Lufta tregtare, FMN: SHBA do jetë humbësja më e madhe

18 Korrik 2018, 16:43Bota TEMA

SHBA-ja, që ka shtuar masat proteksioniste kundër partnerëve të saj, mund të jetë humbësja e madhe e luftës tregtare, theksoi sot FMN-ja që ka hartuar katër skenarë në përpjekje për të vlerësuar pasojat e konfliktit.

“Ndërkohë që të gjitha vendet do të jenë në fund më të dobësuara, ekonomia amerikane do të jetë më e ndjeshme sepse një pjesë e madhe e tregtisë së saj do t’i nënshtrohet masave hakmarrëse”, theksoi në një blog Christine Lagarde, drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMI), në sfondin e takimit të G20-s të Financave që do të zhvillohet këtë javë në Buenos Aires.

“Dhe një reduktim i PBB-së nuk do të jetë kostoja e vetme”, theksoi ajo.

Drejtuesja e institucionit të Uashingtonit arriti në përfundimin se një luftë tregtare do të shkaktonte vetëm humbje për SHBA-në.

Gjatë prezantimit të vlerësimit të fundit të ekonomisë amerikane në mes të muajit qershor, ajo përmendi konfliktin mes SHBA-së dhe Kinës, dy fuqitë e para botërore.

Maurice Obstfeld, krye-ekonomisti i FMN-së, është treguar shumë pesimist duke theksuar se tensionet tregtare përbëjnë kërcënimin më të madh afatshkurtër për rritjen botërore, në kuadër të publikimit të parashikimeve të aktualizuara për rritjen botërore.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka marrë këto muajt e fundit një qasje proteksioniste duke vendosur në çdo drejtim taksa doganore për dhjetëra miliardë dollarë mallra, kineze veçanërisht.

Partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, përfshirë Kanadanë, Kinën, Bashkimin Europian dhe Meksikën, janë kundërpërgjigjur duke njoftuar taksa doganore për dhjetëra miliardë mallra amerikane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje