U raportua se u vetëvra, i ati akuza policisë: Di të vërtetën, drejtësia e korruptuar

31 Dhjetor 2018, 19:54Bota TEMA

Rreth 3 mijë demonstrues boshnjakë marshuan të dielën për disa orë në qytetin veriperëndimor të Banja Lukës për të kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e vrasjes së një të riu nëntë muaj më parë.

Demonstruesit nuk i shmangën dot përplasjet me forcat e policisë, të cilat u mobilizuan duke i shpërndarë ata, madje duke arrestuar dhjetëra të tjerë. Përkrahësit e demonstratës thonë se do të bllokojnë edhe mbajtjen e koncerteve në natën e ndërrimit të viteve.

Mijëra protestues u mblodhën të dielën në qytetin e Banja-Lukës në Bosnje-Hercegovinë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të brendshëm boshnjak, Dragan Lukaç. Forcat speciale të policisë shpërndanë por edhe arrestuan disa demonstrues për prishje të qetësisë publike, ndërsa po protestonin ndaj neglizhencës së organeve të drejtësisë për të zbardhur vrasjen e një të riu.

Mes të arrestuarve ishte edhe i ati i viktimës, Davor Dragiçeviç, që prej nëntë muajsh proteston përditë në sheshin kryesor të qytetit për të mësuar të vërtetën dhe për të shuar dyshimet se policia është e përfshirë në ngjarje.

Djali i tij, Dejvid, humbi jetën në mars të këtij viti. Policia fillimisht raportoi se bëhej fjalë për vetëvrasje, por më vonë konkludoi se viktima edhe mund të ishte ekzekutuar. Deri tani, prokurorët ende nuk kanë paraqitur asnjë provë për secilin variant.

Protesta të ngjashme në solidarësi me të atin e viktimës u organizuan këto javë edhe në Kroaci dhe Serbi.

Disa politikanë opozitarë boshnjakë iu bashkuan protestës, ndërsa lideri serb i Bosnjës tha të dielën se kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e ministrit të brendshëm nuk mund të plotësohej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje