Teuta dhe Laçi kanë dhuruar një përballje spektakolare mes tyre në Durrës, një sfidë e cila është zhvilluar me një ritëm të lartë e luftë sportive që nga minuta e parë e deri në të fundit shtesë, por që ka dhënë si rezultat një barazim 1-1 mes skuadrave.
Kurbinasit i kanë rezistuar mirë trysnisë së Teutës e cila kërkonte të mbronte vendin e dytë dhe kanë goditur me një kundërsulm vdekjeprurës, të finalizuar me të zakonshmin Shtubina.
Nga ai moment ka filluar një “shtetrrethim” i mirëfilltë para portës së Selmanit, me Teutën që provoi në çdo mënyrë për të gjetur barazimin.
Goli erdhi vetëm falë aftësive të Kallakut, gjithnjë e më shumë lojtari që bën diferencën te durrsakët.
Ai shënoi ndaj ish-skuadrës së tij me një goditje dënimi spektakolare, duke realizuar barazimin në minutat e fundit të ndeshjes e duke bërë që në vërshëllimën përfundimtare, për mënyrën se si shkoi ky takim, të dy palët të dilnin më të lumtura nga fusha e lojës për pikën që morën.