Siç duket shkarkimi i Jose Mourinhos nga posti i trajnerit ka pasur ndikimin e vet të menjëhershëm, pasi Manchester Unitedi nën udhëheqjen e trajnerit në detyrë, Ole Gunnar Solskjaer, ka mposhtur bindshëm 5-1 Cardiffin në stadiumin e qytetit në Cardiff.
Solskjaer e mori drejtimin e skuadrës së Unitedit më mesjavë pas shkarkimit të portugezit Jose Mourinho dhe humbjes në derbi ndaj Liverpoolit një javë më parë, dhe menjëherë dha efekt duke e mposhtur Cardiffin në ndeshjen e tij të parë në stol.
Në këtë takim pamë një United më të organizuar dhe, ç’është më e rëndësishmja me futboll sulmues, për çka Mourinho ishte kritikuar.
Marcus Rashford e kaloi skuadrën në epërsi me një perlë nga goditja e dënimit në minutën e tretë.
Ander Herrera e dyfishoi epërsinë e Unitedit, edhe ky me një perlë nga largësia.
Vendasit reaguan duke u kthyer në lojë përmes Camarasa, i cili shënoi nga penalltia në minutën e 38-të.
Për t’ua kënaqur sytë tifozëve të “Djajve të kuq” me atë që u kishte munguar, u përkujdes Anthony Martial, kur konkretizoi me gol një super aksion pesë minuta para pushimit mes pjesëve.
Jessie Lingard shënoi nga penalltia, të cilën vetë e fitoi, në minutën e 57-të.
Në fund të takimit, Lingard realizoi edhe një herë, duke e vulosur fitoren e thellë të Unitedit.
Kjo ishte qershia mbi tortë për një lojë fantastike dhe të dominuar nga Unitedi.
Manchester Unitedi tani grumbullon 29 pikë dhe ngrihet në vendin e 6-të, me 8 pikë më pak se vendi i katërt Chelsea dhe 19 më pak se lideri Liverpool.
Cardiffi mbetet në vendin e 17-të me 14 pikë