Finalja e Kupës Libertadores po e humbet shumë bukurinë e saj dhe njëkohësisht po kthehet në një çështje duke qenë se pas dy shtyrjesh për shkak të sigurisë, u mor vendimi përfundimtar që finalja e dytë të luhet në “Santiago Bernabeu” të Spanjës, duke u larguar përfundimisht nga Argjentina.
Ky lajm, natyrisht u prit mjaft mirë nga klubi i Boka Zhuniors pasi ndeshja ën stadium neutral mund t’i favorizojë, por mesa duket nuk do të jetë kaq e lehtë. Klubi i River Plejtit ka refuzuar që të luajë finalen në Madrid dhe janë shprehur se duan një zgjidhje tjetër duke qenë se nuk ka sens që të luhet atje.
Sipas tyre, është një ndarje e padrejtë duke qenë se takimi i parë u luajt në fushën e Bokas dhe nuk mund të pranohet që në stadiumin e Riverit mos të ketë ndeshje. Ata kanë edhe hallin e tifozëve, të cilët kanë paguar për biletat e ndeshjes dhe nuk kanë mundësi që të udhëtojnë në drejtim të Madridit për të ndjekur takimin.
Në një reagim zyrtar të bërë nga klubi i Riverit, thuhet se trazirat jashtë stadiumit, duhet të jenë përgjegjësi e autoriteteve dhe jo e klubit, duke qenë se klubi ka detyrë të sigurojë mbarëvajtjen e ndeshjes, vetëm brenda stadiumit dhe për këtë arsye, refuzohet kategorikisht që finalja të luhet në Madrid.