Eros Grezda ka hedhur hapin e parë drejt shpalosjes së aftësive të tij me skuadrën e Rangers-it.
Shqiptari nuk ishte i pranishëm as në stol në ndeshjen e djeshme që skuadra skoce fitoi me rezultatin 5-1 kundër St. Johnstone në kampionat.
Mesfushori me tipare të avancuara nuk u grumbullua nga numri një i stolit Steven Gerrard duke shkaktuar habi të madhe.
Legjenda e futbollit duket se nuk është bindur në këto javë të para nga lojtari i kombëtartes shqiptare.
Ai vendosi të shihte 23-vjeçarin në ndeshjen e sotme miqësore të zhvilluar ndërmjet Rangers-it dhe ekipit të Motherwell 2.
Lojtari shqiptar e nisi takimin nga minuta e parë dhe arriti të shënonte golin e tij të parë me fanellën e klubit të ri, por dhe të dytin të skuadrës së tij.
Grezda përshëndeti rrjetën në minutën e 41′ duke u treguar të gjithëve se është një futbollist që vlen dhe ka cilësi të mira.
Takimi përfundoi me rezultatin 6-2 dhe i shërbeu stafit teknik për të parë gjendjen e futbollistëve të stolit.
Lojtari shqiptar duket se do të vuajë pak deri në momentin që do të përshtatet komplet me ekipin skocez.
Fillimi është gjithmonë i vështirë, por gjetja e rrjetës mund ta çlirojë pak psikologjikisht 23-vjeçarin.
Të shohim dhe të presim se si do të shkojë ecuria e futbollistit shqiptar.