“Xhihadi” kthehet në Bataclan, kësaj here si art

5 Shtator 2018, 09:22Bota TEMA

Teatri Bataclan në Paris do të jetë sërish në qendër të vëmendjes në tetor të këtij viti, por kësaj radhe për një koncert muzikor. Teatri ku ndodhi një nga sulmet më të përgjakshme terroriste në Europë rreth 3 vjet më parë do të jetë vendi ku do të performojë reperi franko-algjerian Médine Zaouiche.

Ajo që i shton akoma më shumë dozat e ironisë është fakti se një nga këngët e tij titullohet pikërisht “Xhihad”, ndërsa një tjetër flet në mënyrë metaforike për “kryqëzimin” e laikëve. Vetë reperi Médine Zaouiche ka zgjuar shpesh reagime kontroverse me artin e tij.

Prej muajsh, francezët janë të ndarë në qëndrimet lidhur me mbajtjen e këtij koncerti pikërisht aty ku në emër të xhihadit në nëntor të 2015-s u vranë 130 njerëz të pafajshëm. Madje debati i ka kaluar kufijtë e Francës.

Në një shkrim për “Corriere della Sera”, Pierluigi Batista heq një paralele mes këtij eventi të pritshëm dhe subjektit të romanit “Nënshtrimi” të Michel Houellebecq, i botuar edhe në shqip.

Romani i vendos ngjarjet në Francë, ku për herë të parë është zgjedhur një president islamik. Një skenar fiksion, por që sipas Batista-s gjen ngjashmëri me rastin në fjalë.

“Një koncert i tillë mund të shihet si nënshtrim, si dorëzim, si mungesë reagimi”, shkruan ai.

“Nuk është çështje e lirisë së të shprehurit dhe as e mundësisë që duhet t’i jepet çdo reperi për të kënduar këngët e tij me tekste shpërthyese në çdo vend ku mbahen koncerte në Francë.

Por edhe pse Medine thotë se do t’i japë kësaj gjëje një domethënie krej tjetër, ky është një vendim arrogant. Liria e shprehjes duhet të ruhet, por larg nga Bataclan-i”, shkruan ai.

Dy muaj më parë, ekstremi i djathtë i Marine Le Pen lançoi një peticion për të anuluar koncertin e Medine.

Vetë Le Pen e ka cilësuar reperin Medine një fondamentalist islamik dhe koncertin e tij një kërcënim për rendin publik. Shoqatat e familjarëve të viktimave të sulmit thonë se ky koncert është mungesë respekti për ata që humbën jetën atje.

Vetë Medine dhe avokatët e tij janë kundërprëgjigjur. Reperi thotë se e ka kritikuar shumë herë fundamentalizmin islamik dhe ka thënë se është kundër dhunës.

Ai thotë se kënga “Don’t Laik” është më shumë një shuplakë ndaj kredos shekullore e të ashpër të Francës dhe se me “xhihad” i referohet një lufte e brendshme shpirtërore dhe jo dhunës.(TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje