"Nami" në Drejtësi: DSIK gjeti 200 gjykatës e prokurorë me kontakte me krimin

20 Korrik 2018, 08:53Politika TEMA

Nga 800 gjyqtarë e prokurororë të cilët po i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, 200 janë cilësuar paraprakisht të papërshtatshëm nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Informacioni u bë publik nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pas një përplasje ligjore me DSIK për transparencën e të dhënave.

Nga Vladimir Karaj 

Paraprakisht Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka identifikuar se nga 800 subjekte të vetingut, 200 prej tyre kanë pasur kontakte me “krimin e organizuar, korrupsionin, në formën e një takimi, komunikimi elektronik apo çfarëdolloj mënyre tjetër takimi të qëllimshëm që nuk është na pajtim me ushtrimin e detyrës”.

Shifrat u publikuan nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit (KShH), pas një vendimi të Gjykatës Administrative për të detyruar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) të lëshonte informacionin e kërkuar nga KShH si e dhënë publike.

Sipas njoftimit për shtyp të KShH, DSIK  ka “dalë në konkluzionin për papërshtatshmëri për vijimin e detyrës për 200 subjekte rivlerësimi nga 800 në total”.  Ajo i bëri me dije KShH-së se kryesisht bëhej fjalë për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, apo korrupsion. “Asnjë subjekt i konstatuar me kontakte të papërshtatshme nuk është vlerësuar si i përshtatshëm nga ana e DSIK për vazhdimin e detyrës”, thuhet në njoftim.

DSIK bashkë me Inspektoratin  e Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), konsiderohen institucione ndihmëse të vetingut. Ato bëjnë një vlerësim paraparak të subjekteve të rivlerësimit, të cilin ia vënë në dispozicion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili sidoqoftë bën hetimet e tij dhe vlerëson ose jo informacionin e marrë.

Në shumicën dërrmuese të rasteve në proceset e zhvilluara deri tani që kanë rezultuar me shkarkim, raportet e DSIK dhe ILDKPKI ka qenë pozitive dhe shkarkimi ka ardhur vetëm pas hetimeve të vetë komisionit. Megjithatë deri tani të paktën në 6 raste shkarkimi është vendosur edhe bazuar mbi pastërtinë e figurës. Megjithatë vendimi i KPK-së për papërshtatshmëri në rastin e Admir Thanzës u mor duke mos u bazuar në raporti e DSIK, por në informacionin e marrë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Po ashtu në rastin e gjykatësit Artan Zeneli ishte KPK që i kërkoi DSIK-së të rihetonte dosjen, pasi më herët e kishte cilësuar të përshtatshëm. Ndërkohë papërshtatshmëri u gjet edhe në rastet e gjykatësve Gani Dizdari, Tom Ndreca dhe prokurorit Adriatik Cama.  Në një rast kur DSIK i dërgoi KPK një raport negativ për një gjyqtarë duke e konsideruar të papërshtatshëm, raporti i tyre u rrëzua pas hetimeve të vetë Komisionit.

Në njoftimin për shtyp KShH e thekson faktin se “të dhënat e ofruara nga organet ndihmëse, duke përfshirë ato të DSIK-së nuk janë të detyrueshme për institucionet e rivlerësimit”. Ndërkohë KShH bëri me dije se vënia në dispozicion e informacionit u bë vetëm pasi Gjykata Administrative vendosi në favor të Komitetit, duke lënë në fuqi një vendim të 5 shkurtit të Komisionerit për të Drejtën e Informimit, që i konsideroi këto të dhëna si publike.

Në njoftim KShH thotë se “pavarësisht vonesës në zbatimin e këtij vendimi, informacioni i vendosur së fundmi në dispozicion nga DSIK ka aktualitet dhe rrjedhimisht interes për publikun”.

Po ashtu Komiteti Shqiptar i Helsinkit këmbngul në zbatimin e “ligjit për të drejtën e informimit në kuadër të vetingut” duke theksuar se kjo ndihmon në në rritjen e besimit të publikut te procesi.(birn)

9 komente në ““Nami” në Drejtësi: DSIK gjeti 200 gjykatës e prokurorë me kontakte me krimin”

  1. Kombi says:

    MAFIA ESHTE GJITHMON LART .

  2. Frok Martini says:

    PSE nuk dinit??? Ku I bene gjithe keto pasuri .me roga 70mije lekeshe, llogaria eshte e thjeshte, nje emigrant, met nje robe mujore sa pesfishi I ketyre dhe mezi mbledh pese mine dollare ne vit, a there, keto hajdut, qe lirojnekkriminelet dhe denojne te pafajshmit duhen derguar Ku e Kane vendin dhe sekuedtro pasurise se vjedhur, po ju mjaftoheni qe te largohet vetem nga drejtesia dhe te jetojne te qete me parate e vjedhura, se te tille jeni te gjithe hajdute dhe kriminele te vendit tuaj.

  3. Shvejk says:

    Duhet te fillije urgjentisht vetingu per mafiozet. Kush shoqerohet me gjykates apo prokuror Shqiptar, nuk ka me te drejte te jete mafioz.

    1. Grigor says:

      I madh je. Me nje stil te vërtetë Shvejku, që edhe vete Hasheku do ta kishte zili.

  4. Shemia says:

    Pastrimi i kesaje lere te grumbulluar prej destabilitetit te shumezgjatud, eshte clirimi i trete i Shqiptarit.

  5. ben says:

    Vetem 200?
    Paskemi qene mire me vetem 1 te katerten e legenave te drejtesise te lidhur me krimin.
    Po tre te katertat e mbetura si do justifikojne pasurite qe kane vene …???
    E verteta eshte se me perjashtime shume te vogla, shumica jane te lidhur me krimin, pasi po e ule veten qe te marresh para per vendimet qe merr, me siguri do behesh vegel e krimit.

  6. Ben says:

    As mos mendoni se do vihet drejtesia e plote ne kete vend.Pse?Se jane te shumte ne numer.Me pak hetim ne pak kohe shiko ca shifre doli.Po ne realitet sa ka qe jane perlyer me krime?Po ne politike?
    Prandaj,kur jane 5 a 6 i behet dermani,por kur jane me mijera,ne 3mil banore,gjerat i rregullofte Perendia,se njerezit ketu thjesht kane humbur respektin per ligjin dhe friken nga ai.

  7. vaso says:

    D.m.th 200 kriminele ne organet e drejtesise,te cilet do vene ku tani?
    Do na lene rehat keta te pastrojme vendin?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje