Nga Dashnor Kaloçi
“Gazeta e re, “ExLibris”, vjen me një synim të qartë: të nxisë dhe të mëbshtesë mirëkuptimin midis shkrimtarit shqiptar dhe lexuesit të tij. Të bindur se kjo mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin mes shkrimtarëve, kritikëve, studjuesëve, përkthyesëve dhe botuesëve, kjo gazetë do të jetë e hapur përcilindo që ia do të mirën këtij vendi dhe kulturës së tij në këto kohra të vështira për librin”. Kështu shkruan mes të tjerash në fund të editorialit të tij botuesi i njohur i “ONUFRI”-t Bujar Hudhri, në numrin e parë të gazetës së tij “EksLibris” e cila doli sot në qarkullim dhe u shpërnda fillimisht për publikun dhe lexuesit e shumtë që frekuentonin ambientet dhe stendat e Panairit të 21 të Librit 2018 në Pallatin e Kongreseve.
Daljen e një gazetë në tregun shqiptar të tejmbushur me dhjetra e dhjetra tituj, çdokush mund ta quante si një aventurë, por mendojmë se kjo nuk qëndron, kur kemi parasysh faktin se kemi të bëjmë me një gazetë letrare e kulturore, për të cilat gjithmonë ka vënd dhe uri nga lexuesit e shumtë që duket se gjithnjë e më shumë po i braktisin gazetat me kahje nga politika e që pak dallim kanë nga njëra tjetra. Sidoqoftë botuesi Hudhri duhet përgëzuar për këtë nismë dhe i urojmë suksese e rrugë të gjatë në këtë ndërrmarje të tij, ashtu siç ka ndodhur edhe me Shtëpinë Botuese “Onufri” që ai drejton prej 25 vjetësh, ku në 20 vite ka pasur ekskluzivitetin e librave të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare. Po përse vjen pikërisht tani kjo gazetë në duart e lexuesit shqiptar dhe ç’synon ajo të perçojë tek ata? Lidhur me këtë dhe të tjera, synon të na njohë editoriali i saj që e kemi shkëputur nga numri i parë i kësaj gazete javore, e cila nga java tjetër do të jetë e pranishme në treg në të gjithë vëndin dhe me një botim luksoz.
Për një mirëkuptim midis shkrimtarit dhe lexuesit
Nuk ka dyshim se një nga humbësit më të mëdhenj që nga rënia e komunizmit, është shkrimtari shqiptar. Kjo mund të tingëllojë paradoksale, por historia e këtyre tre dekadave të dëshmuara tashmë. Gjithmonë flasim për mijra e mijra shqiptarë që morrën rrugët e botës duke shkuar si klandestinë. Por, a e marrim me mënd se libri ishte i pari që u hoq nga bagazhi i tyre? Sa mijra lexues të tyre kanë humbur shkrimtarët shqiptarë? Si do të ishte pozita e shkrimtarit shqiptar, pa këtë zhvendosje të popullsisë jashtë vëndit? Apo nga zonat rurale drejt qyteteve të mëdha? Sepse vetkuptohet, në të gjitha këto lëvizje që sjellin ndryshime të dramatike në jetët në vazhdim, libri zor se mund të jetë në vëndin që i takon. Edhe në qoftë se sistemohen në punë, apo gjejnë strehë, kjo e vështirëson dhe komunikimin e shkrimtarit, gati e bëri të pamundur. Por nuk është vetëm kjo.
Një nderlikim tjetër për shkrimtarët shqiptarë ishte futja e letërsisë së huaj të ndaluar nga regjimi i dikurshëm. Edhe ajo ashtu erdhi: klandestine, përkthyer me nxitim për të shuar etjen për lexuesit shqiptar. Shumë botues kanë bërë një punë të lavdërueshme, duke sjellë në shqip ato libra që pa të drejtë u ishin mohuar në vite lexuesit. Por me dhimbje duhet të pranojmë që kjo e largoi lexuesin nga letërsia shqipe që botohej jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ajo krijohej në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Janë fare pak ato botues që e kanë mbështetur shkrimtarin shqiptar në këto vite. Por vetmia e librit shqip vazhdon ende dhe vëndi i shkrimtarit shqiptar nuk është aty ku është kultura jonë.
Gazeta e re, “ExLibris”, vjen me një synim të qartë: të nxisë dhe të mëbshtesë mirëkuptimin midis shkrimtarit shqiptar dhe lexuesit të tij. Të bindur se kjo mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin mes shkrimtarëve, kritikëve, studjuesëve, përkthyesëve dhe botuesëve, kjo gazetë do të jetë e hapur përcilindo që ia do të mirën këtij vendi dhe kulturës së tij në këto kohra të vështira për librin.
Urime Bujar Hudhri! Një gazete shume e nevojshme! Suksese!