Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi

25 Qershor 2018, 19:46Blog TEMA

Nga Ilir Hashorva

Duke ndjekur lajmet që japin pa pushim mjetet e ndryshme të informacionit në Shqipëri, njeriu humbet besimin te humanizmi dhe qytetërimi, humbet besimin tek e ardhmja e vendit të tij. Shqiptari sheh e dëgjon pa ndërprerje lajme vrasjeje, përdhunimi, vjedhjeje, grabitjeje të kryera nga njerëz të zakonshëm; sheh e dëgjon kacafytje e veprime të tjera banale të bëra nga gazetarë, opinionistë, komentatorë e gjithfarë njerëzish që dalin e japin moral në televizion; sheh e dëgjon parlamentin, ku ata që mbahen si njerëzit më të ditur e më vlefshëm, që paguhen e mbahen më mirë se cilido tjetër me paratë e këtij populli, veprojnë më keq se rrugaçët; sheh e dëgjon deklarata, dialogë e “batuta” injorantësh që paraqiten si perla zgjuarsie e mendimi; lexon tituj lajmesh të zakonshme dhe prej tyre të krijohet ideja se po kryhen ndeshje jete a vdekje midis kundërshtarësh; lexon komentet e lexuesve dhe sheh se të gjithë janë në luftë me të gjithë, edhe në rastet kur përmbajtja e shkrimit të gazetës, do të duhej të na bashkonte të gjithëve. Lexoni, për shembull, në qoftë se vazhdojnë të ndodhen në google, komentet e datës 23 qershor në gazetën “Tema”, që bëhen për jetën e Xherdan Shaqirit, të kosovarit-zviceran që i dha fitoren ekipit zviceran, të përbërë kryesisht nga shqiptarë, kundër Serbisë dhe do të bindeni. Të gjitha këto, e shumë të tjera si këto, krijojnë një atmosferë acaruese e pesimizmi, një atmosferë të humbjes së shpresës, një atmosferë mbytëse, një atmosferë që kontribuon në njëfarë mase edhe në përpjekjet që bëjnë shqiptarët për ikjen masive nga atdheu i tyre.

Megjithatë, tek tuk, ndodh që të paraqitet edhe diçka ndryshe, ndonëse nuk para përfillet nga lexuesit. Ata tashmë janë mësuar dhe dashuruar me lajme të trishta, me lajme të ashpra, me lajme përleshjesh, me lajme lufte, të cilat, u kanë hyrë si droga, dhe u kanë krijuar varësi.

Këto ditë, kur po zhvillohet kampionati botëror i futbollit në Rusi, gazta “Tema” on-line dha një lajm, shoqëruar edhe me video, që tregonte tifozët afrikanë senegalezë që, pas mbarimit të ndeshjes dhe boshatisjes së stadiumit (të pa drejtuar nga ndonjë ofiqar i lartë senegalez, i cili të donte të promovonte veten) të mos iknin si gjithë të tjerët, por të qëndronin për të mbledhur mbeturinat që kishin lënë në shkallët e stadiumit shikuesit. Çfarë veprimi qytetar! A mund të mendohet që të bëjnë shqiptarët e Evropës një gjë të ngjashme me këtë që bënë senegalezët e Afrikës? Nuk besoj. Dhe, mburremi pastaj e themi se jemi evropianë!

Po atë ditë, gazeta “Dita” on-line botoi një ndodhi në stadium para fillimit të një ndeshjeje. Ajo jepte pamje dhe shpjegime se si futbollisti spanjoll Piké u ul dhe kapi një zog i vogël që kishte mbetur në fushë para fillimit të ndeshjes. Pasi e kapi, e hodhi në ajër për ta bërë të fluturonte dhe të largohej nga fusha. Zogu fluturoi pak dhe ra prapë aty ku ishte. Pas tij, futbollisti tjetër, Isko, e kapi dhe e nxori jashtë fushës, në mënyrë që të mos e shkelte ndonjë pa dashje. Çfarë veprimi human! A mund të mendohet shqiptari të bëjë një gjë të tillë? Nuk e besoj. Qytetet e Shqipërisë, mund të jenë të vetmet qytetet në botë, ku nuk shikon zogj e pëllumba. Pëllumbat kanë frikë nga shqiptarët. Shqiptarët i vrasin ata!

Të dyja këto lajme, ndonëse u dhanë në gazeta të cilat janë të dalluara për paraqitje komentesh nga lexuesit e për komente të pa censuruara, nuk patën asnjë koment. A do të thotë kjo se lajme të tilla nuk i lexojnë shqiptarët, se këto lajme janë të pa rëndësishme për ta, se këto lajme nuk u bëjnë përshtypje? Them se po. Por, a do të thotë kjo se këto lajme janë të padobishme për ta? Jo, me siguri, përkundrazi, janë të vetmet lajme që janë të dobishme për ta.

Është vërtet trishtuese që mjetet e informacionit publik në përgjithësi nuk kanë leverdi, apo nuk kuptojnë se, përveç të tjerave, kanë edhe një mision edukues dhe pjesa e misionit të tyre edukues është e një rëndësie të jashtëzakonshme për pastrimin e atmosferës tepër ndotëse për psikikën e shqiptarit, të asaj atmosfere që prodhojnë segmente të caktuara të shoqërisë sonë, se edukimi përmes shembujve është edukimi më i mirë e më efikas se, sa më shumë lajme qetësuese dhe sa më pak lajme acaruese të japin, aq më mirë është për ata të cilëve u drejtohen. Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi që gati janë zhdukur.

7 komente në “Lajme të tilla na kthejnë besimin te qytetërimi dhe humanizmi”

  1. Arturi says:

    Djali im banon ne Detroit SHBA dhe afer shtepise rreth 100 m ka nje pyll ku shetit djalin e vogel qe kenaqet me ketrat e shumte ( mbase 56-60 ) qe luajne afer tij pa frike.
    Ne Shqiperi njk gjen dot asnje lepur maje malit se shqiptaret i shfarosin per te ngrene.Ne SHBA ka shtet dhe kulture.

  2. Goni says:

    Une besoj se veprimin e pare, ate te pastrimit te stadiumit vullnetarisht mbas ndeshjes nuk do ta beja per vehten time.
    Kurse veprimin e dyte, ate te largimit te zogut te vogel nga fusha e futbollit para ndeshjes do ta bente
    cilido njeri ne bote, qofte Ky dhe krinilel, qe do te hyjnte ne cdo fushe te planetit, biles ne cdo fushe fshati.
    KJO ESHTE BINDJA IME.

    1. Alban says:

      pse s’do e beje mer goni? apo te pelqen te rrish tek zhuli. komet me te zhvilluar si suedezet dhe japonezet i pastrojne hapesira aty kur vijne, por kombet prapambetura i duket vetja ‘shume te ngritur’ per te pastruar, primitivizmi ska brire.

  3. moni says:

    Te gjitha mire i the pervec pellumbave neper qytete. Pellumbat qe sheh neper qytete ne Evrope jane pellumba « rrugaçe » qe dikur i kane humbur ose jane lene te lire nga te zotet, e me pas jane shumiar ne gjendje te eger. Fakti qe vazhdojne jetojne ne qytet tregon qe qyteti eshte i piset dhe ka ushqim per ta. Gjenden me shumice neper qendra qytetesh ku edhe ushqimi eshte me i bollshzm per shkak te fluksit te njerezve. Dhe per bashkite dhe banoret e qyteteve jane shume problem se bejne pis, dhe e vetmja menyre per ti luftuar eshte vendosja e gjembave prej teli neper streha. Neper qytete te pastra si Monaco p.sh ku veshtire se gjen dot nje bisht cigare ne rruge nuk ka as pellumba dhe as pulbardha te cilat njelloj si pellumbat pushtojne qytetet bregdetare ne kerkim te ushqimit.

  4. Aldo says:

    Ilir shume i drejt shqetesimi dhe problematika qe shtroni ne shkrimin tuaj….po ketu normaliteti ka kohe qe ka mare fund….mire e thate..nuk ka me asnje zog….as zogjt nuk na duan me…madje kemi haruar si cicerijn ata…ahhhh…cfare koherash po jetojm…..lum prinderit tane sa mire paskan jetuar….ne haruam…zogjt….lumenjt e paster…detin e paster….ujin qe pinim nga cezma…..humorin e holle..qe benim me miqte..komshijte..te afermit..kur mblidheshim..sa nostalgji qe kam…jam 40 dhe kur erdhi leshkracia(demokracia) menduam kushedi..por…

  5. ERA says:

    Ska nevoje te them qe keni shume te drejte. Problemi qendron se nqs perqendrohemi me shume te veme ne dukje mangesite qe kemi si shoqeri (ne shqiptaret) , nuk kemi kohe te gjejme cila eshte arsyja thelbesore pse ne jemi katandisur keshtu.
    Mendimi im eshte ( thjesht nje mendim) qe arsyeja kryesore eshte goditja e madhe qe mori arsimi ne kete periudhe te stergjatur te trazincionit. Shkollat tona nga nje nivel shume te larte moren nje tatepjete te furrishme. Sa here qe shikoja humbjen e interesit te studentve per shkollim, humbjen e pergjegjesise se arsimtareve, humbjen e pasionit/dashurise qe kishin pedagoget per mesimdhenien, etj etj…aq here trishtohesha…E dija shume mire qe te gjitha keto do kishin pasoja te renda ne shoqeri. Nuk eshte vone, duhet investuar shume. Eshte bere nje dem i madh, por ka shpresa. Thjesht duhet ndergjegjesim.

  6. Alban says:

    Bravo! Shqiptaret duhet 1. te mesojne si te pastrojne , 2. duhet te mesojme te jemi te mire me qeniet me te dobta. Vetem keto do na benin nje komb te madh, dhe jo kombi cinik, injorant e dashakeqes qe jemi sot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje