Kur përbashkuesi i opozitës, keqtrajtohet mizorisht prej saj

19 Shkurt 2019, 09:08Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Në përfundim të takimit që krye-opozitari Lulzim Basha bëri me aleatët e vetë politikë në lidhje me dakordësinë e përbashkët për të djegur mandatet e deputetit, njëri prej tyre, Dashamir Shehi, u shpreh: “Sa kohë të jetë Rama aty (kryeministër), do të na shihni bashkë. Ditën që të mbarojë kjo punë (të iki ai), mund të shihni edhe ndonjë gjë ndryshe….”. Aty për aty, si për ta korrigjuar zotin Shehi, ndërhyri edhe vetë Lulzim Basha duke shtuar: “Bashkë do na shihni prapë”.

Ishte shumë interesant, si prononcimi i zotit Shehi, ashtu dhe ndërhyrja e zotit Basha. Vihet re se brendapërbrenda kampit opozitar ka një tension të madh të cilin mundohen ta fshehin me buzëqeshje përpara kamerave liderët politikë të opozitës. Nisur nga çka u tha, duket se i vetmi person që e mban të bashkuar këtë opozitë është Edi Rama. Me largimin e tij, praktikisht i bie që të gjithë të shpërndahen si zogjtë e korbit.

Është e pakonceptueshme, si askund tjetër në këtë botën tonë rreth e qark, që një opozitë e bashkuar të ketë kaq frikë nga një lider i vetëm kundërshtar. Është e hera e parë në këto 29 vite demokraci, që në Shqipëri kemi një spektër opozitar të bashkuar nga një anë, dhe një parti të vetme në pushtet, e vetme edhe përballë të gjithë këtij spektri.

M’u desh të bëja disa përllogaritje matematikore të rezultateve të zgjedhjeve të fundit, e për këtë hyra në faqen zyrtare të KQZ për të parë më saktësisht se çfarë përfaqëson PS-ja në elektorat dhe çfarë përfaqëson opozita e bashkuar.

Rezultatet janë të pabesueshme duke bërë krahasim më frikën që ka kapluar gjithë liderët e opozitës. Në zgjedhjet e fundit parlamentare rezulton se Partia Socialiste e Edi Ramës ka marrë gjithsej 764.750 vota ose 48.34 për qind të rezultatit. Ndërkohë që, opozita e përbërë nga: PD e Lulzim Bashës, LSI e Monika Kryemadhit, PDIU e Shpëtim Idrizit, PBDNJ e Vangjel Dules, PR e Fatmir Mediut, PDK e Nard Ndokës, LZHK e Dashamir Shehit dhe PAA e Agron Dukës, kanë marrë së bashku 761.608 vota ose 48.14 për qind të rezultatit.

Në numër votash, PS-ja rezulton me një diferencë plus 3.142 vota më shumë se opozita, ose 0.2 për qind më shumë. Në rast se votave të opozitës u shtojmë edhe votat e disa partive të vogla të djathta, rezultati në finale del barazim.

A nuk është për të vënë duart në kokë që një opozitë e tërë është në panik, si ato minjtë e kanaleve, prej një njeriu të vetëm me emrin Edi Rama?! Fakti që ata të gjithë janë gati të bëhen kamikazë të Lulzim Bashës, tregon se sa të mjerë janë ata përballë Edi Ramës në veçanti dhe Partisë Socialiste në përgjithësi. Kjo më bën të kuptoj se ata, më shumë se hallin e Lulzim Bashës, kanë hallin e tyre personal. Po po, personal, se një humbje e të gjithëve përballë një njeriu e partie të vetme, nuk do u japë asnjë justifikim për të qëndruar sërish në krye të karrigeve të kryetarllëkut.

Unë nuk e di se cilin kërkojnë ata përballë që ta mundin, por një mendje normale e një politikani normal në opozitë, ku ta gjente që rreth tij të mblidhej i gjithë spektri politik opozitar e të gjithë bashkë të mundin kundërshtarin e tyre të madh. Mbase ata i tremben faktit që kryeministri Rama, duke i mundur të gjithë, praktikisht hyn automatikisht në historinë politike të demokracisë shqiptare si një lider i padiskutueshëm dhe i pakonkurrueshëm.

Por, sido që ta mendosh, sërish e kam të pamundur ta përtyp këtë frikë opozitare. Lut Zotin që këtyre liderëve opozitarë, pavarësisht se shumica e tyre janë kryetarë pa parti e sot janë thjesht emra në listën e PD-së, t’u vijnë mendtë e të kuptojnë se me këtë frikë që u ka hyrë në bark, po demoralizojnë edhe atë elektorat qëndrestar që u ka mbetur. Nuk ka turp më të madh politik për një opozitë, që është barazim me vota me partinë qeverisëse, që ta ketë kaq frikë atë, ashtu siç ka frikë djalli nga temjani.

Si konkluzion mund të them se është e habitshme se si njeriun përbashkues të opozitës, pra Edi Ramën, e keqtrajtojnë kaq mizorisht në terma politikë, pikërisht ata që duhet t’ia dinë për nder që po i mban bashkë. Se ata, kështu të bashkuar e s’po ia dalin dot atij, imagjinoni sikur të jenë kashtë e koqe që s’kanë shans ta mundin ndonjëherë.

Shënim i rëndësishëm: Kërkesa e opozitës vetëm për largimin e Edi Ramës nuk mjafton. Në kushtet ku ajo është katandisur, edhe sikur unë të vija në krye të Partisë Socialiste, e mund fare kollaj këtë opozitë. Prandaj, paralelisht me largimin e Edi Ramës, opozita duhet të kërkojë me ngulm, si kusht të panegociueshëm, që edhe vetë Partia Socialiste të shkrihet duke dalë jashtë ligjit. Po nuk ndodhi kjo, duke u mjaftuar veç me ikjen e Ramës, sinqerisht i them opozitës se është duke u investuar kot së koti në një betejë me mullinjtë e erës. 

(TemA)

8 komente në “Kur përbashkuesi i opozitës, keqtrajtohet mizorisht prej saj”

  1. Sit back and relaks■●▪%^* says:

    Jam i sigurte qe ky superanalisti e ka analizuar mire situaten dhe meqe ka nje siguri qe dhe nje gomar te vesh ne krye te PS ai prape do e mundi opoziten, une e pyes perse Rama nuk i fut nje pale zgjedhje te parakoheshme te pergjitheshme bashke me zgjedhjet lokale, ti fitoje te dyja e ta fleji mendjen?! Keshtu dhe krizen e zgjidhim, dhe ndoshta europa na hap dyert.

    1. vang says:

      Zgjedhjet nuk nuk behen per kapricot e nje partie apo te nje tjetre kur eshte e qarte se PD do pushtetin.Ketu skemi te bejme me nje ngerc ligjor qe bie ndesh me kushtetuten dhe kerkohen ndryshime.Por sa miliona duhen per zgjedhje te reja te parakoheshme?.Dhe po fitoi Rama do thone ose i ka blere ose i ka manipuluar.Keshtuqe tekat e PD me karar.

  2. Sit back and relaks■●▪%^* says:

    Jam i sigurte qe ky superanalisti e ka analizuar mire situaten dhe meqe ka nje siguri qe dhe nje gomar te vesh ne krye te PS ai prape do e mundi opoziten, une e pyes perse Rama nuk i fut nje pale zgjedhje te parakoheshme te pergjitheshme bashke me zgjedhjet lokale, ti fitoje te dyja e ta fleji mendjen?! Keshtu dhe krizen e zgjidhim, dhe ndoshta europa na hap dyert..

  3. Sit back and relaks■●▪%^* says:

    Jam i sigurte qe ky superanalisti e ka analizuar mire situaten dhe meqe ka nje siguri qe dhe nje gomar te vesh ne krye te PS ai prape do e mundi opoziten, une e pyes perse Rama nuk i fut nje pale zgjedhje te parakoheshme te pergjitheshme bashke me zgjedhjet lokale, ti fitoje te dyja e ta fleji mendjen?! Keshtu dhe krizen e zgjidhim, dhe ndoshta europa na hap dyert…

    1. zenelaj says:

      O Dake ,ti qe flet anglisht Sit…..Relaks,ketij shkruyesit ti si vjen as ke topet per mend,por nga qe se njeh kete sektor tentosh te besh te mencurin.Nuk behet fjale per zgjedhje te reja por behet fjale per pergjigjen nga Be-ja dhe fatin e Vetingut.Ju bajgat e korruptuara kete doni se pastaj e hidhni vallen vete sipas fizarmonikes sLLAVE.

    2. ta says:

      sepse je nje gomar,ata nuk duan vetem zgjedhje i duan pa edi ramen, duan nje qeveri teknike, qe rregullin qe ka vendosur ta zhbejne, te vendosen ne qeveri,te vjedhin,se per te fituar nuk fitojne,///////////////

  4. gjyshi says:

    Do e krahasoj me sportin: Sikur udheheqja e “Romes” ose “Lacio”-se te kerkoj nga “ Juventusi” qe te largoje Ronaldon nga ekipi se nuk po mund te fitojne kampionatin..?!!!

  5. Beli says:

    E çuditshme, nëse Edi Rama qenka mishërim i së keqes në Shqipëri, atëherë opozita duhet të urojë që ai të mbetet në krye të qeverisë së paku deri në zgjedhjet e ardhme, sepse kësisoj do t’ia lehtësonte fitoren PD-së. Mirëpo gjithçka bie erë hipokrizi. Me gjasë sfondi ideologjik i PD-e është monarkik e feudofisnor. Duke pasur në krye një personalitet kanunor të ushqyer me kulturën patriarkale të odave dhe të lahutës, PD-ja betejën politike e presupozon si betejë princash feudalë. Princi (shehzade) i veriut, Berisha, do t’ia heqë kokën rivalit të tij Rama. Prandaj ai në çdo protestë e demonstratë presupozon se e ka gjithë popullin me vete dhe jo vetëm simpatizantët e tij partiakë, duke injoruar gjithnjë ekzistencën edhe të një korpusi politik kundërshtar. Pikërisht kjo është logjika totalitare e princave arabë që i fshiu furtuna ca vite më parë, si Gadafi e Ben Aliu. Ndërkaq, në realitetin shqiptar, ku bashkëjetojnë akoma modernja me primitiven, frymëzimet ideo-politike të opozitës s’mund të rezultojnë ndryshe pos me fashizëm. Pa e shfajësuar qeverinë e tanishme për gabimet që ka bërë deri më tani, them se problemi kryesor i Shqipërisë vazhdon të jetë akoma opozita, e cila në vend se të jetë kritike dhe korrigjuese e pushtetit, vazhdon të jetë akoma një kërcënim për shtetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje