Një auditim 6-mujor i performancës, të cilësisë dhe shërbimeve studentore, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vë në dukje se vet Ministria e Arsimit, ndoshta pa kuptuar është kthyer në kundërshtare të ligjit për Arsimin e Lartë.
“Ne mund të sjellim këtu rastin e udhëzimeve të ministrit për pranimet në universitet, VKM-në e propozuar nga ministria përgjegjëse që përcaktonte mënyrën e tarifimit të studentëve mbetës, që përsëri nuk është në tagrin e MASR-së por të vet IAL-ve. Në gjykimin tonë, problem nuk është ligji, por aktet nënligjore që kanë dalë në zbatim të tij, të cilat ose nuk e kanë kuptuar mirë frymën e ligjit, ose duke nxjerrë akte të tilla e vetësaboton ligjin për Arsimin e Lartë”, tha Rinald Muça, drejtor i Departamentit të Auditimit të Performancës në KLSH.
Nga ana tjetër, edhe institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) janë fajtore, pasi edhe pse ligji u jep atyre autonomi të plotë, sërish qëndrojnë pasive dhe nuk kanë përmbushur rolin e tyre.
“Drejtuesit e këtyre universiteteve, ende nuk kanë përshtatur mendësinë e tyre me atë të ligjit të ri, i cili kërkon një universitet konkurrues në tregun e dijes. Në fakt, nga mënyra sesi kanë operuar nga viti 2015, kur u miratua ligji, e këtej kanë dështuar me sukses për ta krijuar këtë model”, tha më tej Rinald Muça.
Sipas ligjit për Arsimin e Lartë, universitetet janë ato që vendosin tarifat e shkollimit, ndërsa shteti financon me “grant për mësimdhënien”, për zhvillimin e politikave, dhe me “grant shkencor” të gjitha institucionet e arsimit, në varësi të projekteve që këto të fundit propozojnë.
Por, ku shkojnë këto të ardhura?
“Shërbimet që ofrohen nga universitetet, të vlerësuara nga studentët nuk janë në nivelin e duhur, pavarësisht se universitetet shpenzojnë një pjesë të të ardhurave të tyre për to. Pjesën më të madhe e kanë për paga dhe shërbime personeli. Projektet për kërkim shkencor të universiteteve të ndryshme në rang vendi kanë qenë inekzistente, ose kanë raportuar projekte fiktive”, tha Muça.(TCH)
Nuk e kuptoj pse Reinald Muca me formim solid ne finance me pervoje ne mesimdhenie me pervoje disa vjecare ne KLSH me kulture te pergjitheshme mjaft te plotesuat nuk propozohet per kryetar te KLSH. Konsiderojeni te nderuar propozues!