Safet Gjici: Kukësi del kampion bashkë me presidentin

4 Shkurt 2019, 23:47Sport TEMA

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, deklaron se po t’i thoshin edhe një herë nga e para, nuk do të merrte më drejtimin e verilindorëve.

I ftuar në “Procesi Sportiv”, ai ka thënë se ka bërë shumë sakrifica pa mbështetje, por gjithsesi mbetet i kënaqur me atë që ka arritur në këto vite dhe se beson se do të shtojë këtë vit numrin e trofeve.

“Bilanci është krejtësisht pozitiv për Kukësin. Por kuptohet që ka qenë një lodhje, stres e vështirësi, konkurrencë e madhe, pengesa, e shumë e shumë gjëra. Por në fund të fundit, në fund ia kemi dalë dhe çdo vit kemi marrë atë që kemi dashur nga kjo lojë e futbollit.

A do ta bëja prapë? Kurrë, jo. Futbolli në Shqipëri është i vështirë. Vetëm ata presidentë që investojnë e stresohen pa fund, më kuptojnë, edhe pse kënaq shumë tifozë. Ata që investojnë e kanë të vështirë, sidomos në Shqipëri, i vetëm, pa mbështetje, pa bashkinë, pa një ligj që të të ndihmojë, që të paktën të njihen shpenzimet në këtë sport. Ndaj them kurrë. Realisht jam i kënaqur për atë që kam marrë në futboll, për tre trofetë që ka marrë Kukësi, por do të marrim edhe këtë kampionatin aktualisht”, tha Gjici.

Pse investohet në një biznes me humbje
Ky është problemi i shqiptarëve se nuk bëhemi bashkë. Edhe ne 10 presidentë që jemi, duhet të mblidhemi e vendosim bashkë për atë që japim. Duhen falënderuar ata që investojnë pasurinë e vet, që njerëzit të shohin futboll. Ne duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët, është bërë Liga por nuk di se çfarë do të na sjellë. Uroj të jetë më e mira për ne. Uroj që edhe investimet që bëjmë, të mos marrësh asgjë, në fund të fundit vjen te pika që thua ‘mjaft më se nuk kam mundësi’. Për kaq vite asnjë ekip nuk u kthye në biznes, me përjashtim të Skënderbeut që shkoi dy herë në grupe e përfitoi diçka. Ne akoma nuk kemi mbaruar tre faza dhe shumë ekipe kanë tronditje të mëdha financiare. Duhet ta kthesh në biznes, që të kesh akademi, të ardhura. Nuk them të fitosh çdo vit, por një herë në dy vjet të paktën të marrësh diçka mbrapsht. Duke parë ata që investojnë shumë vite, marrim rastin e Bert Xhanit, i cili ka shpenzuar shumë nga pasuria e tij për futbollin, po të hyri në gjak futbolli… Unë e mbaj se jam i zonës, e ndjej diçka, pastaj jam edhe tifoz. Them a ta lë kë vit, pastaj ta lë vitin tjetër, e kështu mbahet.

A ka nen të rregullores që e lejon golin po qe i bukur se kështu po thotë Starova. Aty kishte lojë të rrezikshme.

Stadiumi? Nuk ka hatër. Është bërë i Elbasanit e Shkodrës. Për atë që ka dhënë Kukësi në futboll e meriton. Qeveria meriton pjesën e fondit me Federatën dhe nuk ka lidhje me hatër por ka bashkëpunim me qeverinë për t’u bërë stadiumi si ai i Vlorës.

Nëse nuk kemi mbështetje nga qeveria duhet që në Elbasan ta paguajmë 3 milionë lekë për ndeshje. Kanë nisur piketimet e para dhe nga fundi i këtij muaji nisin punimet vrullshëm. Them se 7-8 muaj stadiumi është gati.

Deklarata e Hasanbelliut? Kukësi i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Kur Kukësi kalonte ture këto nuk i dinin çfarë janë. Presidenti i Durrësit është simpatik dhe e lezetshme të pish një gotë verë me të, por Kukësi del kampion bashkë me presidentin”.

2 komente në “Safet Gjici: Kukësi del kampion bashkë me presidentin”

  1. Dn says:

    Kukesi si mjet qe te behet ky deputet ?
    Apo kur footballin e sheh si bizness…

  2. Neim Bulqizaku says:

    Sa banka ua ke vene syrin kete vit o shoku Safet per ndonje aksion gjuhetie per te bere kampion Kuksin qe nuk e lan dot as Gjallica?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje