Botërorin e nisën me premtimin se do të ishin dy skuadra surprizë, me kuotat që u rritën shumë me kalimin e tureve, por duket se Anglia dhe Belgjika duhet të gjejnë ngushëllim tek medalja e bronxtë, apo ndryshe vendi i 3-të në këtë Botëror.
Nuk është e tepërt të mendosh që dueli i së shtunës është i padëshiruar për të dyja skuadrat, për vetë rrugën që kanë përshkruar për të arritur deri këtu.
Të shortuara në të njëjtin grup si Belgjika ashtu dhe Anglia kanë arritur të befasojnë. Diçka më shumë kanë bërë Djajtë e Kuq, pasi kanë mposhtur 3 luanët në grup dhe deri në gjysmëfinale erdhën me fitore, madje duke eleminuar Brazilin që shihej si favoriti për të fituar turneun.
14 golat e shënuar deri më tani, përbërja e ekipit por dhe variacioni i ndryshëm taktik bënë që belgët me të drejtë të shiheshin me një tjetër sy. Vetë lojtarët pas eleminimit nga Franca janë shfaqur të zhgënjyer dhe tashmë duhet parë nëse dueli i vendit të tretë mund të rikthejë entuaizmin për të luajtur një tjetër sfidë të nivelit të lartë.
Anglezët janë treguar më racional gjatë këtij Botërori megjithatë në gjysmëfinale shkuan me humbjen ndaj Belgjikës por duke thyer tersin e penalltive në duelin me Kolumbinë.
Ecuria e skuadrës së Southgeit zgjoi entuziazmin e një kombi të tërë, që pavarësisht eleminimit nga Kroacia sheh dritë në fundin e tunelit ku angelzët ishin futur prej vitesh.
Finalja e vogël që do të luhet në Shën Petersburg është për krenari por dhe një mënyrë ngushëllimi pas zhgënjimit të gjysmëfinaleve.