Bizneset e agroturizmit dhe ato me xhiro deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 5 % tatim fitimi nga 15 % që tatohen aktualisht duke filluar që nga 1 janari 2019. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njoftoi sot tatimpaguesit për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, i ndryshuar.
Dispozitat ligjore të ndryshuara, si nevojë e zhvillimit të tregut, kanë saktësuar disa çështje, të cilat në mënyrë të përmbledhur po i trajtojmë si më poshtë:
Në nenin 8/1, në të cilin janë përcaktuar kategoritë e të ardhurave personale të përjashtuara nga tatimi. Në pikën 11 është saktësuar trajtimi i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore, për rastet kur origjina e pronës është fitimi sipas ligjit nr.7501.
Sipas këtij parashikimi, përjashtohen gjithashtu, rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.”
Në nenin 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”, është saktësuar koncepti truall dhe tokë bujqësore. Gjithashtu në këtë nen është parashikuar që shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, bazuar në një kontratë shkëmbimi nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme.
Në vijim të saktësimeve të mësipërme, në nenin 20 janë shfuqizuar paragrafët 3 dhe 4, të cilët trajtonin shpenzimet e njohura në veprimtarinë e ndërtimit, në lidhje me kontratat e shkëmbimit.
Në nenin 28, janë bërë diferencime të shkallës së Tatimit mbi Fitimin për disa kategori: (Këto ndryshime hyjnë në fuqi 1 Janar 2019)
– 5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit;
– 15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit;
– 5% për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”;
– 5 % për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit. (Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i çertifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.)
Një ndryshim mjaft i rëndësishëm i reflektuar në nenin 33/1 “Dorëzimi i vendimit për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimi i fitimit”, është edhe heqja e detyrimit të subjektit “person fizik”, për të dorëzuar vendim për shpërndarje dividenti, pavarësisht përgjegjësisë tatimore, duke qenë se personi fizik, sipas konceptit të ligjit tregtar nuk ka personalitet juridik dhe është përgjegjës me të gjitha pasuritë e tij.
Së fundimi, në dispozitat kalimtare si nevojë e harmonizimit të parashikimeve të ligjit nr.155/2015 “Për lojrat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar është saktësuar shkalla tatimore mbi lojrat e fatit, e cila është 15 % mbi të ardhurat bruto, të cilat nga ana e tyre nënkuptojnë diferencën e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Këto ndryshime hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.(monitor)
Injorantet po bejne shkence. Rrathe ne uje.
A ka dikush te me sqaroje se si do te llogaritet taksa se ashtu siç eshte formuluar (shkruaj ne artikull) Une e lexoj:1- Per ata qe kane te ardhura 13.999.999 leke, taksa do te jete 700.000 leke2-Per ato qe kane te ardhura 14.000.001 leke taksa do te jete 2.100.000 lek.Siç shihet nga krahasimi per 2(dy) leke diference do paguaje 1.400.000 leke taksa shtese.Qofsha I gabuar por do t’a lexoja :Deri ne 14.000.000 leke 5%(700.000 leke) dhe te ardhurat mbi kete vlere 15% keshtuqe ritet interesi per te punuar dhe ulet evazioni.Uroj t’a kem lexuar ose interpretuar gabim dhe nuk eshte loje qe inspektoret e tatimeve te tallen e luajne “loje luftash” me bizneset e vogla.P.s. E kerkova interpretimin e llogaritjes(n.q.s dikush me kopetence) te sqaroje publikun sepse ato qe Une shkrujta me siper nuk I shpika per jane interpretime ispektoresh tatimesh qe i kam degjuar qe ne qershor(ndoshta sapo ishte pergatitur drafti).