Raphael Varane është një nga shtyllat e mbrojtjes së Francës, që ia ka dalë të “shkëlqejë” në Botëror, duke pësuar shumë pak gola.
Futbollisti 25-vjeçar i Realit të Madridit ka eksperiencë të mjaftueshme për të luajtur në nivele të larta dhe së bashku me Umtiti, kanë krijuar një barrierë të pakalueshme para portës së Lloris.
Gjithsesi francezët shpresojnë shumë pikërisht te prezenca e Varane sot, për të sjellë në Paris Kupën e Botës për herë të dytë, pas asaj të fituar në 98-ën.
Kjo sepse Raphael Varane mund të cilësohet fare mirë një “hajmali” në fushë, sepse ka luajtur në 10 finale dhe i ka fituar që të gjitha.
Natyrisht që të 10 finalet i ka luajtur me Realin e Madridit, ndërsa në Euro 2016, kur Franca dhe Portugalia diskutuan finalen e Europianit, Varane mungoi për shkak dëmtimi dhe “gjelat” u dorëzuan përballë portugezëve.