VIDEO: Milani rikthehet tek fitorja, "poker" përballë Sassuolos

30 Shtator 2018, 22:28Sport TEMA

Milani u ngjit plot pesë vende në renditjen e Serie A pasi mundi 4-1 Sassuolon në ndeshjen e fundit të javës së shtatë, me protagonistë dyshen spanjolle Castillejo-Suso.

Numri 8 goditi shtyllën që në minutën e katërt duke paralajmëruar skuadrën surprizë të kampionatit që deri para ndeshjes ishte në vend të tretë në renditje, ndërsa tashmë e sheh vetën në të pestin, pas Fiorentinës dhe Interit.

Kuqezinjtë e gjetën golin në të 39’, kur përmes një kundërsulmi të shpejtë, Franck Kessie u la krejtësisht i lirë nga dy mbrojtësit kundërshtarë dhe me të majtën gjuajti saktë duke dërguar topin në rrjetë.

Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë erdhi edhe goli i dytë për skuadrën e Gennaro Gattusos, përmes një serie veprimesh spektakolare nga ana e Susos.

Spanjolli uli topin bukur në tokë pas krosimit të Bonaventuras, dribloi një kundërshtar dhe me të majtën mposhti portierin kundërshtar Consigli, i cili nuk pati mundësi tjetër vetëm se të shoqëronte me sy topin në rrjetë.

Dhjetë minuta më vonë erdhi edhe goli i tretë për Milanin që bylli praktikisht ndeshjen. Castillejo, në ndeshjen e parë si titullar dhe me detyrën e vështirë të zëvendësimit të Higuainit të dëmtuar, gjeti kuadratin me të majtën e tij të saktë.

Sassuolo shënoi golin e ngushëllimit në të 69’, kur Filip Djuricic u rrotullua bukur në hyrje të zonës dhe mundi të kalonte më në fund Donnarumman, por ky ishte i vetmi moment që mbrojtja e Milanit nuk tregua e saktë, duke i lënë shumë hapësirë.

Në fund Suso shënoi edhe golin e katërt dhe të dytin personal, kur gjuajtja e tij u devijua nga lojtarët e Sassuolos duke kapur në befasi Consiglin.

Fitorja është një çlirim i përkohëshëm edhe për trajnerin Gattuso, i cili po ndjente gjithnjë e më tepër presionin pas rezultateve zhgënjyese të javëve të fundit, ku kishte filluar të riqarkullonte edhe emri i Antonio Contes për pankinën e Milanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje