Gjiganti ndërkombëtar “Hilton” hap dyert për turistët në kryeqytet, Veliaj: Tirana një nga qytetet më të sigurtë në Europë

27 Shtator 2018, 10:29Sociale TEMA

Ditët e pritjes për hapjen e një prej hoteleve më të rinj e modern në kryeqytet mbaruan. Bëhet fjalë për “Hilton Garden Inn”, pjesë e markës ndërkombëtare në fushën e hotelerisë Hilton, i cili nga dje i shtohet markave të njohura që ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet.

Punët e mira të bëra në Tiranë kanë rritur ndjeshëm numrin e turistëve, ndërkohë që marka botërore e hotelerisë do të shërbejë edhe si një tërheqje për firma të tjera ndërkombëtare.

I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se tashmë Tirana po bëhet një qendër ku mjaft kompani të njohura ndërkombëtare ushgtrojnë veprimtarinë e tyre, duke gjeneruar edhe vende të reja pune.

“Vetëm 500 metra në vijë ajrore nga bashkia dhe erdhëm në atë që sot duket si jashtështetit, që është ndoshta komplimenti më i mash që mund të japi një shqiptar për diçka që i pëlqen. Me të drejtë sepse krijon vende pune, por mbi të gjitha tregon historinë e qytetit tonë.

Jo vetëm për logon e madhe që lexon “Hilton”, por edhe për këtë logon e madhe që lexon Tirana, sepse besoj që bashkë mund ta tregojmë historinë e qytetit tonë. Ne vërtet themi “bukë, e kripë e zemër”, por nuk jetohet vetëm me bukë e kripë, na duhen edhe disa standarde që i sjell “Hiltoni”. Dhe mbi të gjitha kjo nuk është një shtëpi me llaç e tulla, dhe me krevat, nuk është një konvikt, por është një eksperiencë, është një përvojë. Dhe jam i bindur që me sqimën e një pronari të kujdesshëm dhe me standardet që na sjell “Hiltoni”, realisht do të kemi një histori autentike në Tiranë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se nëse do të shikojmë kriminalitetin në Tiranë, nivelin e sigurisë, nivelin e aksesit në ambientet publike, është sot një nga kryeqytet më të sigurta në Europë.

“Kur takoj shumë kryetarë të tjerë bashkie, edhe shikojmë statistikat, jam shumë krenar që Tirana në fakt ka statistikat më të ulëta. Ky është një qytet që mund të vish natën nga qendra, sheshi “Skënderbej, tek “Hiltoni” edhe në orën 03:00 i pashqetësuar nga askush. Ajo që ndoshta nuk bëjmë aq mirë sa të tjerët, është që nuk flasim mirë për veten. Mendojmë që të gjitha të zezat janë mbledhur këtu, por nëse shikojmë kriminalitetin në Tiranë, nivelin e sigurisë, nivelin e aksesit që ne kemi në ambientet publike, është sot një nga kryeqytet më të sigurta në Europë, doemos në rajonin tonë. Dhe jam i sigurt që të dy bashkë, me “Hiltonin” dhe me logon e Tiranës, do e tregojmë këtë histori ashtu siç ka lezet”, u shpreh Veliaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje