Shansi që po humbim: Durrësi po humb shkëlqimin, ja si po i largon turistët infrastruktura

28 Korrik 2018, 12:40Turizëm TEMA

Hotelet dhe tur-operatorët raportojnë për një rënie të rezervimeve për këtë sezon turistik veror në Durrës, me përjashtim të atyre që operojnë me kontrata. Administratorët tregojnë se arsyet janë nga më të ndryshmet, por kryesisht lidhen me motin, një luhatje të lehtë të çmimeve me tendencë në rritje dhe infrastrukturën e dobët.
Vetë turistët që kanë mbyllur pushimet në Shqipëri për këtë vit vlerësojnë pozitivisht hotelet, por negativisht pjesën jashtë tyre. Maqedonia, nga ana tjetër, ia ka dalë që të bëhet vendi me paketën më të shitur të tureve njëditore te turistët e huaj që vijnë në Shqipëri. Edhe këtë vit, vendi ynë po përpëlitet mes interesit të turistëve dhe ofertës së vakët të paketave plus, që shkojnë përtej një shezlongu.

Nga Nertila Maho

Mund të jesh fare mirë duke ecur në rrugë, i shkujdesur dhe i relaksuar sepse në fund të fundit je me pushime por kujdes, mos e humb vigjilencën, pasi mund ta gjesh veten në fund të një pusete. Ky ishte një nga episodet që na tregoi administratori i një hoteli në Malin e Robit në Durrës, ku një turisti të huaj iu desh ndihma e disa personave aty rrotull për të dalë nga puseta ku përfundoi, e lënë hapur për shkak të investimeve përgjysmë. Sipas hoteleve në këtë zonë, investimi në rrugën nga Mali i Robit në Golem është nisur, por është lënë i pazbatuar ndërkohë që pusetat e ujërave të bardha janë lënë pa kapak, duke u kthyer në rrezik potencial për këdo, jo vetëm për turistët.

Infrastruktura vijon të mbetet pika më negative në gjithë renditjen që bëjnë tur-operatorët, administratorët apo menaxherët e hoteleve në zonën e Golemit. Një vit më parë, Durrësi u konsiderua si “Hirushja” e sezonit turistik veror me prurje të larta turistësh nga Polonia, Çekia, Ukraina të cilët, përmes agjencive të tyre, kishin rezervuar paketa “all inclusive” (të gjitha të paguara) dhe “bed and breakfast” (shtrat dhe mëngjes), por sezoni turistik veror 2018 nuk duket të ketë shkëlqimin e atij të një viti më parë dhe arsyet janë nga më të ndryshmet. Sipas tur-operatorëve, sot, përveç hoteleve që punojnë me kontrata me turistë të huaj kryesisht çekë, polakë, ukrainas, finlandezë, norvegjezë, pjesa tjetër shfaqen dobët lidhur me rezervimet e bëra deri në korrik.

“Një pjesë e mirë, për shkak të motit por edhe gjithë atyre problemeve që kemi thënë herë pas here, nuk kanë pasur rezervime. Krahasuar me vitin e kaluar, situata është më keq. Nuk e dimë sesi do të jetë gushti, por qershori dhe korriku paraqiten dobët. Shumica e hoteleve kanë punuar një ditë në javë, që i bie fundjavave kryesisht”, – shprehen tur-operatorët në lidhje me ecurinë e rezervimeve.

Hotelet: Ka më pak rezervime, çmimet dhe si na ndikon kursi

Hotelet në zonën e Golemit në Durrës, por jo vetëm, shprehen se viti 2018 nuk duket të jetë shumë pozitiv për biznesin e tyre.
“Këtë vit, për shkak të motit, ku qershori ishte kryesisht me shi nuk ka pasur shumë rezervime. Njerëzit janë të prirë të vijnë në plazh në momentin që koha është e mirë. Ndaj një pjesë të kësaj situate të vakët ia faturojmë kohës.

Por edhe çmimet, me sa kemi parë, janë rritur këtë vit nga 5-10% në një pjesë të mirë, çka mendoj që ka shërbyer si faktor frenues. Sigurisht që kur paguhet më shumë, kërkohet që gjithçka të përmbushë standardet, por hotelet këtë po e bëjnë në mënyrë graduale.

Ndikim tjetër ka pasur edhe ky efekti i kursit të këmbimit lidhur me euron, pasi ata që vijnë të pushojnë, prurjet i kanë në këtë monedhë, por shpenzimet i kanë në lekë dhe, deri diku, i bie që kanë pushime më të shtrenjta”, nënvizon Endriti administrator i hotelit “Ylli i Detit” në Golem.

Të njëjtën situatë raporton edhe administratori i “Klajdi Resort” te Mali i Robit. Ai nënvizon se ky vit duket të jetë disi më pak optimist se 2017-a, pasi rezervimet kanë qenë të ulëta. “Ne kemi operuar me agjenci dhe kemi kryesisht të huaj, por rezervimet sigurisht në raport me një vit më parë janë më të pakta. Moti ka pasur ndikimin e vet, por duket se përveç tij ka edhe një rënie të konsumit. Pra edhe ata që pushojnë parapëlqejnë që të shpenzojnë më pak. Përgjithësisht, çmimet nuk kanë ndryshuar. Gushtin e presim më mirë, kurse për korrikun ende s’mund të bëjmë një bilanc por, më mirë se vjet, nuk jemi. Shtetas nga Kosova ka më pak sërish, që dikur kanë qenë pjesa dominuese. Turistët duan kushte, ndërkohë që infrastruktura që ne kemi është problematike. Janë bërë punime dhe janë lënë përgjysmë. Mezi kemi nxjerrë nga puseta një turist të huaj që ra brenda. Janë pusetat e ujërave të bardha që janë lënë pa kapakë, ndërkohë që rruga është e pashtruar, pasi është lënë përgjysmë”, shprehet Klajdi administrator i “Klajdi Resort”.

Infrastruktura problematike

Turistët duan kushte, ndërkohë që infrastruktura që ne kemi është problematike. Janë bërë punime dhe janë lënë përgjysmë. Mezi kemi nxjerrë nga puseta një turist të huaj që ra brenda. Janë pusetat e ujërave të bardha, që janë lënë pa kapakë, ndërkohë që rruga është e pashtruar, pasi është lënë përgjysm

Por duket se në zbehjen që është shkaktuar kryesisht nga moti ka edhe nga ata që vlerësojnë se bilanci i tyre është më i mirë se ai i një viti më parë. Administratori i “Hotel Palma” në Durrës tha për “Monitor” se këtë vit ka punuar me agjenci dhe me kontratë paraprake. Viti i kaluar ishte një kontratë njëvjeçare, që këtë vit është përkthyer në një kontratë 3-vjeçare sepse polakët kanë mbetur të kënaqur. “Ne jemi mirë deri tani, sepse kemi punuar me agjenci dhe me kontrata.

Kemi pasur rezervime nga qershori dhe i kemi të parashikuara deri në shtator. Përgjithësisht kemi ofruar paketë ‘all inclusive’ dhe deri tani, turistët kanë qenë të kënaqur. Nuk kemi pasur probleme me sigurimin e kësaj pakete. E vetmja gjë nga e cila jemi ndikuar ka të bëjë me kursin. Gati 10% na ikin me ndikimin që jep kursi i këmbimit”, shprehet administratori i “Hotel Palma”.

Nisin përshtypjet e para të turistëve, çfarë u ka pëlqyer dhe çfarë i ka zhgënjyer

E mira e rezervimeve online kryesisht në Booking por, jo vetëm, është që mund të ndihmohesh edhe nga të tjerët me përshtypjet për hotelin ku ke qëndruar. Tashmë kur ka kaluar gati gjysma e sezonit veror, kanë filluar edhe përshtypjet që lihen në faqet e hoteleve shqiptare. Disa janë entuziastë dhe u ka pëlqyer hoteli dhe Shqipëria, të tjerë janë të zhgënjyer. Boris nga Zvicra, thotë: “Mungonte kafeja dhe mëngjesi, duhet të qëndroja tre net, por qëndrova vetëm një. Kishte fije floku të gjatë te dushi dhe ta mendosh që unë jam pa flokë”.
Ellen L. ka bërë një koment të gjatë mbi përshtypjet e saj pas një qëndrimi në Golem. “Jemi një familje me dy fëmijë, 7 dhe 4 veç, që kemi udhëtuar nga Oslo drejt Shqipërisë.

Së pari, Shqipëria është e re me turizmin ndaj përgatituni dhe mos prisni shumë. Nuk ka shumë çfarë të shihni jashtë hotelit. S’ka restorante (na u desh të hanim në hotel për një javë rresht), ka pak infrastrukturë dhe zona është e ndotur. Të paktën në zonën përreth hotelit. Ka më shumë për të parë nëse shkoni në Durrës, por duhet të merrni taksi dhe është 30 minuta larg dhe imagjinoni që ne, me dy fëmijë, nuk e shihnim si shumë komode.

Nuk prisja që Bregdeti i Durrësit të ishte kaq shumë i pazhvilluar dhe fjala Rivierë është jashtë këtij konteksti. Të mos ju shkojë për asnjë moment në mend se ka lidhje me Rivierën franceze. Por, hoteli është i ri dhe shumë i bukur. Për ata që janë të interesuar për sigurinë nuk ka alarm zjarri në dhomë. Muzika që luhet gjatë gjithë ditës është e lartë, nuk ka menu të veçantë për fëmijë dhe as karrige për ta”.
Leffeilanen, nga Suedia, jep përshtypjet e tij për hotelin ku ka qëndruar të cilin e vlerëson pozitivisht, si për sa i përket shërbimit edhe lehtësive që ofrohen. Plazhi cilësohet i mirë, me rërë të pastër dhe det me shumë pak dallgë.

11 komente në “Shansi që po humbim: Durrësi po humb shkëlqimin, ja si po i largon turistët infrastruktura”

  1. Kuq e zi says:

    Nga durrsi ne qerret bregdeti eshte shkaterruar nga ndertimet “gjith secili per llogari te vet” jo nga investimet e munguara
    Napoli eshte nje nga qytetet me te bukura ne itali por ne skampia dhe lagjet spanjolle askush shkon per pushime
    Pra qe te shpetohet bregdeti durres qerret duhet te shemben 30% e ndertimeve ku do ndertoheshin rruge te gjera dhe te drejta parqe kende lojrash etjer
    Jo qe gropa mutit te hotelit te radhes se pare te jete para hyrjes se hotelit se radhes dyte
    Apo ne rast zjarri zjarrfiksi ta fike zjarrin me shurre se kamioni ska shanse kurkund

  2. Glaukias says:

    Kulmi i hipokrizisë ? Kur ankohen ndërtuesit/zaptuesit se nuk kanë infrastrukturë ! Kanë zaptuar, jo vetëm tokën e plazhin por edhe detin, e duan infrastrukturë. Të falin pak nga toka që kanë rrethuar me kangjella apo mure, që të ndërtohet rruga, apo për rrugën tokën duhet ta fali tjetri ? Faji i politikanëve që i legalizuan ato hotele …

  3. elisa says:

    ZONA BREGDETARE NGA TEUTA E DERI NE QERRET I DUHET VENE DINAMITI,,,?PO FLAS PER NDERTIMET,,PALLATET NE KRAHUN E DJATHTE TE RRUGES TE PLAZHIT ,,,DUKE PERJASHTUAR VETEM ADRIATIKUN,,APO NDONJE HOTEL TE BUKUR,,,DHE ATY TE NDERTOHEN RESORTE ME 40M DISTANCE NGA NJERA TJETRA….DISTANCA DUHET PER TE QARKULLUAR AJRI,,,DUHET TE BEHEN KETO RREGULLIME QE TE RRITET VLERA E HOTELEVE,,,DMTH ,CMIMI PER NJE NATE FJETJEJE,,,,,PO NUK E BEME KETE CMIMI DO JETE SI NE BATHORE,,,Dhe TURISTET DO LARGOHEN….DURRESI KA RENE NE DORE TE ZULUVE ,,,,,DURRESI DUHET TE VIHET NE VARESI TE PLOTE TE QEVERISE..

    1. iliret says:

      1000% dakord plazhi por dhe qyteti ne cdo lagje ka nevoje urgjente pe plane urbanistike bashkohore ku te kthehen identitetet me pozitive duke shkulur nga themelet cdo abuzim e abuzues kushdo qofte dhe krimi ndaj mjedisit te konsiderohet nga me te rendat per shoqerine me denimet me te ashpra qe te zhduket nje here e mire kjo e keqe me shume pasoja deri psikollogjike per qytetarin shqiptar mbroni mjedisin

  4. thanas mustaqi says:

    Nga ana profesionale, shkrimi është tejet mediokër, pasi ka vetëm ankesa pronarësh dhe ndonjë episod. I mungojnë shifrat për të bërë krhasimin në raport me vitet e kaluara. Pronarët duan t’i bien qylit në shtet dhe për infrastrukturën brenda rezorteve. Është dhe një antireklamë ndaj Durrësit në pikun e sezonit turistik.

    1. ilir detari says:

      Keni apsolutisht te drejte z mustaqi .gazetarja maho edhe pse ne fakt profesioniste ezo ja e monitorit vazhdon te beje politiken e atyre qe e paguajne ne monitor ose ne rastin me te keq eshte tyryfycke nga mendja

  5. jani says:

    URgjent te ndalohet ndertimi I cfaredo gjeje ne durres,,,,,,shikoni sa eshte vlera e nate ne hotel ne durres dhe e kupton SE duhen marre masa,,,,koha nuk pret….qeveria te nderhyje PARA se he behet MUTI mullar…

  6. raul says:

    cfare pret per nje bashki me 4 nenkryetare qe luajne taull gjithe diten dhe nje pusete 40 cm e thelle perballe stacionit te trenit qe terrorizon cdo shofer qe kalon perballe tabeles Durres kur del nga durresi rrin 5 vjet e hapur dhe asnjerit nga 4 n/kryetaret s’jua ka vrare syrin per ta rregulluar se nuk shohin pustetat e mbushura me dhe ne prag te futjes ne vjeshte dhe ne sezon shirash por Durrsi duhet te permbytet qe te marin masat. shikoni rrugen Abaz celkupa deri tek ish fabrika e bukes gjithe pusetat te mbushura dhe pa kapak

  7. beni says:

    Euro duhet te jet ne vlerat e 140-145 lek që të vërshojnë turistët?
    Me vlerësimin e lekut nuk ka ekonomi sidomos turizëm?
    Vlerësimi i lekut është vetëm për kreditorët por jo për ekonominë!

  8. ce says:

    Dil o Kryetar nje dite ne këmbe nga ura Dajlanit deri tek blloku ne Iliria dhe provo a mund ecësh normal nga shesllonet dhe mendo si mund te shëtisin njerëzit ne mbrëmje si dikur. Aty do kuptosh se policia bashkiake qe paguan eshte kot dhe largoji shesllonet te paktën 10 nga uji se jane lodhur pushuesit nga këta barbarë,,

  9. anonim says:

    Hidhni 2 karroca asfalt tek rrethrrotullimi i Shkozetit se late nam . 5 vjet e njejta situate, a ka ndonje strukture bashkia qe i managjon keto probleme apo 4 n/kryetaret merren vetem me tenderat , si nuk merziten xhanem kur kalojne me makine nga Shkozeti per ne Durres gjithe makinat tek rrethi devijojne duke rrezikuar, lere pastaj kur kalon rrethin e ures Dajlanit drejt Durrsit gjithe pusetat sikur i kane ngrene qente , gjithe betoni i thyer , te krijon ndotje vizuale siku po hyn ne kryeqytetin e Ruandes dhe jo ne nje qytet turistik,,,,levizni n/kryetaret o kryetar se populli thote se ata flejne gjume si Luli kur ishte kryetar ne bashkin e Tiranes , punoni pak per imazhin e qytetit, po vjen dimri nje pjese e pusetave jane mbushur me dhe se jane pa kapak dhe shiu i pare do kete permbytje , jepi drejtim punes o kryetar se per kete te kemi zgjedhur ,,,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje