Lulzim Basha akuzon Romana Vlahutin se qendron pas tenderit për TVSH-në e bizneseve?

30 Tetor 2018, 19:46Politika TEMA

Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Rama se ia ka dhënë një zyrtareje europiane që ka punuar në Tiranë dhe familjarëve të tij, tenderin për kontrollin e faturimit të bizneseve.

Kreu i demokratëve nuk përmendi emra, por dha referenca që përkojnë me ish-ambasadoren e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila është vënë disa hërë nën akuzë nga eksponentë të opozitës, për shkak të betejës së saj për miratimin e reformës në drejtësi.

“Skandalin e paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike për aferën korruptive të Olsi Ramës dhe me gjasa të një shtetaseje të huaj që deri para pak kohësh ka shërbyer me detyra të larta në Shqipëri, si rezultat i të cilës një kompani kroate, në dhunim të rregullave minimale të konkurrencës, siç e kemi paralajmëruar, ka fituar një tender prej afro 14 apo 15 milionë eurosh, në procesin e menazhimit fiskal të vendit.

Prej më shumë se dy vitesh kemi paralajmëruar, në bazë denoncimesh konkrete, se kjo është një dhuratë e kryeministrit për vëllain e tij. Mekanizmi që është gjetur në këtë rast, fasada e një kompanie kroate, siç e denoncuam 5 javë më parë, vetëm fakton vërtetësinë e akuzave e denoncimeve që ne kemi bërë publike.

Shikoni vetëm një aspekt dhe jo thjesht që opozita i vuri gishtin dhe denoncoi se kjo do të ndodhë, kjo kompani do ta marrë, por edhe çmimi me të cilin e ka fituar, në limitet e fondit limit.

Për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet që i kushtojnë veprimtarinë e tyre luftës kundër korrupsionit, flamuri i kuq, drita e kuqe, indikatori, treguesi kryesor se një prokurim, një tender është i korruptuar, është kur ai fitohet në kufijtë e çmimit limit. Dhe kjo ka ndodhur dhe padyshim ky përbën një skandal të jashtëzakonshëm.

Tregon edhe shkallën e lartë të sofistikimit të korrupsionit të qeverisë Rama, ku arrin të përfshijë, me ndihmën edhe të faktorëve të tjerë të korruptuar jashtë vendit, kompani të huaja.

Por nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë denoncim. Një paralajmërim të qartë dua t’jua bëj sot fituesve të këtij tenderi, se do të jenë subjekt i menjëhershëm i dispozitave antimafia. Dhe i garantoj se nuk do të arrijnë të gëzojnë dot frytet e grabitjes, vjedhjes, në të cilën janë përfshirë si aksesorë të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tij”, tha Basha në një konferencë për shtyp, të organizuar në selinë e PD-së.(TemA)

1 komente në “Lulzim Basha akuzon Romana Vlahutin se qendron pas tenderit për TVSH-në e bizneseve?”

  1. Daniel says:

    Opozita ka shume te drejte. Prapa ketij tenderi eshte kompani kroate e sjelle nga Romana Vlahutin.
    Kriteret jane te percaktuara per kompanine kroate. Kriteret e ligjit shqiptar te prokurimit jane shkelur. Kete e ka bere me urdher Drejtoreshe Mirlinda Karcanaji, ushtarja e bindur e Edi Rames. Le te shpjegoje Drejtoreshe Mirlinda se si shpjegohet qe per kete procedure kriteri i kontratave te ngjashme u ul ne 5% nga 40% ? Pse ne te gjithe tenderat qe ka bere AKSHI kriteri i kontratave te ngjashme eshte 40% dhe vetem ne kete procedure prokurimi ky kriter u ul ne 5%? Kuptohet per te favorizuar kompanine kroate te paracaktuar per fitimin e ketij tenderi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje