INTERVISTA/ “Çfarë po hamë?!” Drejtori i AKU flet për sigurinë ushqimore: Pesticidet, abuzimet, higjena dhe paniku qytetar

20 Korrik 2018, 08:34Sociale TEMA

“Çfarë po hamë?!” Këtë pyetje na ndodh ta ngremë gjithnjë e më shpesh para se të konsumojmë diçka.

Pasiguria tek produktet ushqimore vijon të jetë prezente tek qytetarët të cilët në panik kërkojnë më tepër garanci.

Disa prej pikëpyetjeve që ngrihen në tryezat tona, i përgjigjet drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Agim Ismaili.

Në një intervistë për gazetën “TemA”, ai i bën thirrje komunitetit që të mos shqetësohen duke treguar monitorimet që po bën institucioni që drejton, penalizimet dhe situatën në terren.

Z. Ismaili! Ç’do konsumator sot para se të ushqehet, bën i frikësuar pyetjen: “Çfarë po hamë?!” Më lejoni të ngre po të njëjtën pikëpyetje…

Them që nuk duhet të kemi frikë sepse Shqipëria ka kapacitete dhe stabilimente prodhuese, përpunuese, transportuese gjithashtu shpërndarëse të produkteve ushqimore në të gjithë gjeografinë e vendit me standarde të plota që garantojnë siguri. Produkti shqiptar është i sigurt dhe shumë cilësor. Frika e konsumatorëve se çfarë po hamë është mbartur me reputacionin jo të duhur të institucioneve të kontrollit ndër vite, që kanë lejuar subjektet të konkurrojnë në mënyrë të pandershme duke mos zbatuar standarde dhe rregulla të detyrueshme, që në fakt janë jo thjesht kërkesa administrativo-ligjore, por janë protokolle shkencore -që pa asnjë ekuivok janë krime ushqimore.

Po por nuk mund të themi se ky panik që ka kapur qytetarët është pa baza…

Kjo është dhe lufta dhe përballja jonë e përditshme, për t’i detyruar tregëtarët të arrijnë standardet ose për ndryshe, për t’i eliminuar e asgjësuar nga tregu pasi kjo kategori subjektesh prodhimi/tregtimi është rreziku që bën që shumëkush ose një pjesë e konsumatorëve të kenë mëdyshje – ashtu siç e patët ju duke më bërë këtë pyetje.

Po ne qytetarët, nga ta kuptojmë që produktet e nxjerra nga tregu janë asgjësuar?

Çmoj me vend ta evidentojmë edhe një detaj se edhe vetë konsumatori mund të jetë aktiv për sigurinë e tij dhe përmirësimin e sistemit të sigurisë, jo vetëm duke denoncuar në AKU raste e dyshime, por edhe me një veprim të thjeshtë: të blejë vetëm produkte ushqimore me kupon tatimor – ky detaj i vogël e në dukje sikur thuhet për qëllime të fiskalizimit, në fakt për sigurinë ushqimore është determinant, pasi produktet me faturë e kupon tatimor domethënë se janë të gjurmueshme e për rrjedhojë të sigurta.

Dihet se sektori më problematik është ai i prodhimeve shtazore. Sipas raportimeve në media, vijohet të konsumohet mish dhe nënproduktete të qumështit nga bagëti të pavaksinuara që shpesh herë janë të sëmura, apo therjet dhe tregtimi janë jashtë standardeve. Pse s’është zgjidhur ende kjo situatë?

Unë mendoj se është parë vetëm gjysma bosh e gotës dhe nuk e them këtë për paradë suksesi por në baza reale dhe në shifra. Dua të them se është një realitet krejt i ndryshëm – ndryshe nga çfarë ka qenë më parë. Konkretisht, janë mbyllur mbi 100 thertore dhe janë kryer kontrolle në dyqane, njësi tregtimi apo magazina përpunimi. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë ka marrë një sërë masash transformuese për të gjithë shërbimin veterinar i cili në fakt ka qenë tërësisht inefiçient dhe në fund të fundit aty buron, aty është zanafilla dhe nisja e të gjitha këtyre problemeve.  Të gjithë këto segmente do të unifikohen dhe padiskutim që situata do kalojë në një nivel shumë më të lartë kontrolli dhe e gjitha kjo në favor të sigurisë për konsumatorin.

Nënproduktetet e qumështit duket se nuk kanë kontrollin e duhur ku mjaft kompani abuzojnë. Si po e monitoroni tregun që prodhimet me nisheste apo metoda të tjera të mos shkojnë tek konsumatori?

Gama e veprimtarisë dhe punës së AKU-së është shumë e gjerë dhe jemi përpjekur që të impaktojmë në çdo sektor që lidhet me ushqimin. Padyshim që produktet shtazore përfshirë edhe qumështin duke qenë se janë më riskoze kanë pasur dhe kanë tërhequr vëmendjen më të fortë. Kontrolli është shtuar ndjeshëm, madje e kemi implementuar si risi formën e sensibilizimit përmes vetëkontrollit. AKU i ka dërguar letra/shkresë të individualizuara të gjithë subjekteve. Kjo metodë ka dhënë shumë rezultat dhe vërtetohet lehtësisht nga të dhënat statistikore.  

A mjafton vetëm kaq?

Veç inspektimeve e sensibilizimeve, në bashkëpunim edhe me ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare) kemi rritur numrin e analizave laboratorike të produkteve me qëllim që të vërtetojmë me provë të plotë moskonfirmitetet e produkteve. Këto masa shumë planëshe, kanë impaktuar fuqishëm tek vetë subjektet, të cilët përveç investimeve për përmirësime strukturore të stabilimenteve/njësive kanë rritur numrin e analizave të autokontrollit madje ka dhe raste që po forcojnë kapacitetet e minilaboratorëve në stabilimente të tyre me pajisje për analiza.

Pesticidet janë shndërruar në një kërcenim serioz për konsumatorët. Gjatë këtyre muajve kemi parë që rrjetet sociale janë bërë si “kuti ankesash” ku kryesisht denoncohen fruta-perimet. Çfarë po ndodh? (E theksoj prodhimet që jepen për tregun vendas)

Në lidhje me pesticidet, parimisht janë rrezik e kërcënim serioz për konsumatorët por duhet të themi se perceptimi për rrezik nuk është në sinkron me shkallën e problemit. Shqipëria ka pasur rritje të lartë në eksport këto vite, kryesisht në fruta-perime që do të thotë se malli jonë është konform kritereve. Sigurisht që nuk po them se problemi nuk ekziston, ose nuk duhet verifikuar. Nga ana e Ministrisë së Bujqësisë po bëhet një reformim e strukturim i fortë në Drejtoritë e Bujqësisë dhe do administrohet edhe më fort çështja e pesticideve.

Ju keni njoftuar se keni ndërmarrë disa aksioni për sigurinë ushqimore. A po penalizohen fermerët dhe tregtarët edhe për abuzimin më të vogël?

Së pari dua të sqaroj se nuk kemi ndërmarrë asnjë aksion. Fjalën aksion unë e kuptoj si një dallgë e cila natyrisht mbaron një ditë dhe gjithçka kthehet siç ishte.  Ne kemi marrë masa për të pasur eficiencë në inspektime, eficiencë në struktura. Me efiçencë kuptojmë që kontrollet të mos jenë sa për të kaluar radhën, të mos jenë selektive e tendencioze, aq më tepër të mos jenë të shoqëruara me akte korruptive. Kjo efiçencë duket sikur është aksion por në fakt është vetëm standardi i ri, që është kërkesë e qeverisë. Ne mbikëqyremi fort nga MBZHR-ja por dhe mbështetemi për të kryer këtë punë me standard të ri, pra nuk është aksion.

A po penalizohen fermerët dhe tregtarët edhe për abuzimin më të vogël?!

Ne nuk kemi punë fare me fermerët, kemi me tregtarët, me OBU-të(Operatorët e Biznesit Ushqimor) që konstatojmë me shkelje. Natyrisht që përcaktimi i kontrolleve është sipas riskut dhe është komponent i riskut edhe sa treg ke, sa impakton në treg. Megjithatë përgjigjja e drejtpërdrejtë do të ishte jemi të detyruar me zbatuar ligjin, i cili parashikon edhe sanksione. Ligji për shkelje të vogla ka parashikuar edhe paralajmërime, të cilat i kemi me shumicë.  Pra, ka një numër shumë të lartë paralajmërimesh ndaj subjekteve për shkelje të vogla/lehta. Nëse ka shqetësime ose  probleme i ftoj qytetarët/subjektet që t’i adresojnë këto shqetësime dhe natyrisht ne jemi këtu me vullnetin maksimal për të dhënë përgjigje për çdo rast.

Shohim që gjithnjë e më tepër ndalohen tonelata mishi të pakonsumueshëm në dogana. Si duhet ta kuptojmë këtë: Më parë s’ka pasur kontroll të fortë dhe kalonin kontejnerët lehtë apo vetëm tani janë shtuar kaq shumë importimet nga jashtë?

Nga pikëpamja statistikore importet janë në të njëjtin trend si më parë, pra nuk është se janë shtuar importet, ndërsa në lidhje me rastet që janë bllokuar mish i kontaminuar në kufi, siç ju thashë është rritur efiçenca e kontrollit. Ne jemi përpjekur që të “kurojmë” çështjet korruptive, me një veprim shumë të thjeshtë, duke i dhënë fund kulturës së pa ndryshueshmërisë. Ka pasur disa raste kallëzimesh penale për punonjësit e AKU-së dhe do vazhdojë sërish kur të konstatohet, pa asnjë hezitim.

Dhe pyetja e fundit më lejoni t’ju pyes si qytetar: Ju vetë, ndjeni panik për ç’ka hamë apo jeni i sigurt?

Nuk ndjej aspak panik. Konsumoj produkte vendi dhe përtej seriozitetit i shijoj shumë dhe dua t’i konsumoj pafund. Aktualisht jemi në sezonin veror/turistik, kur temperaturat janë të larta dhe volumi i tregtisë rritet shumëfish, atëherë planet e masat e AKU-së bëhen më të përforcuara dhe për këtë kemi përgatitur një plan veprimi të posaçëm.

7 komente në “INTERVISTA/ “Çfarë po hamë?!” Drejtori i AKU flet për sigurinë ushqimore: Pesticidet, abuzimet, higjena dhe paniku qytetar”

  1. Tom says:

    Nuk ka profesioniste ky vend? Zoteria nuk ka lidhhe fare me kte pune. Si kudo ne Shqiperi ….. o Halim ore Halim

  2. shea says:

    i thoni ketij zoterie se qe te fillosh pun te keta duhet paguar e ato lek duhen zevendesuar ,ata i nxjerin nga subjektet qe gjasmi kontrollojn, kush nuk paguan gjobitet kaq e thjeshte eshte sepse ne keto qendra jan punesuar vetem militant partie

  3. Damiani says:

    Ti e ke ndrit….Ti po qe ke bere mrekullira. Katunar

  4. Tr says:

    Lexova tre pyetjet dhe pergjigjet e para…u revoltova,shava,mallkova.
    Çfare te kontrolloje kosumatori kur produktet origjinale( p.sh. me qumesht natyral) jane ne te njetin raft me produktet jo natyrale??????
    Çfare te kontrolloj une kosumatori kur 90%te produkteve nuk shkruajne shqip?????
    Çfare te kontrolloje konsumatori kur vaji kirik nuk shpjegohet???…ka vaj kikirik ” bluarje” e pare,vaj i ricikluar,vaj i perzier,e.t.j.
    Ku ,ne ke shishe vaj i detyroni tregetaret ti shkruajne???
    Ne çfare produkti gjejme 100% informacion qe gjen nje qytetar i b.e-se???
    Ne ke??? O ju shke.dhevte kina.

  5. Moj shqipni e mjera shqipni says:

    Ik mor mashtrus. Hajdut si ata qe te drejtojne je dhe ti.
    Do zoti te ze ndonje semundje e nuk sherohesh kurre nga ato qe ha. NA THUA DHE NUK KA VEND PER PANIK !

  6. nje mut po hani dhe shani seç kemi ngren me par says:

    POhani ate qe keni mbjell po jetoni te lumtur.

  7. nje mut po hani dhe shani seç kemi ngren me par says:

    PO hani ate qe keni mbjell po jetoni te lumtur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje