Skaneri i Superligës shqiptare: Gara për kurorën dhe tmerri i fundlistës

28 Janar 2019, 09:23Sport TEMA

Një analizë e plotë e 10 ekipeve të kampionatit shqiptar në të dy fazat e para të tij: Risitë e problemet e çdo skuadre

Nga Fatjon Baze

Pas përfundimit të mini fazës përgatitore të dimërit, të gjithë klubet e Kategorisë Superiore i janë rikthyer fushës së lojës për të nisur gjysmën e dytë të kampionatit. Një pjesë e dytë ku pritet që të ketë një rivalitet mjaft të ashpër si në luftën për titullin kampion – ashtu edhe për Kupat e Europës dhe për mbijetesën.

Përveç mini fazës përgatitore, ajo që u ka shërbyer edhe më shumë skuadrave të Superiores ka qenë përforcimi me elementë të rinj. Të 10-ta ekipet kanë ndërhyrë në merkato duke afruar disa lojtarë në repartet ku ato kanë pasur mundësi për tu përforcuar edhe më shumë.

PARTIZANI

Të kuqtë janë skuadra që udhëheq me meritë Kategorinë Superiore, duke i mbyllur dy fazat e parë në vendin e parë me 37-pikë të grumbulluara, tre më shumë se vendi i dytë. Synimi i 15 herë kampionëve të vendit është vazhdimi i kësaj rruge pozitive për të bërë realitet një ëndërr që po pritet prej vitesh nga tifozeria e kuqe: fitimi i titullit kampion.

Ky konsiderohet si viti ideal për Partizanin për tu shpallur kampion pasi fryma dhe loja e ekipit është shumë optimiste për të bërë realitet këtë ëndërr. Për gjysmën e dytë të kampionatit Partizani e nisi me rinovime duke nënshkruar një kontratë të re me arkitektin kryesorë të ekipit, i cili ka një meritë mjaft të madhe për ecurinë e “demave të kuq”, siç është trajneri Skënder Gega. Trajneri tropojan e mori drejtimin e klubit kryeqytetas në fillim të sezonit duke firmosur një kontratë 6 mujore. Por, me punën e shkëlqyer që ka bërë në drejtimin e ekipit u arrit akordi që të rinovonte kontratë deri në vitin 2020. Një marrveshje që u mirëprit mjaf mirë si nga drejtuesit ashtu edhe nga tifozeria e kuqe që përshëndeti këtë kontratë me një nga ish legjendat e kësaj skuadre.

Por, presidenca e kuqe gjatë kohës që Partizani kryente përgatitjet në Antalia të Turqisë punoi edhe për përforcime dhe deri më tani në dispozicion të trajnerit Skënder Gega janë vendosur katër lojtarë të rinj. Bëhet fjalë për Fatjon Jusufi që erdhi nga Renova, Alesio Hyseni nga Flamurtari, Lum Rexhepi nga KuPS i kampionatit filandez si edhe mesfushori Dilaver Duka. Megjithatë, përpos afrimeve nuk munguar edhe spasrtime ku Alma Abo Uakili, Renato Gojkoviç, Rron Statovci dhe Senad Hysenaj nuk do të jenë më pjesë e Partizanit.

Ajo që mbetet një problem të ambienti i kuq është se ende deri më tani nuk kanë gjetur njeriun gol. Bomberi që prej shumë kohësh po i mungon Partizanit nuk është gjetur ende, por drejtuesit e kuq deri në përfundim të merkatos janë duke punuar për t’i gjetur trajnerit njeriun e duhur në repartin ofensiv.

KUKËSI

Ashtu si Partizani edhe Kukësi i kreu përgatitjet e saj në Antalia, të cilët gjithashtu janë ekipi pretendet për të fituar titullin e dytë në historinë e klubit. Verilindorët ndodhen në vendin e dytë në tabelën e klasfikimit me vetëm 3 pikë larg të kuqve dhe i kanë të gjitha shanset për të kapur vendin e parë.

Presidenti i skuadrës Safet Gjici i ka plotësuar të gjithë kërkesat trajnerit Armando Cungut në merkaton e janarit duke i afruar elementë shumë cilësorë që kanë qenë ndër më të mirët në dy fazat e para të Kategorisë Superiore. Kukësi bëri të mundur afrimin e dy elementëve më të mirë të skuadrës së Luftëtarit të cilët i morën shërbimet e mesfushorit Eduart Rroca si dhe të sulmuesit Vasil Shkurtaj. Dy lojtarë mjaft premtues të cilët kishin oferta edhe nga klube të tjera të Superiores, por që tek Kukësi u treguan me të shpejtë duke i siguruar shërbimet e tyre. Gjithashtu, tek verilindorët është rikthyer Kristi Joti që ishte në huazim tek ekipi i Tomorit në Kategorinë e Parë dhe afrimi i Faton Xhemaili që vjen nga rradhët e skuadrës së Radnik Surdulica. Ndërkohë, ka pasur edhe një numër të madh largimesh duke nisur që nga Haris Harba, Dino Shpehar, Vangjel Zguro dhe Donjet Shkodra.

Deri në përfundim të merkatos pritet që surprizat të mos mungojnë tek Kukësi pasi nuk përjashtohet mundësia për ndonjë tjetër afrim.

Skuadra e Teutës padyshim mund të cilësohet si një nga ekipet më të spikatura në dy fazat e para të kampionatit. Bregdetarët kanë zhvilluar një gjysmë të parë të kampionatit për tu admiruar dhe një meritë të madhe ka padiskutim edhe trajneri Bledi Shkëmbi.

Për teknikun korçar i cili ka qenë një ndër futbollistët më të mirë të futbollit shqiptar – kjo është eksperienca e parë e tij si trajner në Kategorinë Superiore pas aventurës së sukseshme në kampionatin kosovar me ekipin e Kosovës. Presindenti Edmond Hasanbelliu i dha çelsat e ekipit Shkëmbit që në nisje të sezonit dhe ai deri më tani e ka shpërblyer plotësisht besimin e presidencës durrsake. Shkëmbi ka ndërtuar një ekip me elementë të rinj që kanë një talent të madh të ndërthurur edhe me eksperiencën e disa futbollistëve që kanë vite që luajnë në Superiore duke ndërtuar një grup cilësorë dhe rezultativ.

“Djemtë e Detit” ndodhen në vendin e tretë në tabelën e renditjes me 33 pikë të grumbulluara dhe objektivi i tyre kryesorë është pjesmarrja në Kupat e Europës. Por, edhe pse ky është objektivi kryesorë me ecurinë që Teuta ka treguar duke mos pasur shumë diferenca me Partizanin dhe Kukësin nuk duhet të përjashtohet mundësia që edhe ata të jenë në garë për në luftën për titullin kampion.

Edhe durrsakët në këtë merkato janari kanë bërë disa ndërhyrje në merkato dhe futbollisti i parë që afruan ishte mbrojtësi Erlis Frashëri i cili pas një performance mjaft të mirë tek skuadra e Kamzës u ritkhye tek Teuta. Ndërkohë, arriti që mbante në ekip sulmuesin Latif i cili pas dështimit të transferimit tek ekipi i Shakhtyor Soligorsk në kampionatin bjellorus u rikthye sërish tek Teuta. Ndërkohë, nga bregdetarët janë larguar Bojan Gjorgievski, Arsid Kruja, Jurgen Peqini, Jurgen Vogli dhe Edison Ndreca.

SKËNDERBEU

Kampionët në fuqi të kampionat po kalojnë një moment të errët ku muaji dhjetor ishte një tregues i qartë i krizës së rezultateve duke mos fituar asnjë takim. Ky vit pati një ndryshim të madh në skuadrën korçare ku u larguan një numër i madh titullarësh së bashku me trajnerin Ilir Daja. Një ndikim në “eksodin” e largimeve tek bardhekuqtë e pati fakti se korçarët janë dënuar nga UEFA me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës dhe shanset që ata të dalin të pafjshëm nga ky proçes janë të pakta. Me largimin e shumë lojtarëve dhe trajnerit, presidenti Ardjan Takaj ja besoi drejtimin ekipit ish portierit Orges Shehi i cili ka eksperiencën e tij të parë në këtë aventurë të re. Fokusi i tij dhe presidencës ishte afrimi i talentëve të rinj duke nënshkruar kontrata afatgjatë me qëllim për të përfituar nga shitja e tyre në tregun e huaj.

Në dy fazat e para korçarët renditen në vendin e katërt në tabelën e renditjes me shtatë pikë larg vendit të parë dhe performanca e tyre ka bërë që shumica të mos ketë më besim se kjo skuadër të jetë në luftë për titullin kampion – edhe pse presidenti së bashku me stafin kanë deklaruar se do të luftojnë deri në fund për të mbrojtur titullin kampion. Edhe në merkaton e janarit drejtuesit e “ujqërve të dëborës” e kanë pasur fokusin tek talentët duke afruar tre futbollistë të cilët janë, Elmir Asani, Shqiprim Taipi dhe Idriz Toskiç, ndërsa lojtari i vetëm që është larguar është sulmuesi Realdo Fili në drejtim të skuadrës së Luftëtarit.

Gjithsesi, ajo që po mban peng të ardhmen e klubit të Skënderbeut është vendimi i CAS i cili do të vulosë të ardhmen e tyre.

Laçi bëri një nisje spektakolare të sezonit nën drejtimin e trajnerit Artan Mërgjyshi, i cili i udhëhoqi krubinasit në 10 ndeshjet e para ku arriti që të regjistronte 4 fitore, 4 barazime dhe dy humbje, duke patur ekuilibër të plotë përsa i përket golavarazhit, me 8 realizime dhe po kaq gola të pësuar. Më pas drejtimin e ekipit e mori zëvendësi i tij Migen Memelli që qëndroi shumë pak kohë – derisa në krye të skuadrës u vendos Besnik Prenga.

Prenga nuk ishte një emër i panjohur në ambinetin kurbinas pasi e kishte drejtuar edhe njëherë tjetër këtë skuadër – kështu që nuk e kishte të vështirë që të përshtatej me ekipin dhe ambientin. Edhe nën drejtimin e tij Laçi pati një ecuri mjaft të mirë duke qëndruar brenda objektivit që është pjesmarrja në Kupat e Europës. Ata renditen në vendin e pestë në renditje me pikë të barabartë me skuadrën e Skënderbeut me 30 pikë të grumbulluara dhe i kanë të gjitha shanset që të arrijnë objektivin e vendosur në fillim të sezonit.

Në këtë merkato edhe ata kanë bërë disa ndërhyrje por ende nuk kanë gjetur sulmuesin e duhur, por që janë duke punuar për të siguruar një bomber deri në përfundim të merkatos dimërore. Tek bardhezinjtë janë afruar, Edmir Sali, Irlian Ceka dhe Enis Çokaja, ndërsa janë larguar Klevis Hasanbelli, Andi Hadroj, Xhevahir Sukaj, Marjan Altiparmakovski dhe Erjon Dragoj.

FLAMURTARI

Skuadra e Flamurtarit mund të konsiderohet si ekipi që ka dështuar deri në këtë fazë të kampionatit. Klubi vlonjat ishte një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës duke afruar në ekip një numër të madh lojtarësh që kanë një eksperiencë të gjatë në Superiore – si dhe vendosën në krye të ekipit trajnerin kampion të Superligës, Ilir Dajën. Kuqezinjtë e nisën sezonin me premtime të mëdha duke deklaruar se do të ishin skuadra pretendete që do të fitonte titullin, por në përfundim të dy fazave të para gjithçka rezultoi një “flluskë sapuni”. Tek vlonjatët sot situata është tepër e rendë pasi presidenti Sinan Idrizi është në një konflikt të hapur me Bashkinë e Vlorës pasi kërkon pronësinë e klubit dhe ka paralajmëruar se nëse situata nuk ndryshon ai do të largohet nga financimi i skuadrës.

Ndërkohë, futbollistët janë duke u përballur me një situatë të paprecedentë ku prej më shumë se tre muajsh nuk janë paguar dhe situata ka degraduar deri në atë pikë sa drejtuesit e klubit i kanë paralajmëruar se nëse ata flasin do të gjobiten. Kjo e ka bërë të rënduar situatën dhe tashmë objektivi i vetëm që u ka mbetur është që të arrijnë të marrin pjesë në Kupat e Europës. Flamurtari renditet në vendin e gjashtë në renditje me 28 pikë të mbledhura dhe në rast se situate ndryshon gjithçka është e mundur për të arritur objektivin.

Sa i përket merkatos gjithçka ka qenë e vakët ku afrimi i vetëm është ai i mbrojtësit Lejdi Liçaj, ndërkohë janë larguar Alesio Hyseni, Kristian Sirgi dhe Edmir Sali.

Por, ajo që mbetet primare tek ambineti kuqezi është stabilizimi i situatës në mënyrë që e ardhmja të mos mbetet peng.

TIRANA

Edhe Tirana nuk po kalon një periudhë të mirë në kampionat të cilët pavarsisht emrit të madh ndodhen në zonën e ftohtë të renditjes dhe rrezikojnë për të rënë nga Kategoria. Bardheblutë pas një viti të errët në historinë e klubit që ishte rënia për herë të parë në histori në një kategori më poshtë – u ngritën këtë sezon në Superiore dhe njeriu që i udhëhoqi ishte trajneri Brazilian Ze Maria, i cili pas një viti në Kategorinë e Parë, në Superiore aventura e tij nuk pati sukses. Ish lojtari i skuadrës së Interit qëndroi në krye të pankinës së Tiranës deri në javën e 8-të duke rregjistruar 2 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje dhe më pas u zëvëndësua nga një emër i madh i klubit bardheblu siç është tekniku aktual, Ardjan Mema.

Mema arriti që të ndryshojë shumë pak situatën duke u munduar që t’i rikthej paksa besimin tek lojtarët, por rezultatet mbetën të njëjta dhe pas përfundimit të dy fazave të para 24 herë kampionët e vendit ndodhen në vendin e shtatë me 17 pikë të grumbulluara dhe janë në zonën e ftohtë dhe shumë

larg objektivave që jemi mësuar të shohim Tiranën. Edhe në merkato bardheblutë kanë qenë inekzistent duke mos afruar asnjë lojtarë, ndërkohë që janë larguar sulmuesi Dejan Blazhevski dhe mbrojtësi Sedat Berisha.

Një tjetër pikë problematike tek Tirana mbetet dhe konflikti i ashpër mes tifozerisë dhe presidentit Refik Halili. Një tension që ka ndikuar në performancën e lojtarëve që vuajnë shumë mungesën e lojtarit të 12-të.

LUFTËTARI, KAMZA, KASTRIOTI

Të tre këto ekipe do të luftojnë deri në fund për të mbijetuar në kategorinë Superiore. Pa frikë mund të themi se Kastrioti është ekipi i parë që ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Krutanët ndodhen në një gjëndje kritike dhe shanset për të mbijetuar thuajse janë shuar pasi në këtë merkato janari është larguar pothuajse i gjithë formacioni titullar që ishte në dy fazat e para të kampionati. Edhe pse kanë marrë në krye të stolit teknikun Bledar Devolli sërish situata është mjaft e vështirë për tu ndryshuar.

Ndërkohë, lufta më e fortë do të jetë ajo mes Kamzës dhe Luftëtarit të cilat do të bëjnë të pamundurën për të mos iu bashkuar ekipit të Kastriotit për në një kategori më poshtë.

Luftëtari renditet në vendin e tetë me 17 pikë të grumbullura dhe distanca me Kamzën që është në vendin e nëntë është vetëm dy pikë pasi kamzalinjtë kanë 15 pikë.

Në këtë mënyrë rivaliteti mes dy ekipeve do të jetë mjaft i fortë për të qëndruar mes më të mirëve të futbollit shqiptar.

Gjithsesi, ajo që është kryesorja për të gjithë është që të shohim një futboll real – ku titullin ta fitojë ai që e meriton, në Kupat e Europës të shkojnë ato skuadra që e meritojnë dhe në një Kategori më poshtë të zbresi po ato ekipe që e mertiojnë.

Jo të ketë ndikim nga sipër të për përcaktuar dhe cënuar garën!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje