Regjisori i njohur italian, Bernardo Bertolucci, është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Mjeshtri i kinemasë italiane ka vënë firmën e tij në një sërë filmash të suksesshëm të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, si “1900”, “Ëndërrimtarët”, “Tango e fundit në Paris”, “Perandori i fundit” (film që ka marrë 9 çmime Oskar) etj.
Bertolucci ndërroi jetë në Romë, pas një beteje të gjatë me kancerin. Ai i ka kaluar 10 vitet e fundit të jetës në karrige me rrota, pas një operacioni të pasuksesshëm të hernies diskale.
Bertolucci ka qenë një nga figurat kryesore të kinemasë së viteve ’60 në Itali, krah Antonionit, Fellinit dhe Pasolinit. Me filmat e tij, ai ia doli të hynte në Hollivud, ku filmi më i suksesshëm i tij është vlerësuar “Perandori i fundit”.
Bertolucci ka lindur në Parma, në vitin 1941. I biri i një poeti dhe një mësueseje, ai u rrit në një mjedis të mbushur me letërsi dhe art. Babai i tij, Atilio, ishte mik i Pier Paolo Pasolinit, në atë kohë romancier dhe poet. Në vitin 1961, Pasolini e punësoi Bertolucci-n, aso kohe vetëm 20 vjeç, për filmin e tij të parë. Ky do të shënonte hapin e parë të suksesshëm në kinematografi, ndërsa mbështetja e Pasolinit do ta shtynte drejt një tjetër suksesi: filmi i parë si regjisor “La Commare Secca”, vetëm një vit më pas.
Bertolucci vazhdoi të kontribuonte si shkrimtar dhe ideator, sidomos në filmin e Sergio Leone-s, “Na ishte njëherë Perëndimi”. Por karriera e tij si regjisor filloi ngjitjen me “Para Revolucionit” (1964), dhe më pas me “Konformisti” (1970), të dy filma që vunë në pah angazhimin e Bertoluccit në politikën radikale të majtë. “Kam jetuar në një lloj ëndrre të komunizmit”, ka thënë ai më vonë.
“Konformisti” gjithashtu shënoi fillimin e bashkëpunimit të Bertoluccit me kinematografin Vittorio Storaro. Së bashku, ata do të krijonin një varg kryeveprash vizualisht joshëse, duke përfshirë “Tango e fundit në Paris”, me Marlon Brando dhe Maria Schneider, film që e bëri Bertoluccin të njohur ndërkombëtarisht dhe e ndihmoi të fitonte vëmendjen e emrave të njohur si Robert De Niro, Gérard Depardieu dhe Burt Lancaster për filmin epik “1900”.
“Perandori i fundit”, i mbështetur nga producenti britanik Jeremy Thomas, u bë suksesi më i madh i çmimeve të Bertoluccit, kjo edhe për shkak të lejes që iu dha për të xhiruar brenda qytetit të ndaluar të Pekinit, një gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Duke parë këtë sukses, Bertolucci dhe Thomas e vijuan bashkëpunimin edhe në tre filma të tjerë. Në filmin e fundit, “Ëndërrimtarët”, Bertolucci iu rikthye përzierjes së pazakontë të politikës radikale dhe erotizmit, me të cilën ai kishte lënë gjurmë një dekadë më parë në filmin “Para revolucionit”.
Filmi i fundit i përfunduar nga Bertolucci është “Ti dhe unë”, një ekranizim i romanit të Niccolo Ammanitit. Bertolucci është martuar në vitin 1978 me producenten Clare People, por nuk kanë pasur fëmijë. (TemA TV)