Raportuesi për Shqipërinë në PE Kunut Fleckenstein ka reaguar për herë të parë pas mos dekretimit të Sandër Lleshajt në krye të ministrisë së Brendshme, nga ana e Presidentit Ilir Meta.
Në një konferencë për shtyp Fleckenstein tha se BE dhe Shqipëria duhan që të kenë një ministri të Brendshme funksionale, ndërsa ai tha se nuk është në dijeni të arsyeve se pse Meta nuk e dekreton Lleshin.
“Nuk do të guxoja të mbaja anë këtu…por kemi një interes të përbashkët Shqipëria dhe BE.
Që të kemi një ministri të Brendshme që të jetë krejtësisht funksionale.
Dhe kur themi funksionale them ministër.
Presidenti nuk ishte i bindur plotësisht dhe sot dëgjova se qeveria do t’ja japë të njëjtin propozim sërish.
Informacioni që unë kam rreth Lleshajt është i gjithë pozitiv, por nuk i di arsyet e presidentit, mund të ketë pasur anë të tjera që kanë ndikuar, nuk e paragjykoj, por di nga organizatat ndërkombëtare që Lleshaj ka CV dhe është i pranueshëm, nuk kam përgjigje tjetër për këtë.
I njoh këtë politikanë dhe shpreoj se do të ketë një zgjidhje për këtë çështje”, tha Fleckenstein.
Ndërkohë ditën e djeshme në një njoftim në faqen e saj zyrtare, Ambasada bënte me dije se duhet një Ministri e Brendshme funksionale, duke lënë të kuptohet kështu, se Ilir Meta duhet të dekretonte Sandër Lleshin si ministër.
“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët.
Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen.
Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme.
Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë.
Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar” – thuhej në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë. (TemA)