Dosja e tutorëve shqiptarë në Itali: Euro, drogë dhe prostituta luksi

10 Korrik 2018, 18:43Politika TEMA

“Shfrytëzim dhe favorizim i prostitucionit”. Janë këto akuzat në bazë të së cilave në orët e para të mëngjesit të sotëm (e martë) u arrestuan katër persona, tre burra dhe një grua, të gjithë shqiptarë.

Në burg kanë përfunduar një 29-vjeçare dhe dy 33-vjeçarë, ndërsa masa e arrestit të shtëpisë është dhënë për një prostitutë 28 vjeçare.

“Hetimet për rastin kanë nisur në 2016-n, pas kërcënimeve edhe me vdekje të marra nga disa prostituta që ka lejuar përshkrimin në një mënyrë të detajuar të fenomenit të kontrolluar nga një grup personash me origjinë shqiptare që lëviznin nëpër qytet”, siç shpjegoi shefi i policisë, Loris Petrillo.

Gjatë një konference për shtyp ai sqaroi se pas hetimeve të thelluara u zbulua se si dhjetëra gra të reja rreth të 30-tave (njëra prej të cilave mbushte 18 vjeç natën që u kontrollua) disa prej tyre të lidhura me të arrestuarit dhe të tjerat të sjella apostafat nga Shqipëria drejt trotuareve të Italisë, punonin për tutorët e arrestuar.

Një grup i rrezikshëm

“Në disa situata grupi i hetuar kishte ndërmarrë akte të dhunshme në drejtim të shqiptarëve të tjerë, edhe ata pjesë e aktivitetit të prostitucionit në zonën e Astit, me të cilët konflikti që kishin ishte ai për sheshet dhe zonat e zëna për aktivitetin e prostitutave”,- tha policia italiane.

Operacioni i policisë i koduar “New generation” mori emrin nga anglishtja pikërisht për faktin se bëhej fjalë për një grup të ri që kishte arritur të dominonte dhe të hiqte nga zonat e pushtuara prej tyre grupin e vjetër. Ata kishin arritur kështu të kontrollonin të gjithë rrjetin e prostitutave në këtë zonë.

600 euro në natë

Policia e Astit ka mundur të ndërtojë një skenë të zymtë të gjithë aktivitetit të prostitutave. Ato vepronin nga Savona deri në Alessandria, ndërsa paguheshin nga 500 deri në 600 euro në një natë.

Disa prej tyre prostituonin edhe në ambiente private. “Mbrëmjet kur puna e tyre bëhej më e madhe ishin ato të fillimit të javës, kur burrat, bashkëjetuesit janë të lirë nga angazhimet familjare”,- sqaroi policia.

Sipas hetimeve të policisë, gruaja e lënë në arrest shtëpie “ishte përgjegjëse për udhëzimin e vajzave që kishin ardhur nga Shqipëria dhe bënte të mundur përgatitjen e tyre për të dalë në rrugë”.

Gjashtë persona në kërkim

Policia e Astit bën me dije se për rastin janë në kërkim gjashtë persona të tjerë. “Disa prej tyre mësohet se janë në Shqipëri. Lëvizin vazhdimisht nga Italia drejt Shqipërisë ku kalojnë një pjesë të mirë të kohës. Aty ata shpërdorojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të fituara nga shfrytëzimi i prostitutave”,- sqaroi Petrillo.

Sipas tij, një rol të rëndësishëm në hetime kanë pasur edhe policet femra, me të cilat prostitutat e kanë pasur më të lehtë të shpreheshin dhe të tregonin mbi fenomenin e prostituimit në rrugë.(bw)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje