NATO dhe xhaxhai qё nervozon

13 Korrik 2018, 09:09Bota TEMA

Sjellja e presidentit të SHBA-së në samitin e NATO-s dëmton të gjithë, në radhë të parë atë vet, botën e jashtme, vendin e tij dhe po ashtu arritjen e qëllimeve të tij, mendon Max Hofmann.

Nga Max Hofmann

Shumë e kanë përjetuar një gjë të tillë: një xhaxha që nervozon kur shfaqet në çdo takim familjar dhe rrëfen gjatë gjithë ditës të njëjtën marrëzi. Ai si pjesëtar i familjes duhet të jetë i pranishëm në këto takime e askush nuk e merr më seriozisht atë. Por të tillë xhaxhallarë nuk kanë në dorë komandën jo vetëm ndaj arsenalit më të madh të armëve bërthamore, por edhe të ushtrisë më të fuqishme në botë. Ndaj ndër shtetet e NATO-s nuk mund të jetë kaq e thjeshtë.

E megjithatë Donald Trump tashmë ka arritur në atë të pikë sa të duket ndër partnerët e NATO-s ngjashëm si xhaxhai që nervozon. Si mund ta marrë atë p.sh. Gjermania seriozisht, kur ai në mëngjes prishgjakrat lidhur me blerjen e gazit në Rusi, pasdite pretendon, se të dyja vendet kanë “marrëdhënie shumë, shumë të mira” dhe natën shkruan një Tweet me nota negative, për ta lëvduar më pas Gjermaninë në konferencën përmbyllëse. Kësaj i thonë si të japësh kulaçin e kërbaçin.

Gjithmonë i njëjti avaz

Veç kësaj presidenti i SHBA-së pothuajse gjithmonë i bie fyellit me një vrimë. Ao ndonëse zbulon aspekte të reja, kur është fjala për NATO-n, gjithmonë i mëshon parasë. Aleatët e tjerë duhet të paguajnë si duhet, përndryshe…E çfarë përndryshe? Këtë ai nuk dëshiron ta thotë, por rubla, sorry, dollari duhet të rrjedhë. Edhe pse të gjithë kanë nisur qysh më 2014, pra përpara se ai të bëhej president, t’i shtojnë në mënyrë të dukshme shpenzimet për mbrojtjen. Verbërisht Trumpi vazhdon me të njëjtin avaz. Kryeministra si Angela Merkel nuk u mbetet tjetër veçse, të sinjalizojnë: Ne e kemi kuptuar këtë tani (e  jemi duke bërë diçka).

Të mos harrojmë këtu edhe të pavërtetat, që tregon ai për aktet e shpikura heroike të SHBA-së: Kontributi financiar i SHBA-së në NATO përbën 90%. 90 përqind të çfarë? Të buxhetit të NATO-s? Në të kuota e SHBA-së është pak më shumë se 20% dhe edhe në rastin më të mirë nuk ka asnjë kategori brenda këtij buxheti, ku SHBA-ja të mbulojë e vetme 90 përqind. E kush do ta dëgjojë më këtë Uncle Sam në një sfond të tillë? E saktë; askush. E pikërisht kjo ka filluar të ndodhë tani në NATO.

Trumpit po i del boja. Nisur nga mesazhet e përsëritura të tij partnerët e tjerë të NATO-s shumë shpejt nuk do ta dëgjojnë më atë. Sipas motos: Ne do të bëjmë çfarë të mundemi, nëse kjo nuk mjafton, atëherë largohu. Kjo do të thoshte fundi i aleancës, por Kanadaja dhe Europianët nuk do të lejojnë të vihen pafundëisht nën presion prej Trumpit. Kësisoj presionit të presidentit të SHBA-së do t’i humbiste efekti.

Edhe brenda vendit me sa po duket nuk po gjen më mbështetje kërcënimi i Donald Trump, se SHBA-ja mund të veprojë e mëvetsishme. Sepse edhe ndër zgjedhësit kryesor të tij vende si Gjermania dhe Britania e Madhe konsiderohen si aleatët më të ngushtë. Vënia e NATO-s në pikëpyetje do t’i largonte prej tij shumë nga këta zgjedhës. Ndaj Trump asnjëherë nuk flet për kuptimin ushtarak të aleancës, por vetëm për anën e biznesit. Në këtë fushë ai beson, qëndron dhe forca e tij. Dhe ankimi për “mos korrektesë” lë gjurmë tek zgjedhësit e tij.

Faturën do ta paguajë SHBA

Presidenti i SHBA ka vetëm një armë në arsenalin e tij: deklarata të bujshme. Kjo mesa duket ka ndihmuar, që partnerët e NATO-s të vihen në lëvizje duke i dhënë një përshpejtim rritjes së investimeve në ushtri. Por për të ardhmen kjo nuk është fare e përshtatshme. Kjo shkatërron pikërisht atë që ai ndoshta synonte të inicionte. Partnerët e aleancës nuk do ta harrojnë këtë. Nëse pas disa vitesh ata do të jenë të pavarur nga pikëpamja ushtarake ata do të kujtohen për këtë. Atëhere SHBA-ja (ndoshta përsëri pa këtë president) do të ndjejë pasojat e reputacionit të humbur prej Trumpit.

Edhe nëse amerikanët e brohorasin presidentin në turin e tij shkatërrimtar: Nuk mund të jetë në interesin e vendit, ajo që bëri Trumpi në samitin e NATO-s në Bruksel. Shumica e qytetarëve në SHBA do ta regjistrojnë, që më së voni tani askush nuk i beson më presidentit të tyre. Dikur në një të ardhme të afërt askush nuk do ta dëgjojë më atë. Njësoj si me xhaxhain që nervozon në festat familjare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje