Sulmuesi më i ri i marrë nga Milani, Lucas Paqueta, ka mbërritur zyrtarisht në Milano për të kryer testet mjeksore tek kuqezinjtë.
Të shtunën në mbrëmje nga Rio de Janeiro, blerja e re braziliane e Milanit u ul në aeroportin e Malpensës.
Në mbrëmjen e sotme ai do të jetë në San Siro për të parë ndeshjen që Milani do të luajë kundër Torinos, ku do ta shijojë së bashku me tifozët.
Lucas Paqueta do të kryejë vizitat mjekësore të hënën si dhe do të qëndrojë disa ditë në Milano për të kërkuar një shtëpi para se të kthehet në Brazil.
Ai do të jetë pjesë e ekipit në fillim të janarit ku do të prezantohet me fanellën kuqezi dhe pastaj do të jetë në dispozicion të trajnerit Gattuso.
Sapo ai u ul në aeroportin e Malpensës, lojtari brazilian tregoi gjithë kënaqësinë e tij me ardhjen në Milano.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu, jam në Milano për historinë e klubit”, ishin fjalët e parë të blerjes më të re të Milanit. (TemA)