Jari del në aeroport të presë delegacionin nga Brukseli

16 Tetor 2018, 18:32Antena TEMA

Pas fitores së arritur nga delegacioni i opozitës në Bruksel, Jari bëri thirrje për të dalë në aeroport që të presin delegacionin:

“Të gjithë në Rinas, të presim heronjtë e Brukselit”, shkruan Jari në postimin e tij.

Më poshtë sqaron:

“Të dashur lexues

Jari ju sqaron!

Ne duhet të dalim sot në Rinas, për të pritur siç e meritojnë heronjtë tanë në Bruksel, pasi ata kanë bërë sakrifica të rralla, që nuk i ka bërë askush nga ne më parë.

Së pari, ata kanë përballuar tmerrin e të udhëtuarit në një avion me Taulant Ballën dhe ekipin që e shoqëronte.

Përfytyroni ju se çfarë tmerri ka qenë përshembull për Aldo Bumçin, që të rrinte në një sedilje me Taulant Ballën për dy orë udhëtim.

Më ka pas treguar një herë Doktori, se si i ra të udhëtonte në një sedilje me Genc Pollon nga Tirana në Vjenë kur ishin në luftë, dhe i ishte dukur udhëtimi më i gjatë në jetë.

Biles gjatë rrugës nuk mjaftonte kjo, por Pollo shkruante në sy të tij dhe emaile kundër tij, dhe herë pas here, gjatë rrugës, shtrihej dhe ngushtonte Doktorin.

Biles në një moment kur erdhi kamarierja dhe pyeti se çfarë dëshirojnë, ai i tha për Doktorin:

-Ky xhaxhi nuk do gjë, se është i sëmurë.

Dhe kamarierja iku pa i dhënë kafe Doktorit.

Pra, mendo tani që në këtë siklet që dikur ka qenë Doktori nga Pollo, ishte Aldua nga Taulanti dhe Genc Pollo ng Cac Angjeli, të cilëve u ka rënë po ashtu të jenë  ngjitur në sedilje.

Më tej akoma ka qenë sikleti i të ngrënit drekë në një tavolinë.

E mendoni dot ju të ulesh në një tavolinë me Taulant Ballën dhe të hash drekë lirshëm!

Do thoni ju, po mos të shkonin në drekë, të hanin jashtë!

Të drejtë kini, por si mund ta bëjë Mond Spaho këtë!

Ai të vetmen të ardhur në jetë ka këto dietat e udhëtimit në Bruksel.

I llogarit lek më lekë dhe nuk mund t’i harxhojë për të ngrënë drekë, pasi i duhen të blejë një lavatriçe të re.

Dhe Vokshi që ka pas bërë ndonjë lekë nafte në kohë të pushtetit, mendohet disa herë të lërë drekën pa lekë.

Pollo jo e jo.

Aldua po ashtu e ka hallin.

Pra, nuk është se e kanë të lehtë të refuzojnë drekën falas.

Por mbi të gjitha, nuk mund t’i linin socialistët vetëm në drekë me eurodeputetët, pasi ata do shpifnin për Lulin.

Po ashtu, nuk mund të braktisnin as hotelin.

Përfytyroni që Vokshi dhe Taulanti i kanë pas dhomat ngjitur dhe ai mund t’i dëgjonte asaj dhe të gërhiturat në gjumë.

Përfytyroni çfarë sikleti ka pas dhe nuk ka fjetur gjithë natën.

Akoma më keq duhet të jetë sikelti në kthim.

Aldua sërisht në sedilje me Taulantin dhe Pollo nga pas duke i bë foto dhe duke ja çuar partisë për të qenë korrekt.

E gjithë kjo situatë është një sakrificë e pashoqe e delegacionit tonë në Bruksel.

Është një sakrificë që duhet t’ua njohim dhe t’i vlerësojmë.

Nuk është e lehtë të zbatosh urdhëra të tilla kur i jep Luli.

Se ndryshe qe koha jonë, kur urdhëra të tilla i jepte Doktori.

Ndaj duhet të dalim t’i presim në Rinas, për t’iu treguar se sakrifica e tyre nuk ka shkuar kot dhe ne do ua njohim atë, pavarësisht se BE e miratoi rezolutën dhe pa ata.

Ata e bënë të tyren.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje