140-vjetori i lidhjes së Prizrenit, Bushati: Perspektiva jonë e përbashkët mbetet Evropa

10 Qershor 2018, 18:46Politika TEMA

Përmes një postimi në Facebook, ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka përkujtuar 140-vejtorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit. Bushati thotë se orientimi drejt të ardhmes është thellimi i demokracisë dhe i perspektivës të përbashkët europiane.

Statusi i plotë:

I madhi mësues Aleks Buda na kujton se në jetën e popujve, përgjatë rrjedhës së viteve e shekujve, ka ngjarje që vendosen para pyetjes: Nga duhet të shkojmë?

“Kësaj pyetjeje në një udhëkryq të madh të historisë, populli shqiptar i dha një përgjigje me themelimin e Lidhjes Shqiptare në Prizren me 10 qershor 1878, kur përfaqësuesit e kombit shpallën vendosmerinë e patundur për të luftuar për të drejtat kombëtare dhe i vunë themelet asaj organizate politike, e cila për tre vite me radhë udhëhoqi luftën e masave popullore për çlirim nga zgjedha shekullore e huaj, për mbrojtjen e trojeve të veta për bashkimin në një shtet të vetëm autonom e të njësuar kombëtar” shkruan ai.

Sot, në 140 vjetorin e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, e në të gjithë rajonin gjenden sërish para dilemës së madhe se nga do të orientojnë jetën e tyre politike, sociale e kulturore.

E përgjigja, e ndryshme për nga konteksti historik, por e njëjtë për nga vendosmëria e orientimi drejt të ardhmes është vetëm një: thellimi i demokracisë e i perspektivës tonë të përbashkët europiane, fuqizimi i shtetit të së drejtës, forcimi i indit përbashkues europian të identitetit tonë, janë jo vetëm angazhimi ynë, por edhe besa që duhet të lidhim mes vedi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje