Hetimet: "Il Padrino" i Vlorës u vra për hakmarrje, ekzekutimi u porosit nga Belgjika?

8 Nëntor 2018, 07:55Politika TEMA

Vrasja e Edison Harizajt ka ndodhur për hakmarrje. Kjo është pista kryesore mbi të cilën po heton policia për vrasjen e dyfishtë të së martës në Durrës ku mbeti viktimë Edison Harizaj dhe Genci Caci.

Hakmarrja ka ndodhur për një seri ngjarjesh kriminale që fillesën e tyre e kanë para viteve 2000 në Vlorë.

Për shkak të tyre Harizaj dhe një miku i tij po ashtu i përfshirë në këto ngjarje kriminale kanë qenë në shënjestër të vrasësve gjatë këtij viti.

Sipas hetimeve të deritanishme i zhdukuri në Vlorë Andi Xhaferri ishte caktuar që të mbante nën vëzhgim Harizajn dhe mikun e tij i cili më herët i kishte shpëtuar një atentati për të kuptuar rutinën e tyre, raporton BW.

Xhaferi ishte porositur t’i gjente banesat, makinat, vendet që frekuentonin më tepër në mënyrë që të ndërtohej një pritë për t’iu bërë atentat.

Për këtë detyrë që ai e kishte marrë nga Belgjika, Xhaferri kishte vënë në dijeni edhe shokun e tij Elton Troqe.

Por vetëm pak ditë pasi Xhaferri erdhi në Vlorë për të kryer porosinë e marrë dhe nisi të gjurmojë personat së bashku me mikun e tij u zbulua prej Harizajt dhe mikut të tij.

Dy të rinjtë humbën kontaktet me familjarët dhe dyshohet të jenë vrarë.

Fill pas kësaj ngjarje Harizaj u zhvendos nga Vlora në Durrës ku jetonte në një banesë me qira pranë zonës së Plazhit në Durrës jo shumë larg vendit ku u vra.

Nisur nga ky episod policia dyshon se vrasja e Harizajt, i cili ishte shënjestër i atentatit dhe i Genci Cacit është porositur nga Belgjika.

Është ende e paqartë nëse ekzekutimi është porositur me pagesë apo autori ka hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe ka kryer vetë ekzekutimin.

Autori i dyshuar është një person me precedentë penalë i dënuar për vrasje që ka mundur të arratiset nga burgu dhe prej kohësh strehohet në Belgjikë.

Ai cilësohet si njeri i rrezikshëm dhe pjesë e një bande kriminale në Vlorë.

1 komente në “Hetimet: “Il Padrino” i Vlorës u vra për hakmarrje, ekzekutimi u porosit nga Belgjika?”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje