Unë dua një prokuror politik!

1 Tetor 2018, 09:41Blog TEMA

Nga Plarent Ndreca

E di, kush e lexon ka shqyer sytë nga habia, se si mund të thuhet kjo herezi, si mund të kërkohet një gjë e pakërkueshme. Kërkohet ajo për të cilën, nuk ka mbetur edhe një folës i vetëm publik që, në këmbë dhe me Kushtetutë në dorë të ngritur deri në qiell, të mos e ketë kundërshtuar, duke piskatur “duam prokuror apolitik”.

Të gjithë janë çjerr hipokrizisht, për prokuror apolitik. Aq hipokrizisht, sa ndërkohë që valvisin faqet e Kushtetutës së RSH-s, lëpijnë jargët që ju rrjedhin ndër cepa buzësh nga lakmia e shijimit të pushtetit të prokurorit apolitik. E disa ndër këta edhe e kanë nginjur mirë barkun e tyre si vozë, me pushtetin e prokurorit apolitik, të sterilizuar e të marrë peng. Jargavitet politika (ajo pjesë që ne rëndomt jemi mësuar ta quajmë politikë), jargavitet media, jargaviten kriminelët, jargaviten folësit publik, jargaviten edhe vetë magjistratët.

Aq sa sot, këto ditë, të gjithë lakmitarët flasin, bëjnë edhe drejtësi madje, kurse prokurori apolitik hesht ai nuk flet, se është i sterelizuar, ai është apolitik.

E unë ndaj them jo. Jo nuk dua një prokuror apolitik, por unë dua një prokuror politik. Një prokuror që shpreh me veprimet e tij, pikërisht atë që frymëzon dhe kërkon i vetmi “padron” i tij. Sovrani i tij, populli i tij.

A s’jemi të ngopur mjaftueshëm me fytyra prokurorësh që nuk shprehin asgjë e që zgjidhen nga pushtete, të cilat më pas supozohet që hetohen po nga ai, prokurori, i zgjedhuri prej tyre? Prokuror “apolitik” që zgjidhen për të goditur edhe vetë pushtetin që e zgjedh, e nëpërmjet kësaj të rris besimin, si ndaj vetes, por edhe ndaj atij që e zgjedh.

Po cili prokuror në këtë vënd mund ta bëj këtë? Po cila mendje me racionalitet modest, mund të besoj se pushteti që zgjedh, do zgjedh pikërisht burgosësin e tij? Cila mendje me racionalitet modest nuk e beson se çdo pushtet do bëjë kujdesin e nevojshëm, për të mos zgjedhur burgosësin e tij?

Një fakt është shumë i qartë, asnjë nga organet e deleguara për të ushtruar pushtetin sovran nuk e ka besueshmërinë, për të zgjedhur “drejtësinë”. Pak pjesë të shoqërisë tonë kanë mbetur të pa imkriminuara me të drejtë ose me të padrejtë në atë masë, sa e kanë humbur çdo besueshmëri në publik, për të zgjedhur ata që do bëjnë drejtësi.

I vetmi, të cilit jo se nuk i është cënuar besueshmëria, por mbetet i aftë për të marrë vendime sovrane, është populli i këtij vendi.

Ndaj dua të votoj një prokuror politik, pasi jam i fryrë me prokuror të pengmarrshëm, anonim, pa asnjë ide, pa gjak, pa pasion, pa asnjë sens politik (në kuptimin real të asaj çka është politika, jo partiake) pa shpirt civil, pa shpirt atdhetarizmi, pa shpirt patriotik. Dua një prokuror që shpreh ndjenjat dhe etjen për drejtësi të sovranit popull, që e zgjedh ai dhe që i jep besimin, i jep forcën dhe kurajon, për të përballuar lukuninë grabitqare të jargavitur, gati për t’ja shqyer e shqepur forcën që i ka dhënë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Unë dua një prokuror politik, që të jetë i popullit dhe të punoj vetëm për atë, të kontraktohet nga ai dhe të japë llogari vetëm tek ai.

Unë dua një prokuror politik, për ti dhënë fund kësaj çmendurie kolektive, kësaj shkalafitje mendore, kësaj padrejtësie të drejtuar, kësaj turbullire psikike shoqërore, e cila buron tek mungesa e prokurorit tonë, pra drejtësisë e cila sjell mungesën e përditshme të frymëzimit, për të jetuar e ecur përpara me dinjitet, për të jetuar me drejtësi shoqërore.

Shumë jetojnë edhe me pak ushqim e me pak vakte, jetojnë me pak të mira materiale, por askush nuk mund të jetoj pa dinjitet, nuk mund të langaraqet rrugëve të jetës me pak drejtësi apo me aspak drejtësi. Një shoqëri pa ekonomi mund të lëngoj nga dhimbjet, një shoqëri pa drejtësi dergjet në varr. Shoqëria pa drejtësi, ka vdekur si e tillë.

Ndaj dua një prokuror politik, që jeton me frymëzimin e përditshëm që kanë shpirtrat e mirë të këtij vendi, që jeton me pulsin e popullit të tij Një prokuror që jeton e punon me mësimin më fisnik që çdo prind i jep fëmijës së tij, çdo mësues i jep nxënësit të tij, çdo shoqëri i mëson shtetasve të tij. Me drejtësinë.

Unë dua një prokuror politik, (jo si ata që nuk i pashë këto 30 vite) që ti drejtohet popullit të tij, që komunikon me të, i drejtohet me vendosmëri, me profesionalizëm, me kurajo civile, me guxim, me trimëri edhe me vetmohim, i flet në sy, e i premton drejtësi.

Unë dua një prokuror politik, që të mos fshihet nën sqetullat e deordorantosura të politikës, medias, biznesit, kriminelëve, por fisnikërisht, ndershmërisht të jetë në ballë të çdo aksioni bash kundër tyre, për të ushqyer popullin e tij me drejtesi.

Unë dua një prokuror politik, që ka forcën e dhënë nga sovrani, për të ndëshkuar këdo që guxon të kthejë drejtësinë në politikë dhe politikën në drejtësi, e të dyja bashkë në komedi me seri rrënuese për shëndetin mendor e shpirtin e një populli të tërë.

Unë dua një prokuror politik, sepse jam i pështirosur nga prokurorë që fshihen pas hetimeve formale, pas fashikujve shumëfaqesh që vetëm drejtësi nuk shkruajnë, pas sallave të gjyqeve ku bëjnë sikur ngrenë akuzë, e në të vërtetë shqetësohen vetëm për statistikat e drejtësisë, por jo për vete drejtësinë. Jam i pështirosur nga prokuror pa burrëri që të drejtat dhe liritë kushtetuese të njeriut i pështyjnë për “plebenjt” dhe i hyjnizojnë për “patricet”.

Unë dua një prokuror politik që të shpreh me gjithë forcën e mendjes, pasionit dhe profesionit atë që populli i tij nder shumë e shumë vite ka kërkuar, e sot, me shumë se kurrë, do.

Politikë, grekët e lashtë i thonin “punëve të qytetit”, e qyteti jonë kërkon kryerjen e punës më fisnike për të, kërkon drejtësinë, e ndaj pra, e dua prokurorin vetëm politik.

5 komente në “Unë dua një prokuror politik!”

  1. drejtesia says:

    Je i paqarte me ate qe kerkon.N.Q.S me ate qe shkruan nenkupton,prokuror te zgjedhur nga populli ka kuptim shkrimi.Nuk kuptoj pse se thua shqip n.q.s kerkon kete gje.

  2. keno says:

    te lumte pena mik.

  3. vera says:

    Brilant artikulli une dua nje prokuror politik, pergezime.

  4. Albani says:

    Eshte me se e kuptushme se ky artikull kerkon me te drejte nje PREKUROR te zgjedhur nga populli dhe kaq.
    Kjo per shqiperine do te jete me se ideale dhe me se funksionale per mbare popullin shqiptar qe sa shume kerkon drejtesi dhe dinjitet te vertete.

  5. Mjafte sakte ne ironine per organin e Prokurorise ne vecanti dhe Drejtesise ne pergjithesi. Urgjentisht duhet ngritur (qofte dhe me urdher apo dhe “dhune”…) BKH dhe SPAK, pastaj pastrimi On General i Drejtesise, sidomos Prokurorise dhe Gjykates te cdo niveli, eshte mese i thjeshte dhe i shpejte. Amerikanet dhe Gjermanet nuk duhet ta tolerojne me kete Opozite anti-Perendimore ne cdo drejtim, filo-sllave, super-hajdute dhe super-vrastare te pengoje Reformen ne Drejtesi, sidomos ngritjen URGENT te SPAH dhe BKH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje