundit, pavarësisht pozicionit në klasifikim, mund të quhet i suksesshëm, pasi Teuta ka fituar disa lojtarë për të ardhmen dhe ku mund të bazohet projekti: Bojan Gjorgjievski, Ante Hrkaç, Esin Hakaj, Shpëtim Moçka, Xhonatan Lajthia, Arsid Kruja, apo edhe Amadu Latif. Një pjesë e tyre u afruan vetëm një vit më parë, por ama me paraqitjen e tyre kanë treguar se janë të denjë për Teutën. Kapiteni Çyrbja ishte lideri i bregdetarëve, por e ardhmja e tij është në ajër, pasi mesfushori i krahut ka disa oferta.