Uanda Nara nuk di të ndalet, por nëse Ikardi nuk ndalej së shënuari, kjo e fundit nuk ndalet duke hapur polemika në Itali.
E ftuar në emisionin ‘Tiki Taka’, Uanda u shpreh se ndihet e qetë për sjelljen e Ikardit dhe se nuk ka nevojë të kërkojë falje.
Sakaq, ajo e konsideron të padrejtë sjelljen e Perisiç pas golit të Politanos që festoi si Ikardi por kroati ia prishi festimin.
“Janë dy pikë me peshë, por për fat jemi mbi të tjerët sërish. Në futboll ka shumë padrejtësi si për shembull penalltia e dhënë në fund, apo sjellja e Perisiç, ose ose edhe qëndrimi jashtë i Ikardit dhe që konsiderohet një përbindësh edhe pse ka dhënë gjithçka për fanellën zikaltër. Penalltinë e Perisiç e pamë të gjithë, por sjellja e tij nuk jep qetësi.
Të jesh kapiten duhet të tregosh respekt dhe Ikardi e ka bërë këtë gjë, e ka treguar për këdo, për ngjyrat dhe për fanellën në radhë të parë. Thonë se duhet t’u kërkojë falje shokëve, por për çfarë të kërkojë? Për të gjitha këto budallallëqe. Nuk ka pse dhe nuk do të kërkojë falje për asgjë, pasi çdo ditë shkon dhe bën fizioterapi. Unë nuk jam Ikardi dhe mund të them çfarë të dua”, u shpreh Uanda.