Jari i çorientuar nga intensiteti i ngjarjeve

25 Tetor 2018, 18:01Antena TEMA

Jari sot u zgjua me kokën e rëndë, pak më vonë se orari i fiqve.

Intensiteti i ngjarjeve të fundit e kishte lodhur shumë dhe e kishte çorientuar.

Po i dukej vetja tamam si atëherë, kur ishte në Presidencë dhe i linte Doktori disa porosi njëherësh.

Dhe ai nuk dinte nga t’ia fillonte, sepse nuk e kuptonte dot kush ishte më e rëndësishmja.

Doktori e kishte huq të vjetër që nuk ta thoshte kurrë, por priste që ta gjeje vetë.

Torturë më vete, me një fjalë.

Fiks, si tani, që janë bërë kaq shumë tema dhe hajde ta gjesh më kryesoren.

Por Jari e kishte të fortë ndjenjën e detyrës dhe nuk mund të rrinte dot pa iu drejtuar demokratëve.

Ndaj vendosi ta ndajë mesazhin në disa pjesë:

“Të nderuar miq, Jari ju sqaron:

1-Sot po e nis me një kritikë të vogël për Lulin, sepse janë bërë gjithë këto arrestime ditët e fundit dhe nuk po del gjëkundi emri i Taulant Ballës.

Si ka mundësi që janë kapur 5 banda nga e gjithë Shqipëria dhe nuk thuhet asnjë fjalë për shefin e përgjithshëm të tyre?

Kjo e zbeh shumë betejën e opozitës, sepse i jep mundësi kundërshtarit të marrë veten.

Unë mendoj se çdo ditë duhet të ketë një ngjarje kriminale që ta ketë bërë Taulanti i Librazhdit, që nga vrasja, trafiku i drogës, e deri tek përdhunimi.

Data, ora dhe vendi i ngjarjes nuk kanë rëndësi.

Janë gjëra që rregullohen, se Basiri dhe Jetmiri pa punë janë.

2-Eni Vasili e tregoi veten që është gazetarja më e mirë në Shqipëri, sepse e përballoi me sukses gjithë atë sulm të egër pas emisionit të fundit me Doktorin.

Njerëzit kujtojnë kot se ajo e ka me tendencë, kur nuk i trajton njësoj udhëheqësit në emisionin e saj.

Në fakt, ajo nuk i bën pyetje Doktorit, jo sepse i jep të drejtë, por se e kupton të gjithë atë që thotë ai.

Kurse Edi Ramën e bombardon me pyetje, se ai nuk e i tregon ngjarjet në formë përralle si Doktori, por i sofistifikon kot.

Dhe Eni e shkretë nuk ka hallin e teleshikuesve, kur e pyet Ramën, por të vetin, sepse do të sqarohet vetë një herë.

Plus që për atë ka respekt edhe gruaja ime, ngaqë shkojnë e bëjnë flokët tek e njëjta parukiere.

3-Shkarkimi i befasishëm i 11 kryetarëve të degëve në Partinë Socialiste ka shkaktuar habi të madhe tek partia jonë.

Sepse demokratët thonë se si ka mundësi që tek ne ka 5 vjet që bëhen zgjedhje dhe nuk zgjidhen fare kryetarë degësh, kurse në PS nuk bëhen zgjedhje fare dhe shkarkohen për një ditë kryetarët.

Përgjigja duhet gjetur sa tek aftësia e jashtëzakonshme e Lulit për të bërë gjithmonë të kundërtën e asaj që thotë, po aq edhe tek shprehja popullore “ne hamë kumbulla, atyre u mpihen dhëmbët”.

Por le të përmbyset qielli dhe toka po të duan, por në PD nuk do të ketë kurrë zgjedhje sa të jetë Edi Rama kryeministër.

Kështu ka thënë edhe Doktori, duhet ta përmbysim atë një herë, pastaj do bëjmë edhe zgjedhjet.

I juaji, Jari!”

1 komente në “Jari i çorientuar nga intensiteti i ngjarjeve”

  1. Sandy says:

    O Mero djali, Jarin pas pak do ta mbroje WWF dhe s’do te mund ta prekesh me as me pupel.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje