Jari zhvendos vëmendjen tek mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD që do ndajë postet e reja

16 Janar 2019, 18:21Antena TEMA

Lajmet se Luli do të mblidhte të shtunën Këshillin Kombëtar të PD për të zgjedhur nënkryetarët, sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryesisë e re të parties, e kishte vënë në mendime të forta Jarin.

Në fakt, nuk kishte asnjë njoftim publik, por njëri nga 3 demokratët e Kombinatit e kishte lajmëruar, dhe ai i besonte atij, sepse i kishte dalë gjithmonë llafi.

Halli i Jarit ishte i thjeshtë, donte të zgjidhej në Kryesi, por nuk kishte se me kë ta qante.

Doktorit nuk ia kërkonte dot, se ai hiqej sikur nuk merrej më me partinë, kur thoshte se PD e ka prej 6 vjetësh kryetarin e saj, kurse ai kishte dhënë dorëheqjen.

Ndërsa Luli, sa herë i kishte kërkuar ndonjë gjë, i thoshte që duhet të fliste me Doktorin, se ai vetëm firmën kishte.

Ndaj i mërzitur sa më s’bëhet, Jari mori një vendim të rëndësishëm, të mos merrej ca ditë me politikë të madhe, duke bërë mesazhe për demokratët, por të zgjidhte një herë hallin e vet.

Dhe me këto mendime të zymta në kokë, mori në telefon demokratin tjetër të Kombinatit, për t’i marrë një mendje.

-Jari të shqetëson. Çfarë bëhet me këto zgjedhjet në PD? Si mendon, do fitojnë më të mirët apo jo?

-Po ça të them unë, o shef. Po pate ndonjë mendje për vete duhet të nxitosh e t’i gjesh njeri kunatit të Lulit, se ndryshe nuk ke gjë në terezi.

Po nuk e kape dot në telefon, duhet të shkosh vetë apo t’i çosh dikë tek lokali i Dor Telitit, se aty i bëkan pazaret.

Keta çunat thonë se i paskan mbyllur të gjitha, dhe shumë pak hapësirë ka ngelur.

Jari u prish në fytyrë, por nuk e dha veten.

-Po di gjë çfarë vendesh kanë ngelur pa u caktuar, që të di si të veproj, tha me zë të mekur?

-Po ndonjë anëtar të thjeshtë Kryesie, ose drejtor departamenti, po kape shefo, se këto të tjerat kanë kryer punë.

Ben Ristani e ka mbledhur mendjen që nuk do të jetë më sekretar i Përgjithshëm, dhe Luli po mëdyshet mes Salianusit e Flamur Nokës.

Ndërsa kjo Albana Vokshi është bërë si Andon Ledhi, që do të bëhet patjetër nënkryetare, dhe nuk është çudi që të fitojë.

Po nuk do të ketë ndonjë befasi, se Erioni ka thënë që nuk do të bëjmë eksperimente, por do të caktojmë më besnikët dhe ata që paguajnë më shumë për çdo post.

Duke e falenderuar me gjysmë zëri, Jari mori në telefon demokratin Thërmija, që e vlerësonte për eksperiencën e tij, dhe e pyeti se çfarë flitej në Durrës për mbledhjen e së shtunës.

-Për nder, ti je i pari që po ma thua se ka mbledhje, por këtu demokratët nuk presin ndonjë gjë të madhe.

Maksimumi është që të na bëjnë Gaz Oketën anëtar Kryesie, por ky nuk do të jetë lajm i ri, sepsi Gazi tani është bërë xhaketë e kthyer.

Por nëse ke ndonjë hall për vete, unë të sugjeroj që të flasësh me Fahri Balliun, se ne atë kemi si pikë referimi në Durrës, i vetmi që të mbaron punë.

Se ai na ka caktuar edhe kryetarin e partisë, edhe kandidatin për kryetar bashkie, por që i ka njësoj miq, edhe kryetarin e LSI-së, edhe Gjushin, ndërkohë që u ka marrë lekë të gjithëve.

Prandaj po deshe të dish çfarë do të ndodhë me PD-në, opozitën dhe me veten tënde, ja ku e ke zgjidhjen.

Duhet ta mbyllësh me Fahriun.

Pasi dëgjoi këto fjalë, Jarit i mbeti telefoni në dorë, pasi nuk po e kuptonte qartë nëse duhej të gëzohej apo të mërzitej me këtë që i tha demokrati Thërmija.

1 komente në “Jari zhvendos vëmendjen tek mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD që do ndajë postet e reja”

  1. Raul says:

    Mos harroni një post dhe për Muli Geringu gangsteri i Pd dhe Strazua me patllake

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje