Greqia nuk ka dyshime kur është fjala për t’i dhënë një dorë Gjermanisë në zgjidhjen e problemit të emigrantëve.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, tha se Athina është e hapur për një marrëveshje me kancelaren Angela Merkel për të pranuar azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania.
Para samitit të sotëm që mbajnë liderët e BE-së, kreu i qeverisë greke i ka thënë “Financial Times” se është i gatshëm për një marrëveshje speciale me Berlinin, me qëllim reduktimin e numrit të azilkërkuesve që arrijnë në Greqi dhe më pas nisen drejt Gjermanisë.
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë, brenda kornizës ligjore ndërkombëtare, që ta ndajmë barrën e emigrantëve dhe të mos rëndojmë vendet e vijës së parë, por edhe për Gjermaninë… sepse nuk është e drejtë që këta njerëz të shkojnë në Gjermani, nëse ne mendojmë se ky është një problem europian”, është shprehur Tsipras.
Një marrëveshje e tillë me Greqinë do të ishte një fitore e vogël për kancelaren Merkel, e cila gjendet nën presionin e aleatit bavarez, CSU, që i kërkon të vërë në zbatim politika më të ashpra për kufijtë.
Lideri i CSU-së, njëkohësisht ministër i Brendshëm i Gjermanisë, Hors Seehofer, ka propozuar kthimin mbrapsht të azilkërkuesve, nëse ata janë regjistruar në një vend tjetër të BE-së.
Me kërcënimin se do të dalë nga koalicioni me Merkelin, ai i ka dhënë kësaj të fundit kohë për të arritur një marrëveshje me vendet e BE-së në samitin që mbahet sot.
Tsipras është i bindur që kjo marrëveshje me Gjermaninë nuk do të ketë ndonjë impakt domethënës te Greqia, pasi jo më shumë se 100 emigrantë azilkërkues në muaj e kalojnë kufirin verior të saj.
Tsipras është shprehur se Europa ka çështje më të rëndësishme për të zgjidhur sesa ajo e emigracionit.
“Mendoj se dilema që kemi përpara është më serioze. Dilema është se çfarë lloj Europe duam ne në këtë moment”.
Përgatiti: Gazmira Sokoli