Jari shpjegon shkrimin e tij për të gjithë ata që janë të paqartë

8 Tetor 2018, 19:08Antena TEMA

Sot Jari vendosi të mos bëjë postim, por të japë disa shpjegime për shkrimin e tij të gjatë, që kishte kohë që po e mendonte.

Pasi u publikua shkrimi, ai pati papritur një vërshim telefonatash, që nuk e kishte ndeshur kurrë më parë.

Të gjithë kishin një pyetje: Çfarë ka dashur të thotë në shkrim.

Për këtë arsye, Jari vendosi që në vend të një postimi të zakonshëm, të shpjegonte shkrimin e tij:

“Të nderuar lexues.

Jari ju sqaron!

Tema kryesore e shkrimit është krimi që ka kapur shtetin.

Ideja kryesore është shteti që nuk jeton dot pa krimin.

Subjekti i shkrimit merr shkas nga ngjarjet e përditëshme në vendin tonë.

Personazhi kryesor negativ është kryeministri, që mobilizon krimin kundër opozitës.

Personazhet e tjerë negativë janë ministrat dhe kriminelët e udhëhequr nga Taulant Balla.

Personazh pozitiv është Doktori, që lufton si Goliati kundër krimit.

Ndihmës i Doktorit është Luli, që bën sa mundet, edhe me produkte televizive kundër krimit.

Qëllimi i shkrimit është të sensibilizojë masat punonjëse për rrezikun e krimit, pasi siç dihet, krimi ka kapur shtetin dhe kur krimi kap shtetin, shteti është krim, dhe ne nuk duam që shteti të jetë krim.

Nga ana tjetër, shkrimi ka dhe qëllim t’u jap zemër demokratëve që të mos dorëzohen dhe t’i rezistojnë krimit të shtetit dhe shtetit të krimit.

Në fund të shkrimit ka një sërë rekomandimesh të mija për dëshmitarët e penduar që do të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Ka pasur disa keqkuptime, sikur bëhet fjalë dhe për dëshmitarë të penduar nga brenda PD, kundër Doktorit apo Lulit, por kjo është shpifje.

Është fjala për dëshmitarët e penduar që do të bëhen nga radhët e socialistëve në të ardhmen.

Përshembull, vajza nga Nikla do tregoj takimin me Taulant Ballën.

Një tjetër dëshmitar do tregojë darkën e Taulantit me pronarin e Toyota Yaris dhe pse implikuan demokratin tone që na ruante çadrën, si pronar.

Një dëshmitar tjetër do tregojë darkën e Taulant Ballës me një biznesmen që ka marrë koncesion dhe PPP, e kështu me radhë.

Pra, do të ketë një radhë të madhe njerëzish që do dalin dëshmitarë për Taulantin, dhe të gjitha ato foto e fakte që tani dalin fallco, më pas do dalin të vërteta.

Deri atëhere duhet të qëndrojmë fort, duhet të rezistojmë.

Ky është dhe mesazhi kryesor që kam dashur të jap në shkrim.

E bëj këtë sqarim për gjithë ata që nuk e kanë kuptuar mirë.

I juaji, Jari!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje