Gabriel Batistuta ishte një nga sulmuesit më profilik të botës së futbollit, argjentinasi ishte një vrasës i vërtetë në zonë ndërsa për shkak të numrit të madh të golave fitoi edhe epitetin “Battigol”.
Në një intervistë për “American Bussines Forum”, shprehet se gjatë kulmit të karrierës së tij kishte kërkesa nga Reali i Madridit dhe Milani por i refuzoi sepse do të ishte mërzitur.
“Asnjëherë nuk më ka pëlqyer të jem lideri i skuadrës, sepse kur je lideri ke përgjegjësinë kryesore në të gjitha triumfet apo dështimet. Gjatë kohës kur luaja për Fiorentinën, më kërkuan Reali i Madridit, Mançester Junajtid dhe Milani, por gjithmonë kam zgjedhur qetësinë e Firences.
Nëse do të shkoja te Reali do të kisha shënuar 200 gola, por më pas do të isha mërzitur. E njëjta situatë do të ishte edhe nëse do të isha transferuar te Milani. Për këtë arsye ndjehem fitimtar edhe pse nuk kam fituar asgjë. Jam fitimtar sepse i refuzova të gjithë dhe Fiorentina ka luftuar kundër më të fortëve”, theksoi sulmuesi argjentinas.
Ndërkaq, pas aventurës në Firence, Batistuta më pas kaloi te skuadra e Romës me të cilën arriti të shpallej kampionë i Italisë në sezonin 2000-2001.