“NATO po lëviz infrastrukturën e saj ushtarake më afër kufirit rus dhe Rusia duhet të forcojë infrastrukturën e vet ushtarake si një përgjigje”, tha presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën.
“NATO po lëviz ushtrinë gjithmonë e më afër kufirit me Rusinë, dhe kësaj ne duhet t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë”, ka thënë Putin, raporton Reuters.
Këto deklarime Putin i ka bërë të mërkurën gjatë një takimi në Sochi të Rusisë me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto.
Ai gjithashtu ka thënë se NATO ka refuzuar të diskutojë rreth rregullave për fluturimin e aeroplanëve ushtarak me Rusinë.
Putin gjithashtu dënoi sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, duke i quajtur ato si kundërproduktive, por deklaroi se një samit i mbajtur muajin e kaluar me presidentin e SHBA Donald Trump, kishte qenë i dobishëm.
Shefi i Kremlinit, tha se shpresonte që Uashingtoni do të kuptonte se politika e saj për imponimin e sanksioneve ndaj Moskës për sjelljen e keqe të perceptuar, ishte e gabuar.
“Shpresoj që partnerët tanë amerikanë të kuptojnë se kjo politikë nuk ka të ardhme në një moment dhe ne mund të fillojmë bashkëpunimin në një mënyrë normale“, tha Putin.
Presidenti rus tha se Europa kishte nevojë për projektin e gazsjellësit Nord Stream-2 të mbështetur nga Moska, një iniciativë që Trump e kritikoi ashpër dhe se Rusia ishte furnizuesi më i përshtatshëm i energjisë për Europën.(TemA TV)