Andartët e Lulzim Bashës

21 Shkurt 2019, 09:06Politika TEMA

Nga Altin Ketro

Kryetari i Kuvendit, zoti Gramoz Ruçi, njoftoi anulimin e seancës plenare të parashikuar për ditën e enjte. Kjo, për shkak se opozita ka planifikuar që atë ditë të mbajë një protestë të dhunshme përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë me skenar të parapërgatitur për të mësyrë në të.

Kjo vendimmarrje, nga një pjesë e opinionit publik, po trajtohen si frikë e mazhorancës përballë opozitës. Në fakt, këto vendime politike tregojnë më së miri pjekurinë që karakterizon Partinë Socialiste. Është shumë kollaj që të marrësh rolin e të fortit meqë ke në dorë struktura shtetërore të specializuara për t’i bërë ballë edhe turmave të dhunshme. Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për turma spontane apo edhe të organizuara qofshin, të cilat përfaqësojnë grupe radikale me prirje anarkiste siç ka kudo edhe në Evropën e qytetëruar. Ato, sado të dhunshme qofshin, arrihet të menaxhohen qoftë edhe me vrasje kur rrezikojnë proporcionalisht jetën e të tjerëve apo punonjësve të policisë.

Ama këtu rasti është specifik, sepse fatkeqësisht këto grupe i udhëheq opozita parlamentare ku njëra parti është edhe alternativë qeverisëse. Synimi është për të krijuar artificialisht dëshmorë të rremë me qëllim për të pasur një pseudokauzë me të cilën të frymëzojë mendje të çartura njerëzish që ende besojnë se me një pushtim salle të Kryeministrisë apo të Kuvendit, vihet në pushtet.

Më 14 shtator 1998, Partia Demokratike mori nën kontroll selinë e qeverisë, parlamentit dhe televizionin publik, por pa u errur mirë u zbyth sepse mori mesazhe të drejtpërdrejta nga perëndimi që nuk e njeh një qeveri që vjen në fuqi me mjete të tilla. Më pas iu deshën 8 vite që ta pastronte biografinë, edhe me ndihmën e vetë të majtës së përçarë.

Edhe në ditët e sotme e kemi një precedent në fqinjin tonë, Maqedoninë e Veriut, me pushtim të Parlamentit, vetëm se atje rolet ishin të kundërta. Sulmin në Kuvendin maqedonas e bënë mbështetësit ekstremistë pro-qeveritarë, kundër opozitës së kohës. Dhe, si përfundim, prej asaj dhune opozita e dikurshme sot është në pushtet, kurse ish-kryeministri në arrati dhe dhunuesit në burg.

Prandaj, anulimi i seancës plenare nga zoti Ruçi, ashtu edhe mos qëndrimi në zyrë i zotit Rama në protestën e kaluar, nuk duhen parë asfare si shenjë frike, por si përgjegjshmëri.

Natyrisht, ne jemi mësuar me modelin Berisha që i kishte qejf këto sfida dhe pikërisht prej atij karakteri jepte urdhra vrastarë për të treguar supremaci ndaj kundërshtarit politik me masazhin e qartë: Unë nuk tutem prej jush, rri në zyrë dhe ju eliminoj që mos ju shkojë ndërmend të më vini sërish poshtë zyrës.

Nuk është nevoja të marrim shembuj me vendet e tjera se si sillen qeveritarët e tyre në kësi rastesh, sepse secili vend ka specifikat, karakteristikat dhe traditat e veta. E rëndësishme është që nesër, pavarësisht se trupat andarte të Lulzim Bashës janë karikuar për akte të dhunshme, mos qenia e ligjvënëseve në seancë, shmang në maksimum tensionin dhe barrën e rëndë që bie mbi forcat e rendit e të gardës, të cilat e kanë për detyrë kushtetuese të garantojnë jetën e përfaqësuesve të popullit.

Është kjo një nga arsyet se përse Partia Socialiste vijon të ketë mbështetje të faktorit të brendshëm e të votohet pasivisht prej tij, ashtu dhe atij të jashtëm, pasi të dyja këto palë vlerësojnë pikërisht partitë politike se si sillen në situata të tilla me ngarkesë të lartë politike që çojnë vetvetiu edhe në gjakderdhje (21 janari), apo rënie të shtetit (14 shtatori). Është kjo edhe arsyeja se përse Partia Demokratike zvogëlohet në mbështetje në këto dy fronte, sepse as di e as kupton nga historia e largët dhe e afërt e politikës së këtyre 29 viteve demokraci. Fundja, për të keqen e saj e të askujt tjetër! (TemA)

1 komente në “Andartët e Lulzim Bashës”

  1. BOHOTINA says:

    Shkrim i mire, por mund te ishte me i thelle e me ilustrues per bemat e perbindshme te PD, duke filluar nga poshtersia e 2 prillit 1991, ku u vran 4 veta me arme qe nuk i dispononte ushtra dhe policia e kohes, te drejtuara nga nje njeri gjakpires siç eshte Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje