“Shqipëria është e angazhuar të punojë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”.
Kështu deklaroi sot në Bruksel, Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.
Kryeministri Rama shprehu fillimisht mirënjohjen që vendimi i Këshillit në qershor ishte një vendim pozitiv.
“E di që nuk ishte i lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dritën e gjelbër për të filluar menjëherë punën përgatitore, që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “ka qenë vërtetë një zgjidhje shumë e mirë”. “Ka shumë rëndësi për ne që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultat të mirë, që kur të futemi formalisht në negociata të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt”, tha Rama.
Më tej, Rama u shpreh se Shqipëria është e angazhuar të zgjidhë sa më parë problemet e vjetra me fqinjët.
Ai informoi se javën e ardhshme në Tiranë do të vijë Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn për tu ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik në kuadër të punës përgatitore.
“Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës europiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”, tha Rama.
Rajoni, sipas tij, “ka bërë një proges të madh, por ka ende shumë për të bërë”. “Ne mbështetemi tek ju, tek udhëheqja juaj, te të gjithë në Bruksel, për të ecur përpara më me shpejtësi dhe për të arritur të gjitha rezultatet e nevojshme në këtë kohë shumë intensive, por të qenësishme për Shqipërinë”, shtoi Rama.
Donald Tusk: Mirëdita dhe më lejoni t’i shpreh mirëseardhjen time të ngrohtë, mikut tim të mirë, këtu në Bruksel, Kryeministër Rama.
Jam i lumtur që konteksti në të cilin po takohemi është si pozitiv, ashtu edhe premtues. Kanë kaluar vetëm pak javë, qëkur Këshilli vendosi të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë, në qershor 2019 dhe Komisioni ka nisur që tani punën përgatitore.
Ky është një vendim që ka qenë unanimisht i miratuar nga të gjithë krerët dhe qeveritë e BE-së. Ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa progresin e qëndrueshëm dhe të pakthyeshme në rrugën e reformave që ka bërë vendi juaj. Pa dyshim nuk do të kishte qenë i mundur edhe pa angazhimin tuaj personal dhe energjinë tuaj pozitive, prandaj shumë faleminderit Edi, keni bërë një punë të shkëlqyer.
Nuk kam dyshime që, nëse Shqipëria do të vazhdojë me këtë temp reformash, do të jetë në gjendje që të përmbushë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm, sepse vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të bëhet një anëtare e BE-së. Rreth kësaj, nuk ka dyshime!
Është shpresa dhe dëshira ime që të gjitha forcat pro perëndimore në Shqipëri të punojnë drejt të njëjtit qëllim.
Përpjekjet tuaja për të sheshuar divergjencat me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimin e Shqipërisë ndaj BE-së dhe ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Së fundmi, më lejoni të ritheksoj se Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një mik i BE-së në lidhje me sigurinë e migracionin, ku kemi një bashkëpunim të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Sot, gjithashtu biseduam dhe ramë dakord për nevojën për të rritur përpjekjet në lidhje me çrrënjosjen e migracionit të jashtëligjshëm në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit zoti President!
Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar të jem këtu me ju. Dëshiroj që pikë së pari të shpreh mirënjohjen time për vendimin e Këshillit që ishte një vendim pozitiv. E di që nuk ishte e lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dhe dritën jeshile për të filluar menjëherë punën përgatitore që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave. Kjo ka qenë vërtetë një zgjidhje shumë e mirë. Dëshiroj dhe njëherë t’ju shpreh mirënjohjen tonë të plotë.
Së dyti, ka shumë rëndësi për ne, që të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultate të mira, me qëllim që, kur të futemi formalisht në negociata, të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt. Në këtë drejtim, do të mirëpresim komisionerin Hahn në Tiranë javës që vjen, për t’u ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik, në kuadër të punës përgatitore.
Së treti, jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës europiane, shumë të angazhuar ndaj zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe siç ju thatë, kemi bërë progres të mirë dhe shpresoj ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, ku rajoni ka bërë një progres të madh, por sigurisht ka ende shumë për të bërë.
Ne mbështetemi tek ju, tek udhëheqja juaj dhe tek të gjithëve këtu në Bruksel, për të ecur përpara më me shpejtësi dhe për të arritur të gjitha rezultatet e nevojshme në këtë kohë shumë intensive, por shumë të qenësishme për Shqipërinë.
Faleminderit dhe njëherë! Më vjen keq për Poloninë që humbi në kampionatin botëror. (TemA)
Çdo shtet e korrigjon tokmakun Tusk.
Problemet me fqinjet duhen zgjidhur, por jo ne dem te vendit e ti neneshtroheni presioneve nga jashte.
Keshtu ju do te fitoni jo vetem perkrahje nga bashkombasit , por edhe respektin deri me sot te munguar nga te huajt perfshire edhe greket.
Ping-Pong!