Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u duk i habitur kur priti në aeroport një dhuratë të sapoardhur nga Kremlini: avionë luftarakë të epokës sovjetike, sipas standardeve ruse, por që për aleatin ballkanik me vetëm pak aeroplanë, janë një thesar.
“Pothuajse më ranë lotët kur i pashë”, tha Vuçiç në gusht.
Këto dhurata erdhën më një çmim: 209 milionë dollarë për riparimet, por që sërish do të paguhen nga vetë Rusia.
Dhurimi i avionëve është pjesë e strategjisë ruse në Serbi dhe në pjesën më të madhe të botës. Kremlini ka ndërtuar një fushatë metodike, por me kosto të ulët, e cila synon të marrë përfitimet.
Rusia dhe Perëndimi janë të angazhuar në një betejë të ashpër për aleancën e Serbisë, një komb i rëndësishëm ballkanik që ka deklaruar dëshirën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, por gjithashtu e konsideron Rusinë si vend aleat.
Ndërsa Perëndimi po shpenzon më shumë para kesh – në rastin e Evropës rreth 11.8 miliardë dollarë në vitin 2016 – prania e Rusisë në Serbi është shumë më e thellë. Ndër vite, Kremlini është shfaqur ekspert në gjetjen e mënyrave për të tërhequr miq dhe publicitet të mirë me çmime të volitshme. Dhe duke u bërë thirrje serbëve të zakonshëm, Rusia ka fituar më shumë mbështetje sesa do të kishte arritur thjesht duke përdorur udhëheqësit serbë.
Rusia ka ndërtuar një qendër ndihme urgjente, që i gjendet Serbisë sa herë ka zjarre dhe përmbytje, por zyrtarët perëndimorë dyshojnë se në të vërtetë ajo është një qendër spiunazhi. Kjo qendër ka aleatë në radhët e një grupi serb, që është i lidhur ngushtë me Putin dhe që ndihmoi Rusinë t’i merrte Krimenë Ukrainës në vitin 2014. Mediat shtetërore ruse transmetuan raporte në gjuhën serbe, siç është ajo që sugjeron se NATO dhe Shteti Islamik po komplotonin së bashku për të përhapur kaos në Kupën e Botës.
Megjithëse Rusia e vë theksin te lidhjet e saj të forta me Serbinë, të çimentuara nga trashëgimia e përbashkët ortodokse dhe sllave, kjo “lustër” dominon vetëm pjesën më të madhe të shekullit të XX. Marrëdhëniet e dy vendeve u ftohën pasi udhëheqësi i epokës komuniste të Jugosllavisë, Josip Broz Tito, u prish me Bashkimin Sovjetik më 1948. Gjatë përplasjeve etnike dhe bombardimeve të NATO-s në Ballkan në vitet fund të viteve ‘90, Rusia u tërhoq mënjanë kryesisht për shkak të trazirave të saj të brendshme. Vetëm në fillim të mijëvjeçarit, kur Rusia e mbështeti Serbinë duke kundërshtuar me përpjekjet e Kosovës për pavarësi, marrëdhëniet filluan të ngroheshin përsëri.
Pasqyrimi plot shkëlqim i Rusisë gjen vend në tabloidët e Serbisë, falë buletineve në gjuhën serbe, por edhe nga agjencia e lajmeve ruse e Sputnik, e cila u hap në Beograd në 2015-n.
Vetë serbët nuk e shohin këtë si ndërhyrje e huaj.
Flamuri rus shihet gjithandej në autostradat serbe, në tabelat e sponsorizuara nga kompania energjetike e Rusisë, “Gazprom”. Shumë prej këtyre rrugëve janë paguar me fondet e BE-së, por flamuri i saj blu zbret poshtë dhe ia lë vendin atij rus, sapo rrugët përfundojnë së ndërtuari.
Rusia dominon tregun e naftës dhe të gazit natyror të Serbisë, një pjesë e ekonomisë së përgjithshme, por një aspekt kyç për sigurinë e vendit. Serbia importon 75 për qind të gazit natyror nga Rusia. Që nga viti 2008, Moska ka kontrolluar prodhimin vendas, gjithashtu, pasi kompania energjetike e Serbisë u shit te “Gazprom” për një çmim të volitshëm. Fitimet shkojnë në favor të ndikimit të Rusisë.
Rusia gjithashtu ka një prani të fortë në kishë. Shumë priftërinj ortodoksë serbë shpesh takohen me udhëheqës të lartë politikë rusë. Në predikimet e tyre, ata e vënë theksin te trashëgimia e përbashkët fetare dhe falënderojnë Kremlinin për përpjekjen për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës, të cilën kisha serbe e konsideron shtëpinë e saj prej brezash. Ndërtimi i një kishe ortodokse në një stil rus në veriperëndim të Beogradit mblodhi dhjetëra mijëra dollarë në donacione pasi u quajt “kisha e Putinit”.
Ndërsa serbët kanë nisur ta shohin Rusinë ngado që kthejnë kokën, disa vëzhges vendorë shprehen të alarmuar nga ndikimi i Moskës.
“Nuk është vetëm revanshi i rusëve, ata janë të mirëpritur nga shumë njerëz në shoqërinë serbe”, thotë Jelena Milic, drejtore e Qendrës për Studime Euro-Atlantike, një institut think tank që përkrah lidhje më të ngushta me Perëndimin.
Shenjat e para të suksesit të strategjisë ruse janë dhënë: Shumë serbë gabimisht besojnë se Rusia është partneri i tyre më i madh për tregti dhe një ndihmë e madhe në ushtri, sipas sondazheve të kryera në vend.
Në fakt, 65 për qind e tregtisë së vendit është me BE-në, ndërsa vetëm 6.7 përqind bëhet me Rusinë. Ushtarët serbë janë trajnuar më shumë se 20 herë vitin e kaluar me anëtarët e NATO-s, krahasuar me dy herë me homologët rusë. BE dhe shtetet anëtare ofruan më shumë se 600 milionë dollarë ndihma për Serbinë në vitin 2016, 50 herë më shumë se Kremlini.
Në Serbi, “rusët nuk po japin asgjë dhe po marrin shumë në këmbim”, thotë Bosko Jakshiç, editorialist i politikës së jashtme në Politika, një e përditshme serbe. “Politika mund të ndryshojë në moment. Por kur vë në shënjestër trurin e njerëzve, kjo është shumë më e rrezikshme “.(Marrë me shkurtime nga Wall Street Journal)
Grafiku 1 tregon perceptimin që kanë qytetarët serbë për donatorët kryesorë të Serbisë, ndërsa grafiku 2 pasqyron renditjen e donatorëve sipas shkallës së mbështetjes financiare. (TemA TV)
Krizë besimi në NATO dhe BE bënë dominim Rusë në Sërbi.
Duke mbeshtetur Serbine, Europa po ben gabimin e rradhes. Dihet se c’u ndodh atyre qe duan te fusin gjarperin ne gji.
Habitem me shqiptaret qe duan te futen ne BE.
Serbia gjithmone kete loje ka luajtur per te perfituar, duke u perdredhur ndermjet perendimit dhe lindjes.